“O do të flasësh, o do të vdesësh”, Dëshmia tronditëse e ish-partizanit: Kapiteni dhe nëntogeri gjatë torturave pasi më zhvishnin lakuriq…

- Bota Sot

“O do të flasësh, o do të vdesësh”, Dëshmia tronditëse e ish-partizanit: Kapiteni dhe nëntogeri gjatë torturave pasi më zhvishnin lakuriq…

Antifashistët që ishin burgosur në Itali në rrethana të ndryshme, por që u liruan nga anglo-amerikanët në vitin 1943, pas largimit të misionit amerikan nga Tirana në nëntor 1946, pothuajse u burgosën të gjithë. Disa u dënuan me vdekje e, të tjerët me burgime. Ata duhej të pohonin se kryenin detyra agjenturore. Njëri nga të dënuarit, në procesin ku u dënuan me vdekje, Adem Dërhemi, Vahid Maçi, Njazi Bimi dhe Xhemal Farka, ishte edhe Faik Hajdari nga Përmeti. Ai u arrestua më 4.1.1947 dhe u dënua me 20 vjet burgim.

Në një letër dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, ai rrëfen hetuesinë e tij. Faiku, kish lindur në Përmet. Në kryeqytet erdhi në vitin 1940. Në janar 1943, së bashku me disa shqiptarë të tjerë, shkuan në Itali për kurse profesionale. Në kapitullim të Italisë, u zunë nga karabinierët dhe u burgosën. U lirua nga anglo-amerikanët.

Në kthim u bashkua me partizanët e Shkodrës, në gusht 1944, madje më 29.11.1944, me formimin e Brigadës së XXVII Sulmuese, në ishte pranuar anëtar i PKSH-së. Në hetuesi u pyet nga: Muço Saliu, Raqi Zavalani, Niko Bimli. Biografinë ia kish thënë disa herë, por ata donin “takimet” me Antoni Stivensin (të misionit amerikan), “kontratat”, etj.

Pjesë nga letra e Faik Hajdarit:

Pas tre ditësh e filluan me tortura. Gjithnjë i rezistoja. Kapiten Muçua e nëntoger Raqi, më thoshin se; o do të vdisja; o do të flisja. Këtu ke tre rrugë më thoshin: ‘O do flaç, o do vdeç, o do çmendesh, por ne të bëjmë të këndosh si bilbil, të nxjerrsh qumështin e nënës, që ke pirë’.

Unë gjithnjë rezistoja, por më kot. Torturat sa vinin shtoheshin për çdo ditë. Në pyetje më merrnin dy-tre herë në ditë. Ata më torturonin duke më rrahur, sa s’dija se ku isha. Pastaj më çonin në nevojtore. Më linin në këmbë, pa bukë, pa gjellë, pa ujë. Lakuriq në muajin janar e shkurt 1947, me ujë të ftohtë, etj.

Në këtë mënyrë zgjata 68 ditë. Gjatë kësaj kohe, u bëra si i çmendur, s’dija se ç’flisja. Oficerët hetues, kapiten Muçua e nëntoger Raqi, e gjetën rastin të shkruanin ato që donin prej meje e si i donin ata. Pas 68 ditësh fillova të flas gjëra të paqena. Të gjitha këto akuza të padrejta u detyrova t’i pranoja nga torturat.

Një ditë, kur m’i kënduan atë që kishin shkruar i mohova të gjitha duke thënë se s’janë aspak të vërteta, por i kam pranuar nga druri. Nga inati, kapiteni filloi përsëri drurin, të cilin e vazhdoi një muaj derisa u detyrova t’i pranoj. Me rastin e Bajramit në nëntor 1945 kisha ardhur me leje në Tiranë.

Kapiten Muço dhe nëntoger Raqin, më thoshin se kisha ardhur për të takuar Stivensin. Më pyesnin ku i çoja informatat dhe çfarë angazhimi kisha marrë me shokët e mi, Ramazan Ballata, Shefqet Kavaja, Osman Shkalla, Nikoll Bruka. Se informatat, ia jepnim shoferit, Masar Sojlit.

Më thoshin se i dinin këto të gjitha, por donin t’i dëgjonin prej meje. “Fol more i poshtër, apo kërkon të vdesësh si hero i Fultzit”. Unë i thosha që nuk dija gjë, ata më thoshin; ‘s’ka s’di gjë’. Gjatë kësaj kohe, korrenti bashkë me drurin vazhdonin. U detyrova të pranoja gjëra të paqena. Më thanë:

“Dëgjo këtu, se mos i mohoç përsëri se të marrim shpirtin. Ti je budalla, ne as duam, as kemi qëllim të të dënojmë, por duam të demaskojmë amerikanët. Prandaj pranoi se vetëm kështu do të bëç punën e mbrojtjes”. Unë u thosha të më sillnin letra t’i firmosja e shkruaja në to, sa të donin e ç’të donin, por jo më thoshin ata, do flisja e do shkruaja vetë.

Kapiteni më thoshte se po nuk i bëra këto e dija se çfarë më priste. Këto duhej t’ia thoja edhe shokëve, se kishim dërguar informata. Mirëpo gjeta rastin dhe i shkrova Ramazan Bellallës te dera e birucës, se më kishin detyruar të nënshkruaja gjëra të paqena, me anën e shkopit, por ai të mos pranonte, por po nuk duronte torturat, t’i pranonte. Në gjyq do thoshim të vërtetën.

Kur e mori vesh këtë kapiten Raqi, më lidhi këmbët e më la dy muaj lidhur ditë e natë, me një të katërtën e bukës dhe më tha të lëshoja një deklaratë, se çfarë i kisha thënë Ramazanit. Deklaratën ia lëshova kështu: “Ramazanit i kam thënë që prano, se të ngordhin në dru si mua”.

Nëntoger Nikua, donte të më ndërlikonte edhe me Kolë Kuqalin, tha se kemi bërë mbledhje, në shtëpinë e tij. Por atje unë shkova për ta ngushëlluar, për djalin e vrarë, të cilin e kam pasur shok. Donte të më lidhte edhe me Loni Adamin, Neni Radovickën, Spiro Ruçon…!

I rezistova të vërtetës, 21 ditë me radhë. Më merrte dy herë në ditë në pyetje. Më bënte këto tortura: jelekun, rrahje, më jepte ¼ e bukës, më linte pa bukë dy herë në 4 ditë, më lidhte me duar prapa me pranga në derën e birucës.

Nëntoger Nikua, erdhi pas gjyqit dhe më tha pse nuk pranova procesin. I thashë s’mund të pranoja atë, që s’ishte e vërtetë dhe që e shkruat ju me anën e dajakut. Atëherë nga inati më rrahu. /Memorie.al 



Lexoni të gjitha në Bota Sot