“Kumar”, “bixhoz” apo “bast”, historia e lotarisë sportive! Gazetari italian solli në ’44 idenë e parashikimit të rezultateve të futbollit!

- Bota Sot

“Kumar”, “bixhoz” apo “bast”, historia e lotarisë sportive! Gazetari italian solli në ’44 idenë e parashikimit të rezultateve të futbollit!

Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se në vitin 2019, do ta quaja lotarinë sportive “sport borgjez”. Në të vërtetë, në gjenezë, “sport borgjez” nuk e kam quajtur unë. E pati quajtur partia e regjimit komunist.

Profesor Eqrem Çabej është njeriu që i ka dhënë shpjegimin më të hollsishëm kësaj fjale në kryeveprën e tij “Studime Etimologjike në fushë të Shqipes”. “Kumar” është shpjegimi më i parë i profesorit. Fjalori i Shqipes 1954 e quan lodër me të holla e bazuar në fat dhe shton: “kumar”. Fantastik është Fjalori i Shqipes 1980: “Lojë me letra a diçka tjetër për të nxjerrë fitime, që mbështetet te rasti, te dredhitë e te mashtrimet e pjesëmarrësve, ‘kumar’ dhe shton: ‘Në Shqipëri e ndaluar me ligj”.

Ndërsa këto ditë të vitit 2024, deri dhe në titujt e ligjit në miratim e sipër po quhet “bast”. Fjalë për fjalë emërtohet si “tregu i basteve”! Dhe prapë shkoj te prof. Eqrem Çabej, i cili “bastin” e jep si “të lidhurit me kusht” – “vëmë bast”, siç shkruan ai në fjalorin e tij të famshëm. Çka vërteton se loteria sportive nuk është absolutisht “bast”.

Pa ngurim them se nuk mund të ketë kryeministër në botë, nuk mund të ketë shkencëtar, nuk mund të ketë studiues, nuk mund të ketë ekonomist që ka fituar çmimin “Nobel”, që të na provojë se parashikimi i përfundimit të këtyre ndeshjeve me një skedinë, që bie fjala, në Shqipëri mund të blihet për qoftë dhe 100 lekë të reja, të jetë “bixhoz” a “bast”. Siç e pati quajtur më 2019 qeveria shqiptare, duke e bashkuar me lojërat e kazinove apo të tjera, ato me letra bixhozi a s’di se çka. Sepse lotaria sportive apo totofutbolli, siç është quajtur qysh në origjinë, nuk është kurrë bixhoz. Madje, deri diku është edhe një provë kulture, njohjeje e diturie për sportin e futbollit e të skuadrave të tij, mbrenda e jashtë vendit tënd.

Pata shkruar: si ka mundësi që lotaria sportive iu bashkëngjit kumarit, kazinove dhe pa pasë asnjë lidhje a ngjashmëri me ta, u mbyll në një ditë së bashku me ta?

Jam i bindur – dhe jo vetëm unë, po gjithë bota sportive dhe josportive – se loteria sportive nuk është bixhoz e as bast. E bëj për të kujtuar edhe se si devijoi ajo. Devijim që i bëri asaj Shqipëria 2019. E, nëse pikat e ashtuquajtura “të basteve” vërtet që në shumë raste ato denatyruan, faji nuk është i lotarisë sportive, por i qeverisë shqiptare, e cila nuk arriti ta ndalte këte denatyrim a rënie.

Pata guxuar edhe më shumë se kaq, ku i vetëm shkrova fjalë për fjalë e germë për germë këtë fjali: “Jam i bindur se do të vijë një qeveri përsëmbari dhe do ta vendosë përsëri lotarinë sportive”. Ndonëse tani me një ndryshim. Nuk erdhi një qeveri tjetër, por po ajo që ishte më 2019, e cila duket se e ka marrë me tapi Shqipërinë. Dhe nuk guxoi që këto ditë të thoshte: “Më falni, pata gabuar!”. Kjo ngaqë nuk e njeh autokritikën, atë që të paktën formalisht e njihte edhe Enver Hoxha.

Parashikimi vonoi vetëm 5 vjet për të mu vërtetuar sot, në këtë 2024, pra. Ma jepni një medalje të vogël që më doli parashikimi. Këtë e them me humor, natyrisht, sepse më mjafton titulli që kam: Kalorës i Urdhrit të Flamurit, që është një shkallë më lart se Mjeshtër i Madh, madje.

SHPIKËSI QUHET MASSIMO DELLA PERGOLA

Kjo është historia e Budapestit të majit 1992 të Kongresit të AIPS (Association Internationale de la Presse Sportive – Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv), përmes takimit me shpikësin e lotarisë sportive, gazetarin e madh italian Massimo Della Pergola (1912 – 2006) të Triestes. Në “Storia del calcio” të autorit të mirënjohur Gian Paolo Ormezzano – një libër i mrekullueshëm për futbollin – me kohë kisha nënvizuar këto rradhë:

“Gjatë luftës, një gazetar italian, Massimo Della Pergola, i internuar në Zvicër për arsye politike, sjell më 1946 në Itali idenë e parashikimit të rezultateve të futbollit”.

Sa bukur që e ka quajtur Ormezzano: “Parashikimi i rezultateve të futbollit”! As bixhoz, as bast.

Ndjehesha deri diku i sigurtë se do ta takoja në Kongresin e Budapestit, Della Pergolla-n, çka u realizua e, unë që thuajse u mahnita që më 11 korrik 1992 ai mbushte plot 80 vjeç. Kthjelltësia e mendimit të tij, gjallëria e gjithë portretit të tij fizik e intelektual, ishin më shumë se një befasi. Po takoja kështu themeluesin e “Totocalcio”-s, të lotarisë sportive, mirëpo në të vërtetë unë po takoja edhe një gazetar të famshëm. Ishte Massimo Della Pergola. Njeriu i cili kishte ndjekur 11 olimpiada dhe 11 kampionate Botërore të Futbollit e që kishte bashkëpunuar me 76 gazeta e revista, gazetari i cili më 1946, kur ishte kryeredaktor (shef redaksie) kishte shpikur “Totocalcio”-n, ideator i Lojërave Universitare, themelues i Shoqatës së Shtypit Sportiv të Italisë, “pronar” i 24 çmimeve e dekoratave për veprimtarinë e tij, mbajtës i titullit “Grande Ufficiale d’Italia”.

Doktor i Shkencave Ekonomike, pjesëtar i Rezistencës kundër Fashizmit, i shndërruar në numrin 29615 të të internuarit politik në kampin e përqëndrimit Pont de Morge të Zvicrës, të cilit gjithë dita i kalonte në bonifikimin e Rodano-s, i detyruar të lëvizte përditë tetë metra kub dhé, atij i kishte mbetur vetëm mbrëmja atje në barakë, melankolik e thuajse i demoralizuar për Italinë e tij, që po shkatërrohej. Ka qenë 1943. Papritmas e transferojnë në kampin Saint Cergne dhe i japin detyrën “fisnike” të një lloj centralisti telefonik! Këtu fantazia e tij merr hov.

“Lufta po i afrohej fundit, – më tregonte Della Pergola në netët tona të paharrueshme të Budapestit 1992, – dhe Italia ishte e shkatërruar e bashkë me të dhe sporti. Si? Mora një letër dhe mbi të shkrova një “P” të madhe, që për mua donte thoshte ‘Progetto(Projekt). Shkruaja, fshija, ndreqja, prap shkruaja. Ndërkohë erdhi liria. Nisa të bashkëpunoja me shtypin e radion në Zvicër. Firmosja me ‘Maximus Bianchi’… Kthehem në Trieste ku gjej gjithçka të shkatërruar. Edhe shtëpinë time. Marr rrugën e Milanos e drejt e te ‘La Gazzetta dello Sport’. I famshmi Bruno Roghi, drejtori përgjegjës i gazetës, e dinte mirë se kush fshihej mbas ‘Maximus’. Më emëron kryeredaktor (shef redaksie). E unë pa ia zgjatur i them: ‘Ka një mundësi për ta shpëtuar sportin italian dhe se kjo mundësi përmblidhet në një ‘P’ të madhe që qëndron mbi dosjen time’. Ia shfletoj duke i thënë se një lotari për parashikimet e rezultateve të ndeshjeve të futbollit, mund të nxjerrë të ardhura për të financuar gjithë sportin italian. Bruno Roghi mërzitet ndërkaq, dhe krejt skeptik më drejtohet me fjalë të ashpra: ‘Massimo, je i martuar, ke dhe një fëmijë, merru me punë e lëri këto çmendurina!’.

Ndërsa unë në timen. Nisem për në Romë drejt e te presidenti i Komitetit Olimpik Italian (CONI) Gulio Onesti dhe te presidenti i Federcalcio-s, Otorino Barrasi. Ju flas, por ata thonin: ‘Erdhi i marri i Milanos!. E unë: ‘Do të keni vetëm fitim, këmbëngul, sepse kaq për qind do të marrë shteti, kaq Federcalcio, kaq CONI dhe kaq fituesi i parashikimit. Do të shënohet ‘1’ për fitoren e skuadrës vendase, ‘x’ për barazimin, dhe ‘2’ për fitoren e skuadrës mike’. Giulio Onesti tund kryet e unë prap këmbëngul. ‘Duhet të jesh më serioz’, më thotë. Ndërkaq unë prapë në timen. ‘Merre lejen, më thotë më në fund, por mos eja më këtu’. E unë kaq desha…”

Massimo Della Pergola formon kështu shoqërinë e tij të cilën e quan SISAL (shkurtim i Sport Italia Societa Anonima Lombarda). Dhe është SISAL që do të organizojë gjithë punën për “Totocalcio”-n. Della Pergola përcakton: 45 për qind të shumës nga shitja e skedinave do ta marrin fituesit, 36 për qind shteti, 12 për qind SISAL, dhe 6 për qind baret (kafenetë)… Shihni pra përqindjet e themelimit, përqindje që me sa po shihet, sot më 2024, ju të Shqipërisë doni t’i ulni për ate çka marrin blerësit e skedinave.

“I lodhur, i dërmuar, thuajse i vetmuar, futem në një bar, më tregonte Massimo Della Pergola. Kërkoj një vermut. E pij dhe paguaj 30 lireta. Kaq kushtonte. Vetëm 30 lireta! Pa dashur kisha përcaktuar çmimin e një skedine. Kaq do të kishte mundësi ta blinte çdo italian. Kjo ishte e para. E dyta ishte vetë bari. Nuk mund të kishte vënd më të përshtatshëm se sa në bar për t’i shitur skedinat. Baret (kafenetë) janë gjithmonë plot njerëz, ata shkojnë e vijnë aty gjithë ditën, rrijnë për disa kohë, pijnë diçka… Për këtë, baret duhej të merrnin 6 për qind të shumës së skedinave të shitura. Shifër që më vonë do të rritej në 6.6 përqind. Arrita të shisja skedina në 12.000 bare të Italisë. Popullariteti do të njitej deri atje saqë u detyrova mandej të formoja ‘Shoqatën e baristëve’.

Ministri i Financave të Italisë, Spataro, duhet të ketë qenë më i zgjuari në gjithë këtë aventurë. Dhe ishte ai që ia dha menjëherë autorizimin Massimo Della Pergola-s. Ndërkaq, ky merr 12 nëpunës dhe rreth 100 vullnetarë për shfletimin dhe numërimin e skedinave.

Mbërrin dita historike e 5 majit 1946, kur kamionët e ‘fatit’ nisen rrëmbyeshëm nga Milano për në gjithë rrugët e Italisë duke mbajtur në karroceritë e tyre 5 milionë skedinat e para me 12 ndeshje për t’u parashikuar nën formulën magjike ‘1’, ‘X’, ‘2’. Një mister që do të shfaqej nën fatalitetin e këtyre 12 çifteve të kampionateve italiane të vitit 1946:

Inter – Juventus, Bari – Napoli, Torino – Milan, Pro Livorno – Roma, Padova – Vegevano, Cremonese – Alessandria, Como – Genoa, Sampierdarenese – Sestrese, Legnano – Novara, Bologna – Piacenza, Cesena – Modena, Venezia – Mantova”.

E për çudi, kjo 12-she e skedinës themeluese, historike, ka mbrenda saj edhe pak Shqipëri. Një lojtar i madh i “Sportklub Tiranës” është në fushën e lojës: Riza Lushta i Napolit. Madje, në një ndeshje dramatike Bari – Napoli 2-2 që me “X”-in e saj ngatërron tifozët. Serinë e çel bash Riza Lushta me një gol shembullor në të 17′! Por, Bari kalon në 2-1 me gola të Orlandos dhe Maestrelli-t dhe ja tek barazon Barbieri për Napolin: 2-2! Kështu, Shqipëria “dhuron” një gol të Lushtës në skedinën e parë të “Totocalcio”-s!

Dhe ja ku mbrrin mrekullia: një njeri arrin të fitojë 43 milionë lireta! Diçka e paimagjinueshme! Ishte njeriu, i cili kishte bërë arkivolin e Marconi-t.

RRËMBYESI ËSHTË ZËVENDESKRYEMINISTRI GIULIO ANDREOTTI!

Dhe data 19 shtator 1948, që është fatale! Giulio Andreotti, zëvëndëskryeministër i ri i Italisë dhe njohës i madh i vlerave dhe përfitimeve prej sportit, është rrëmbyesi. Emërtimi i ri zyrtar është “Totocalcio”. Nuk ka më SISAL! Dekreti është i pamëshirshëm: shtetizim! Dhe drejt e në gjykatë. Massimo Della Pergola hedh e ngre padi kundër shtetit italian, sepse “Totocalcio” është i tij, dhe ligjërisht shteti nuk ka të drejtë të përvetësojë kësisoji një shpikje të individit!… Ai e fiton gjyqin vetëm më 1955. Në të vërtetë, gjatë këtyre 8 vjetëve “Totocalcio” ishte bërë tejet i fuqishëm, i fitimeve të mëdha që po mbanin gjallë vetë sportin italian. Sportin pra. Atë që ju qeveritarët e sotëm të Shqipërisë e harroni keqas.

Della Pergola juridikisht përfiton “dëmshpërblimin për çpronizim” dhe vetëm kaq. “Totocalcio” pushton botën. Për Massimo Della Pergola-n jepet dekorata “Decorazione all merito della Republica Italiana” e shkallës më të lartë “Grande Ufficiale d’Italia”. “Totocalcio” i tij do ta bënte CONI-n (Komiteti Olimpik i Italisë) dhe Federcalcion ndër më të pasurat në Europë, duke vazhduar me raportet: 30 për qind fituesit, 8 përqind baret, 62 përqind shteti dhe CONI në të mirë të sportit italian.

Ky është morali i fabulës prej së cilës i vlen të mësojë Shqipëria e sotme 2024. Dhe historitë që janë vërtet dëfryese. Milioneri i parë ka qenë Giorgio apo Pietro Amelotti, i cili në fillim të viteve ’50, fitoi 63 milionë lireta dhe bleu një apartament. Një fatorino treni, siciliani Giovanni Cappello fiton 75 milionë. Por, dyshja torineze Sacciner-Gaudier më 1955, rrëmben plot 243 milion lireta! Shoferi i Palmiro Togliatti-t, Reclus Monari, fitoi 54 milionë më 1957. Një parukier nga Milano, Gianni Rampoldi bën të tijat 170 milionë më 1966. Ndërsa sipërmarrësi torinez Lino Cazzavillan u quajt “profesor i lojës”. Ai luajti për 40 vjet rresht dhe fitoi 420 herë! Më 1987, ai fitoi 1 miliard lireta. Në fund, mbasi ishte diplomuar në Ekonomi e Tregti, ai mbrojti doktoratën me një temë për “Totocalcio”-n! Luante 3 deri në 6 milionë në javë dhe u bë pronar i pesë hoteleve dhe i mbi dhjetë bareve!…

Gazeta “Sporti Popullor” e 10 shtatorit 1990, që fikson skedinën e parë të Totofutbollit

HISTORIA SHQIPTARE E LOTARISË SPORTIVE

Dhe shkojmë te Shqipëria. Ka qenë 25 prill 1937, ditë e fillimit të Kampionatit të 7-të Kombëtar të Futbollit në Shqipëri, kur papritmas, gazeta “Sporti Shqiptar” nis e organizon çdo javë lotarinë e parashikimit të ndeshjeve. Ky i takon të jetë, si të thuash, një pararendës i Totofutbollit shqiptar. Skedina e parë e tij me rezultate, që janë të javës 1 të Kampionatit të vitit 1937, kanë qenë këto:

SK Tirana – Besa 2-0, Skënderbeu – Durrësi 1-0, Vllaznia – I.Qemali 6-0, Dragoj i Pogradecit – Bashkimi Elbasanas 2-1, Tomori – Bardhyli i Lezhës 0-2.

Fituesi i javës përfitonte vetëm një abonim falas 12-mujor të “Sportit Shqiptar” dhe kaq. Por gjithçka shuhet pa lindur mirë. Interesantja është se Mbasluftës, në vitet ’40, Partia herë mbas here lejonte një si lojë përmes gazetës sportive, të parashikimit të ndeshjeve me lexues, çfarë gazeta kërkonte t’i jipte më tepër pamjen e një aftësie kulturore, njohëse. Ishte thjesht një vazhdim i lotarisë së “Sportit Shqiptar” të vitit 1937. E vërteta ishte, se për gati 20 vjet parashikimi i ndeshjeve u harrua në Shqipëri. Dhe është e çuditëshme se si në fillim të viteve ’60 loja rifillon përsëri, madje kësaj here ka dhe një skedinë të mirëfilltë, që shitet veçan gazetës “Sporti Popullor”. Sot, në arkivin tim kam ruajtur një skedinë të blerë të 7 tetorit 1962, ku si student që isha, siç e shikoni, këtu kam parashikuar ndeshjet, por nuk kam fituar.

Dhe prapë nisma që ka një jetë të shkurtër, çka sidomos mbas vitit 1964, ajo konsiderohet madje, “një lojë borgjeze, çedukuese, antisportive”. Ashtu, siç u quajt edhe në demokraci në vitin 2019. Do të duheshin 30 vjet për të rifilluar: mbërrin skedina shqiptare! Është 11 shkurt 1990. Komisioni Qendror i Konkursit të Parashikimeve të Rezultateve Sportive boton për herë të parë rregulloren e tij.

Duhej të vinte shtatori i vitit 1990 kur BFSSH-ja e famshme, çel atë që e quajti “Konkursi i Parashikimeve Sportive”. Gjithçka nis në të folmen “shqip”. Nuk quhet “skedinë”, por “parashikim”.

Parashikimin e parë e botoj 10 shtator 1990 në gazetën e vetme sportive që drejtoja, ate “Sporti Popullor”. Ajo përmban këto çiftime të Kampionatit Kombëtar:

“Parashikimi Nr. 1 * 9 shtator 1990: Kastrioti – Flamurtari 1-0, 17 Nëntori – Luftëtari 3-1, Labinoti – Apolonia 0-3, Traktori – Tomori 1-1, Lokomotiva – Vllaznia 0-0, Besa – Dinamo 0-0, Partizani – Skenderbeu 2-1, Labinoti – Apolonia (I) 0-1, Traktori – Tomori (I1-0, Lokomotiva – Vllaznia (I) 0-0. Ose ndryshe: 1,1,2, X,X,X, 1,2,2,X”.

Skedina përuruese ka çudinë e madhe, sepse ka në krye të saj Kastriotin e Krujës, i cili merrte pjesë për herë të parë në Kampionatin Kombëtar. Dhe e fillon me fitoren e bujshme 1-0 ndaj Flamurtarit tonë të madh. Sigurisht, gati askush nuk guxonte të parashikonte fitoren e kruetanëve debutues ndaj vlonjatëve të mirënjohur, fitorja e të cilëve e tronditi keqas skedinën e parë të Totofutbollit shqiptar. Kishte 3 “dysha” skedina e parë! Fitues ishin vetëm ata që fitonin nga 10 dhe 9 pikë dhe 50 përqind e shumës së shitjeve iu shpërndaheshin fituesve. Triumfuan dy “kartela”, siç quhen (pra jo “skedina”): ajo me nr. 012603 në Kavajë dhe ajo me nr. 006797 në Gjirokastër. Fituesit morën 51.710 Lek secili! Krejt e pazakontë!

Dhe ja, mbërrin 8 marsi 1991, e në fund të faqes së tretë, si të donim ta fshihnim, kam botuar lajmin sensacional me titullin “Edhe 5 ndeshje nga futbolli i huaj”, në të cilin shkruhej:

Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar Federatës Italiane të Futbollit për të futur në kartelat parashikuese çifte ndeshjesh nga kampionati kombëtar i Italisë… Duke filluar nga java 27 e konkursit, kartelat parashikuese përveç 7 çifteve të kampionatit tonë kombëtar të futbollit, do të kenë edhe 5 çifte nga ndeshjet e ekipeve të futbollit italian”. Dhe më poshtë:

“Kam kënaqësinë t’iu konfirmoj, – shkruan në telekstin e tij Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Italian (CONI), Mario Pescante, – se mbas miratimit të Federatës Italiane të Futbollit, CONI autorizon futjen në buletinin e Totocalcio-s parashikimet për ekipet italiane të Kampionatit të ‘Serie A”.

Shihet ndërkaq, se si hyn dhe terminologjia e re në telegramlejen e Pescante-s. Atdheu i Massimo Della Pergola-s i kishte “falur” Shqipërisë pjesë nga skedina e vet! Edhe kjo ishte historike!

Parashikimi ynë nr. 27 ka pra, një skedinë me 7 ndeshje italiane dhe 5 shqiptare. Dhe surprizë! 5 ndeshjet shqiptare ishin nga Kampionati i të Rinjve të Shqipërisë! Duhet të jetë një rast mbarëbotëror: Inter, Milan, Lazio, Juventus, Roma në një skedinë me skuadrat e të rinjve të Shqipërisë! “Tradhtia” Mario Pescantes i ishte bërë pa pikë zori. Vërtet që jemi fantastikë! Ja:

Atalanta – Lazio 4-1 (1), Cesena – Lecce 3-1 (1), Inter – Milan 0-1 (2), Parma – Pisa 2-3 (2), Roma – Juventus 0-1 (2), Sampdoria – Napoli 4-1 (1), Torino – Genoa 5-2 (1), Shkëndia A – Partizani 0-0 (X), Flamurtari – 17 Nëntori 0-1 (2), Traktori – Besëlidhja 2-0 (1), Besa – Skenderbeu 3-1 (1), Apolonia – Lokomotiva 0-1 (2).

Gusht 1991. Pluralizëm. Hapje. Demokraci. Totofutbolli nuk është më lojë borgjeze. Në gazetën “Sporti”, emërtimi i parë i imi për të kaluar mbas pak tek “Sporti Shqiptar” që drejtoja, në faqen e parë të numrit të ditës së 16 gushtit 1991, kemi shpallur ate të cilin e gjysmëshqipërova, duke e quajtur “Totofutboll”. Dëshëronim ta shqipëronim, qoftë edhe pjesërisht, që të mos i thonim “Totocalcio”. Mundëm të thonim vetëm “Totofutboll”. Gati gjithë faqen e parë e zë fillimi i një shkrimi me titull “Ç’dimë për Totokalçion”. Autorët e këtij shkrimi “nismëtar”, janë Kasem Seferi dhe Vjollca Shamku, i pari një protagonist i organizimeve filluese të Totofutbollit shqiptar.

Ajo është një skedinë me 12 çifte ndeshjesh, të gjitha shqiptare, saktësisht të Kupës së Shqipërisë. Për histori duhet fiksuar, sepse ka të bëjë me themelimin e dytë, por të parë me emërtimin puro “Totofutboll”, madje me nr. 1:

Totofutbolli nr. 1:

Vllaznia – Korabi, Partizani – 31 Korriku 2-0, Studenti – Besa 1-1, Shkolla e Bashkuar – Kastrioti 0-1, Tepelena – Selenica 4-1, Butrinti – Delvina 2-0, Përmeti – SK Teuta 4-2, Devolli – Ylli Kuq, Dinamo – Naftëtari, Labinoti – Besëlidhja 1-1.

Siç shihet, tri ndeshje që nuk zhvillohen për mosparaqitje, e detyrojnë FSHF-në të dënojë skuadra, ndërsa skeda quhet e vlefshme me vetëm 9 çifte! Eshtë një pamje që të duket si e një kohe të lashtë. Vështroni emërtimet! “Shkolla e Bashkuar”, “31 Korriku”, “Ylli i Kuq”, “Labinoti”… Skeda ka ndërkaq, një fat vërtet të çuditshëm. Për shkak të mosfunksionimit të linjës telefonike, ka çifte ndeshjesh, rezultatet e të cilëve merren vesh vetëm mbas 24 orëve. “Nuk punon linja!”, kam vënë me dorën time në skedinën e botuar në faqen e parë të “Sportit”.

Në numrin e 23 gushtit 1991 të “Sportit”, jipet dhe komunikata e parë e Totofutbollit Nr. 1 zyrtar të Shqipërisë. Ajo njofton se janë shitur 4141 skedina dhe fitues me 7 pikë ishin 20 kolona që fitojnë secili nga 248 lekë! Ndërkaq, fitues me 6 pikë ishin 283 vetë, të cilët fitonin nga 11.7 lekë secili! A do të vazhdonte më tej me “shqiptarësinë” e tij?

Totofutbolli nr. 3 është tronditja e parë. Më 22 shtator 1991 do të fillonte Kampionati Kombëtar, po ndërkohë në Itali nis Serie A. Dhe Totofutbolli nr. 3 dhe ai nr.4 në Shqipëri, papritmas lëshojnë tokë. Katër çifte të “Serie A” të Italisë zënë vend në skedinën shqiptare.

Po papritmas, njoftohet për daljen në shitje të një skedine vetëm me ndeshje të “Serie A” të Italisë.

Skedina nr. 7, arrin 17.261 skeda të shitura dhe fituesi që parashikon të 12 kahet e ndeshjeve, fiton 20.713 lekë. Ky është dhe rekordi për skedinën shqiptaro-italiane për Totofutbollin e asokohe. Këtu është dhe fundi i shqiptarësisë së skedinës shqiptare. Qysh nga ky çast, nëntor 1991, nuk do të ketë më skedinë me ndeshjet e Shqipërisë çka, e bën Shqipërinë të vetmin vënd në Europë që për gati tri dekada me rradhë nuk guxon të përfshijë në skedë asnjë ndeshje shqiptare!

Nuk ka dyshim se Totofutbolli luajti një rol të rëndësishëm për financimin e sportit shqiptar. Dhe kjo është arritja më e madhe e tij. Më mbas, më 2019, mbrritëm te vdekja e tij.

“Kush është fajtori?”, pata pyetur më 2019? Dhe pata shkruar fjalë për fjalë: “Fajtori është vetëm një. Ose po të duash thuaji dy: shteti shqiptar, por më shumë qeveria e tij”.

SHEMBULLI I BRITANISE SE MADHE DHE SHQIPERIA

“Paratë e lotarisë sportive janë në krye të punëve: tani Britania e Madhe është një ‘big’ botëror”.

Ky është një titull i një shkrimi në “La Gazzetta Sport” të Italisë. E kishte për te riorganizimi i sportit britanik mbas dështimit të tij në Lojërat Olimpike të Atlanta 1996 kur Britania e Madhe u rendit e 36-ta me vetëm 1 medalje ari. Dhe vetëm mbas pak ditëve të Atlanta-s, në Britani u themelua “UK Sport” – Agjencia Publike e Sporteve e drejtuar nga Departamenti i Kulturës, Medias dhe Sporteve. Me synimin kryesor: që të financohej forcimi i strukturave sportive. Me në krye lotarinë sportive. Çka do të thoshte që 25 përqind të inkasimeve prej saj t’i shkonin sportit kombëtar. Kështu, qysh nga viti 1997 lotaria britanike kishte dhuruar bukur 2 miliardë stërlina ose 2.3 miliardë euro. Gjithçka në dobi të mbështetjes së sportistëve, programeve dhe projekteve të formimit të tyre. Madje, duke sanksionuar deri dhe rrogë vjetore për çdo sportist olimpist elitar që varion nga 41.000 e deri në 68.000 euro për katër vjet me rradhë nga njëra Olimpiadë te tjetra. Falë edhe i këtij organizimi, në Olimpiadën e Londrës më 2012 Britania e Madhe arrin në e treta me 29 medalje ari, në Rio de Janieros 2016, ajo u rendit e dyta me 27 medalje ari. Më 2021 zbriti në e katërta, por gjithnjë shumëmedaliste: 22 medalje ari.

Natyrisht, ne nuk e kemi diku një departament të tillë, që sa i nevojshëm do të ishte, teksa do t’i thoshte “lamtumirë” joefektivitetit të sotëm të Ministrisë përkatëse për sportet. Por tani, shoh se shkohet deri te Ministria e ministri i Mbrendshëm i Shqipërisë i qeverisë shqiptare. Ajo, e cila sot po përpiqet ta rikthejë Totofutbollin, përmes atij që e quajnë Ligji i Lojërave të Fatit. Dhe? Jo bixhoz, jo kumar. Me sa duket qenka bast! E pati mbytur në një ditë me kazinotë me të cilat Totofutbolli shqiptar apo lotaria sportive jo vetëm nuk përngjan, por nuk ka të bëjë aspak. Ai duhet të fitojë pavarësinë e tij, e të mos jetë i lidhur me askend tjetër. As me baste dhe as me lotari kombëtare. Kjo na çon te devijimi i saj prej qëllimit fisnik të saj. Më saktë, të dy qëllimeve fisnike: njerëz të thjeshtë, madje të varfër, të cilët fitojnë diçka, por mbi të gjitha janë përfitimet që duhet të ketë sporti kombëtar. Pa harruar se në fund të fundit, kjo ka të bëjë me njohuritë për sportin e futbollin, për skuadrat e kampionatet e saj. Nuk është bingo.

Qeveria Shqiptare ishte ajo që lejoi deri në absurditet ndërkombëtarizimin e paskaj të lotarive sportive dhe që me paaftësinë e saj për të luftuar korrupsionin në ndeshjet e futbollit shqiptar, hoqi ndeshjet e Shqipërisë në skedinë.

Shqipëria e vogël me kaq vështirësi të jetës së saj e me kaq shumë kapriço qeveritarësh të urdhrave prepotentë e të nxituar, më shumë për spektakolaritet se për arësye shtetërore, ndoshta mëson diçka edhe prej historisë së themelimit të lotarisë sportive, apo qoftë edhe të shembullit mbarëbotëror britanik. Për fat, ky një shembull i një vendi “borgjez”, madje një nga vendet më “borgjezë” të botës që është pra Britania e Madhe.

Ndalojeni ligjin për Loterinë Sportive. Mos e ngatërroni me kazino e të tjera loteri bixhozi a bastesh siç mund të dëshironi t’i quani. Veçojeni, bëjeni pronë të sportit kombëtar, dorëzojani, sigurisht me ligj, bie fjala, Ministrisë së Sporteve nëse keni një të tillë, apo Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar me pjesëmarrjen edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilat doni t’i përjashtoni nga kjo pjesëmarrje, siç po dëgjojmë. A thua iu mëson diçka edhe ky shkrim, i botuar këtu, në gazetën “Panorama”? Për të cilin mos kujtoni se kam ndonjë krenari. Krenaria pra, po ua merr mendtë shqiptarëve anë e kënd.

Mos e miratoni “projektligjin për rikthimin e basteve”. Vërtet, si nuk ua vret dëgjimin fjala “bast” që prof. Eqrem Çabej e përcakton me nënkuptimin si “të lidhurit me kusht” – “vëmë bast” – çka vërteton se lotaria sportive nuk është absolutisht “bast”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot