Kaq biznese u regjistruan dhe u shuan nga viti 2000 deri në mars 2023

- Bota Sot

Kaq biznese u regjistruan dhe u shuan nga viti 2000 deri në mars 2023

Gjithsej janë analizuar 96,995 biznese aktive nga 227 mijë e 759 biznese të regjistruara në Kosovë nga viti 2000 deri në mars 2023, prej tyre 78,7 për qind janë në pronësi të burrave, 18 për qind në pronësi të grave, 2,3 për qind janë në bashkëpronësi të paktën të një gruaje, ndërsa për 1 për qind tjetër nuk dihet gjinia e pronarëve.

Përveç kësaj, në raportin “Profilet e bizneseve: Ndërmarrësia e grave dhe pakicave etnike në Kosovë” të Institutit GAP thuhet se në Kosovë janë 33 mijë e 3 biznese të shuara nga viti 2000 deri në mars 2023. Prej tyre, 64% janë në pronësi të burrave, 12% janë në pronësi të grave, 0.3% janë në pronësi të paktën të një gruaje dhe për 23.7% të bizneseve nuk dihet gjinia e pronarëve/eve.

Ky raport identifikon profilet e bizneseve në pronësi të grave dhe atyre të pakicave etnike, duke analizuar praninë e tyre në Kosovë sipas madhësisë së biznesit, vendndodhjes gjeografike dhe sektorit ekonomik në të cilin ato operojnë. Për më tepër, raporti analizon jetëgjatësinë e bizneseve në pronësi të grave krahasuar me bizneset në pronësi të burrave.

“Raporti tregon se bizneset mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë 99% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në pronësi të grave në Kosovë. Nga bizneset e analizuara, 5,253 prej tyre janë në pronësi të individëve të pakicave etnike në Kosovë; 30% serb, 28% turq, 10.5% boshnjak, 2.7% goran, 2% ashkali, 1.7% rom, 1.7% egjiptian, 0.1% malazez, ndërsa 22% e tyre nuk janë të kategorizuar. Nga numri i përgjithshëm i bizneseve në pronësi të pakicave etnike, 79% janë në pronësi të burrave dhe 21% të grave”, thuhet në raport.

Ndërsa, bizneset në pronësi të grave me jetëgjatësinë më të madhe operojnë në sektorët: tregtia me shumicë dhe pakicë (6.71 vite), dhe transport dhe magazinim (6.53 vite).

Bazuar në gjetjet e raportit, Instituti GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës të ofrojë një përkufizim të saktë të asaj që konsiderohet “biznes aktiv” dhe të ofrojë mekanizma për mbledhjen e të dhënave të besueshme në mënyrë që të shmangen mospërputhjet e të dhënave, si në këtë rast ku shifrat e ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk përputhen. Të kuptuarit e profileve të bizneseve në pronësi të grave dhe në pronësi të pakicave mund të ndihmojë qeverinë dhe palët e tjera të interesuara të hartojnë dhe zbatojnë politika dhe programe që mbështesin në mënyrë adekuate këto kategori të bizneseve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot