“Me armët tona luftoni armikun, jo të vrisni shqiptarët”- Çfarë i tha Enver Hoxhës gjenerali Wilson! Koha kur komunistët vendosën të zhduknin çdo rival

- Bota Sot

“Me armët tona luftoni armikun, jo të vrisni shqiptarët”- Çfarë i tha Enver Hoxhës gjenerali Wilson! Koha kur komunistët vendosën të zhduknin çdo rival

Marrëveshja e Mukjes është një ngjarje kyç në historinë e Shqipërisë, por dhe një çelës për të hyrë brenda saj, për të ndriçuar e shpjeguar fenomenet e ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore dhe të gjithë periudhës gjysmëshekullore që pasoi, është një mësim për të gjithë ata që duan të mësojnë nga historia, një mesazh i nevojshëm për sot dhe për të ardhmen.

Për të ndriçuar e shpjeguar fenomenet e ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore dhe të gjithë periudhës gjysmëshekullore që pasoi, është një mësim për të gjithë ata që duan të mësojnë nga historia, një mesazh i nevojshëm për sot dhe për të ardhmen.

Mbledhja e Mukjes, që ka dimensionet dhe vlerat e një kuvendi kombëtar, u zhvillua më datën 1–3 gusht të vitit 1943 . Në një kapërcyell kohësh: në prag të kapitullimit të Italisë fashiste dhe të pushtimit gjerman të Shqipërisë;. në një udhëkryq të historisë sonë: në prag të bashkimit kombëtar në luftën kundër okupatorëve, por edhe të ndarjes, të mosmarrëveshjes dhe të konfrontimit të madh brenda vetes, në një dualitet alternativash: nacionaliste apo komuniste, demokratike apo totalitariste, perëndimore apo lindore.

Për të ardhur deri në Mukje, u desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme e forcave kombëtare e demokratike, të cilat, të shqetësuara për fatet e Shqipërisë e të kombit në kushtet e pushtimit, kërkonin një zgjidhje, një levë të brendshme për t’i përballuar. Kjo levë ishte kodi shqiptar i besëlidhjes dhe i bashkëpunimit në rrezik.

Ndarja e madhe në dy grupime antagoniste të rezistencës shqiptare, ku përfshihej gati i gjithë populli, e kishte brenda mundësinë e bashkimit të përshpejtë, sidomos përballë pushtuesve nazifashistë, por e kishte brenda edhe rrezikun e konfliktit, sidomos përballë presionit sllavo–komunist; i kishte premisat objektive edhe për bashkëpunim, por edhe konfrontim midis tyre për pushtet, gjë që mund të sillte luftë civile. Përballë këtij rreziku të dyfishtë, e vetmja zgjidhje pozitive e shpëtimtare për Shqipërinë ishte bashkëpunimi midis dy grupimeve më të mëdha politike e ushtarake në luftë kundër armiqve të përbashkët të Shqipërisë, por edhe më tej.

Gjatë shekujve, shqiptarët kishin bërë marrëveshje historike për të ruajtur jetën, lirinë dhe integritetin territorial, siç janë Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Vlorës, Kongresi i Lushnjës etj. Ndryshe nga marrëveshjet e njëzëshme të mëparshme të shqiptarëve, Marrëveshja e Mukjes bashkoi për interesa madhore dy krahët më ekstremë të mendimit dhe të politikës shqiptare: Organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Frontin komunist Nacionalçlirimtar.

A mund të bashkoheshin dy të kundërtat, kur ishte në lojë interesi kombëtar? Po.

Së pari, sepse në këtë moment kritik bashkëpunimin e kërkonin të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë. Bashkimi ishte bërë nevojë e vullnet i një kombi. Në mos në Mukje, diku tjetër do të kryhej ky akt madhor, i mbarsur në kohë. Duhej një luftë e përbashkët antifashiste dhe jo një luftë e pjesshme, partiake.

Së dyti, sepse të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste: Fronti NÇ dhe organizata e Ballit Kombëtar, e konsideronin okupatorin si armik, shkelës të sovranitetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe si i tillë ai duhej luftuar.

Së treti, deri në Mukje grupimet kryesore politike ende e konsideronin njëri tjetrin si kundërshtarë politikë, por jo si armiq. Fakti që gjatë vitit 1943, ishin nënshkruar e arritur mjaft marrëveshje lokale dhe kërkohej me insistim nga populli dhe nga përfaqësuesit e të dy organizatave në bazë që ky mirëkuptim të vendosej edhe në qendër, fakti që deri në gusht të vitit 1943, çetat nacionaliste dhe ato partizane në përgjithësi nuk erdhën në përpjekje të armatosur midis tyre, madje zhvilluan mjaft beteja të përbashkëta si në Gjorm, Pocestë, Reç etj., vërteton frymën ekzistuese të mirëkuptimit e jo të konfrontimit mes shqiptarëve.

Së katërti, sepse zgjidhja e çështjes sonë kombëtare, doli si problem jetësor i kombit shqiptar, sidomos gjatë Luftës së Dytë, kur ishte bërë de fakto bashkimi i një pjese të mirë të trevave të Shqipërisë Verilindore me shtetin amë. Kërkesa për vetëvendosjen e popullit të Kosovës sipas parimit të Kartës së Atlantiut, u bë shprehje e vullnetit gjithë kombëtar, gjë që impononte e kapërcente edhe mospajtimet politike të grupeve kryesore të rezistencës. Edhe përfaqësuesit e Këshillit të Përgjithshëm NÇL në Mukje, megjithëse nuk e kishin në programin e tyre Shqipërinë etnike për arsyet që tashmë dihen, nuk dolën kundër dëshirës e vullnetit gjithëshqiptar për një Shqipëri të bashkuar etnike dhe, më në fund e pranuan këtë opsion. Në një letër të Miladin Popoviçit drejtuar Titos, në prag të Konferencës së Mukjes shkruhet ndër të tjera: “E tanë Shqipënia asht e okupueme prej këtij problemi”.

Së pesti, edhe situata ndërkombëtare në verën e vitit 1943 ishte më e favorshme. Koalicioni i madh antifashist po përparonte në luftën kundër nazifashizmit. Misionet aleate britanike kishin ardhur në Shqipëri dhe kishin kontaktuar si me Nacionalçlirimtaren ashtu edhe me Ballin Kombëtar, kërkonin bashkëpunimin mes tyre në luftë kundër ushtrive të Boshtit dhe e mbështetnin atë.

Për këto arsye, marrëveshja e bashkëpunimi gjithëshqiptar ishin plotësisht të mundshme. Është merita e vetëdijes kombëtare, përgjegjësia dhe angazhimi i figurave të shquara shqiptare, që në këtë situatë të brendshme e të jashtme të favorshme por edhe të rrezikshme për Shqipërinë, e kuptuan dhe e ndjenë nevojën e domosdoshme të bashkimit, e dëgjuan thirrjen për marrëveshje mbarëshqiptare dhe u përpoqën ta ngjiznin atë.

Mukja po trokiste në dyert e historisë shqiptare, se e kërkonte koha.

U bënë mjaft takime e konsultime paraprake ndërmjet eksponentëve kryesorë të të dy organizatave, por elementët kryesorë bashkues ishin Abaz Kupi nga Nacionalçlirimtarja dhe Ihsan Toptani nga nacionalistët.

Dokumenti më i rëndësishëm në rrugën drejt Mukjes ishte, pa dyshim, ai i datës 18 Korrik 1943, një mesazh i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar drejtuar Organizatës së Ballit Kombëtar, hartuar dhe firmosur nga Y. Dishnica, M. Gjinishi, A. Kupi dhe M. Peza, që shpreh parimet kryesore të Lëvizjes Nacionalçlirimtare mbi të cilat u arrit edhe mirëkuptimi. Ky dokument i rëndësishëm nuk është botuar më parë dhe është heshtur qëllimisht, sepse këto parime demokratike, si: lufta antifashiste ku të marrin pjesë gjithë atdhetarët pa dallim feje, krahine dhe ideje, moscenimi i pronës dhe i iniciativës private, zgjedhje të lira e demokratike pas shporrjes së pushtuesve, u shmangën më vonë.

Sipas procesverbalit të mbledhjes së Mukjes, të dyja organizatat u përfaqësuan nga këta delegatë:

Kryetarë delegacionesh ishin Mid’hat Frashëri dhe Ymer Dishnica. Kryetar i punimeve të Kuvendit u zgjodh me propozim të Nacionalçlirimtares, Thoma Orollogai, delegat i Ballit Kombëtar, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi i Nacionalçlirimtares.

Pas një debati prej tri ditësh, u arrit marrëveshja. Pika e parë e saj ishte krijimi i Komitetit “Për shpëtimin e Shqipërisë”. Atributet e tij të rëndësishme, flasin për një zgjidhje të re politike, për një përgjegjësi, pjekuri dhe angazhim të madh kombëtar të forcave politike kryesore në Shqipëri. Ky ishte forumi i parë pluralist në Shqipëri, si forma më demokratike e qeverisjes së botës së qytetëruar. Kjo mënyrë organizimi do të shtrihej edhe ne gjithë strukturat e bazës dhe do të unifikonte drejtimin, do të shmangte anësinë partiake, do të eliminonte përçarjen e antagonizmin, do të mënjanonte rrezikun e luftës civile, do të bashkonte në një front të përbashkët të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet politike, nga përkatësia partiake, fetare, krahinore, në luftë të përbashkët kundër okupatorëve dhe do të çelte udhën e demokracisë së vërtetë pluraliste perëndimore.

Në proklamatën e datës 3 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, paraqiti këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri Aleatëve të mëdhenj Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si edhe të popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar, me divizën rilindëse “Ja vdekje, ja liri”;

2. Luftë për një Shqipëri të Pavarur, luftë për zbatimin e parimit të njohur botërisht e të garantuara nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike;

3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore. Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë do të vazhdojë luftën duke udhëhequr popullin shqiptar në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore.

Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një Asambleje kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt.

E veçanta e Kuvendit të Mukjes ishte trajtimi me përparësi dhe kompetencë i çështjes sonë kombëtare në krizë, veçanërisht i Kosovës. Në Mukje u bë përpjekja e parë institucionale për zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas vullnetit të popullit shqiptar dhe në bazë të parimit universal të vetëvendosjes së kombeve. Përfaqësuesit kryesorë të Ballit dhe ata të Nacionalçlirimtares u shprehën se e konsideronin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore vetëm të pjesshëm dhe të realizuar dhunshëm nga okupatorët fashistë për interesat e tyre . Por ata ndaheshin kur rrihnin të përcaktonin qëndrimin ndaj momentit që aktualisht që po kalonte apo duhet të evoluonte ky proces.

Mid’hat Frashëri insistoi që çështja e Kosovës detyrimisht të trajtohej e të përcaktohej në këtë kuvend dhe të luftohej për zgjidhjen e saj të drejtë, sepse, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë, pas luftës, as që do të përmendej më çështja kosovare dhe Kosova do të ishte e humbur. Ai parashtroi që zgjidhja e statusit të saj të bëhej mbi të drejtën kombëtare të Shqipërisë etnike dhe mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, të garantuar nga Karta e Atlantikut.

Ky formulim respektonte vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe përjashtonte ndryshimin e kufijve me dhunë . Ky formulim harmonizohej edhe me politikën e Fuqive të Mëdha Antifashiste që kishin shpallur botërisht se nuk njihnin kufijtë e ndryshuar me dhunë nga pushtuesit nazifashistë, pra ishte njëherësh edhe një pohim edhe një bashkëreshtim në Frontin Antifashist Ndërkombëtar.

Një rol të rëndësishëm në arritjen e konsensusit luajtën sidomos Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Mustafa Gjinishi, Hysni Lepenica, Omer Nishani, Nexhat Peshkëpia e të tjerë.

Vendimet e Konferencës së Mukjes ishin të qenësishme, jo vetëm për momentin historik, por edhe për ardhmërinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar, sepse ato konfirmonin bashkimin dhe jo ndarjen, siguronin luftë të përbashkët kundër çdo okupatori, për një Shqipëri të lirë e të pavarur, mundësonin në të ardhmen një Shqipëri demokratike dhe rreshtimin përbri Aleatëve të mëdhenj Antifashistë, por edhe përcaktonin rrugën më të drejtë për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.

Ky program i përbashkët u arrit, pasi të dyja përfaqësitë u treguan tolerante dhe i bënë lëshime njëra tjetrës. Në këtë pikë, Mukja është edhe shembull i mendimit e i veprimit demokratik si pjesëmarrje, bisedim konstruktiv e tolerancë të admirueshme, një kompromis e një zotim i përbashkët. Është një model i dialogut kombëtar, i debatit dhe i mirëkuptimit. Aleanca që u arrit në Mukje, premtonte se edhe në të ardhmen forcat politike shqiptare do të merreshin vesh midis tyre për çështjet themelore. Mukja ishte triumfi i shqiptarizmit mbi nacionalshovinizmin dhe internacionalizmin proletar, i ndërgjegjes dhe i veprimit kombëtar mbi atë antikombëtar, i drejtimit progresist perëndimor mbi atë lindor, aziatik e bizantin, i platformës thellësisht demokratike mbi atë totalitare, fashiste apo komuniste.

Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943 një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë Shtamës kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat.

PROKLAMATË

”Çetat vullnetare partizane të Ushtrisë NÇ dhe çetat e Ballit Kombëtar nën komandën e majorit Abaz Kupi më datën 4 të gushtit 1943, në orën 10.00, mbasi muarën, vesh se ushtria italiane shkonte për në Mat, u nisën për t’i prerë rrugën në të gdhirë. Kur çetat mbërritën në këtë vend, ushtria armike, mbasi dogji disa shtëpi që ndodheshin afër rrugës si dhe komunën dhe zyrën e botores, kaloi dhe po i afrohej Qafë-Shtamës. Mbasi çetat nuk mund të arrinin në kohë, në ato pozita ku do t’i pritnin, u detyruan të ecnin gjithë natën dhe si kaluan malin e Liqenit, i dolën përpara në kufirin e Matit, dy km afër QafëShtamës.

Plot në orën 7:10 të ditës së nesërme, ushtria italiane e përbërë prej 750 vetave, mbërriti në vendin e pritjes e përnjëherësh filloi luftimi, i cili zgjati 3 orë rresht dhe mbaroi me shpartallimin e plotë të ushtrisë armike.

Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A. P. Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje të fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 prillit 1939. Është kapur një material kolosal. Të numëruar deri tani janë: një mortajë e rëndë me gjithë municione, 6 mitraloza të rëndë komplet me municione, 10 mitralozë të lehtë dhe mjaft municione për to,160 armë lufte, 7 radio fushore marrësedhënëse, 5 kuaj. Gjithashtu janë marrë revolverë, materjal sanitar, batanije e materiale të tjera të ndryshme. Humbjet tona janë një i vrarë dhe dy të plagosur.”.

KOMITETI PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË (AQSH, F.270, D.5, V.1943)

Kjo luftë, dy ditë pas Mbledhjes së Mukjes, tregoi se kjo nuk ishte një shprehje historike, por një realitet, nuk ishte vetëm një marrëveshje në letër, por edhe një marrëveshje konkrete për bashkëpunim në luftë, nuk ishte një tradhti që, sipas E. Hoxhës, binte ndesh me interesat e Luftës antifashiste, por ishte një lidhje bese në dobi të luftës çlirimtare dhe të çështjes kombëtare, nuk ishte një gjë formale e një “grackë”, siç thoshte E. Hoxha, po një vendim e një veprim i vullnetit të një populli; ishte, në fund të fundit, një ndërgjegje e kthyer në lëvizje e forcave partizane dhe atyre nacionaliste, që luftuan së bashku si shqiptarë e si vëllezër kundër okupatorëve, nën drejtimin e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë.

Enver Hoxha, nën presionin e emisarëve të PKJ në Shqipëri, prishi dhe shkeli në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare Marrëveshjen e Mukjes.

Marrëveshja e Mukjes prekte sidomos interesat dhe synimet e qarqeve shoviniste serbomëdha që sundonin në PKJ, të cilat kërkonin përjetësimin e pushtimit serb të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, si edhe nënshtrimin e plotë të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Prandaj, edhe prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes ishte kryesisht rezultat i ndërhyrjes jugosllave , të cilës nuk i interesonte kurrsesi marrja dhe plotësimi i atyre vendimeve. Reagimi i shpejtë e i vendosur i kolonit malazez në Kosovë, M. Popoviçit, ishte i kuptueshëm. Kur aktet e marrëveshjes së Mukjes iu dorëzuan “mentarit” të Enverit, ai i tërbuar i grisi ato, i bëri copë-copë dhe ia hodhi në surrat Enver Hoxhës.

Kjo ndërhyrje brutale e Partisë Komuniste Jugosllave në punët tona të brendshme vërtetohet edhe nga një letër që udhëheqësi real i PKSH, M. Popoviçi, i dërgoi Titos: “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇL që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes”.

E. Hoxha, nën diktatin e M. Popoviçit, me të cilin ishte në Vithkuq, pa përfillur Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili kishte nënshkruar me Ballin Kombëtar Marrëveshjen e Mukjes, pra, pa mbledhur dhe pa marrë mendimin e Këshillit të Përgjithshëm Nçl, më datën 8 gusht 1943, si një partiak u dërgoi një letër –qarkore shokëve të partisë së Vlorës, Gjirokastrës etj., “Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të”.

Shkak tjetër kryesor për prishjen e njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes ishte çështja e pushtetit. Synimi i pushtetit është një akt normal në çdo kohë, por vendimi i PKSH për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, duke shkelur edhe vendimin e Mukjes se çështja e pushtetit do të zgjidhej pas luftës me zgjedhje demokratike. Kjo solli edhe luftën civile në Shqipëri, pasoja më tragjike e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

Luftën civile e ka pohuar edhe vetë E. Hoxha: “Në Veri, parulla “O me ne, o kundër nesh ishte gjithë politika e shokëve, por edhe kur shihej se kishte mundësi të punohej me njerëz që kishin qëndruar jashtë Frontit, përgatitnin terrenin jo për marrëveshje por për t’i zhdukur këta njerëz nga prapa. Në Lumë po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike katundarë, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë i pushkatojnë. Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë, të cilët duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është i tëri toni që i është dhënë punës organizative të Partisë dhe ushtrisë … Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin edhe anëtarët e Partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”. Lufta civile ndërmjet shqiptarëve e dobësoi dhe e shmangu luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Luftime të përgjakshme u zhvilluan sidomos në qarkun e Vlorës, Mallakastrës, Korçës, Matit, Dibrës, Kukësit, Lumës, Shkodrës, Mirditës etj. Vetëm në Malësinë e Madhe lufta frontale ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe malësorëve të Kelmendit vazhdoi një muaj e gjysmë, me viktima të shumta nga të dy palët ndërluftuese. Vetëm kur brigadat NÇ u futën nga Jugosllavia dhe me ndihmën e Jugosllavëve, atëherë u thye rezistenca ne Malësinë e Madhe.

Edhe misionarët e huaj ushtarakë e kanë vëzhguar dhe raportuar luftën civile sipas optikës dhe interesave të tyre, po të gjithë e kanë pranuar si një realitet të hidhur.

“Mendoja të ndaloja gjakderdhjen e popullit shqiptar, por nuk ia arrita dhe këndej e tutje unë nuk do të përzihem në vëllavrasjen tuaj”, i thotë Gjenerali Dejvis E .Hoxhës.

“Komunistët vendosën të zhduknin çdo rival të mundshëm, para se të ndodhte zbarkimi i pritshëm i Aleatëve, konstatonte britaniku Xhuliano Emeri. Për këtë arsye ata i drejtuan të gjitha energjitë e tyre kundër Ballit Kombëtar, pjesëtarët e të cilit ishin natyrisht armiqtë e tyre të klasës. Ballistët, nga ana e tyre, reflektuan në pranimin e kësaj ndeshjeje dhe marrëdhëniet ndërmjet dy organizatave u keqësuan shpejt, deri në fillimin e përleshjeve të armatosura”.

“Taktika e komunistëve ishte t’i shpallnin armiq ata që s’mendonin njëlloj apo që nuk bashkoheshin me ta”, shkruante britaniku Deivid Smajl.

Edhe gjenerali Uilson, komandanti suprem i ushtrisë Aleate të Mesdheut, kërkonte nga E. Hoxha: “Më duhet t’ju vë në dukje se armët dhe furnizimet që ju dërgojmë, janë të destinuara vetëm për një qëllime pikërisht për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj që ju t’i përdorni këto armë për të vrarë dhe likuiduar bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike”.

Lufta civile në Shqipëri, që nisi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe vazhdoi përgjatë tre muajve të fundit të vitit 1943, kulmoi në vitin 1944. Viti 1944 ishte viti i përgjakshëm i luftës civile ndërmjet shqiptarëve, që shkaktoi me mijëra viktima, shkatërrim të plotë të vendit, ekonomisë dhe të jetës, ndarjen nga Perëndimi dhe kyçjen në Perandorinë komuniste të Lindjes.

Udhëheqësia doktrinore e PKSH dënoi për tradhti delegatët e saj në Kuvendin e Mukjes, edhe pse i kishte autorizuar për marrëveshje. Mustafa Gjinishi u dënua me vdekje dhe u vra në vitin 1944 në një pritë të organizuar nga E. Hoxha, Ymer Dishnica, një nga protagonistët e shquar të Marrëveshjes së Mukjes, u dënua me burg dhe mandej me internim, po ashtu edhe disa nga delegatët e tjerë të Nacionalçlirimtares. Gjithashtu, i quajti tradhtarë e kolaboracionistë delegatët e Ballit Kombëtar, me të cilët lidhi marrëveshje bashkëpunimi pak ditë më parë. Madje, nisi mësymjen e armatosur për asgjësimin e tyre. Pasojat e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe të Luftës civile vazhduan për gjysmë shekulli komunizëm, por ndjehen e dhe sot, në ndarjen dhe politikën e sotme konfliktuale, në urrejtjen dhe armiqësinë, mungesën e kompromisit e të bashkëpunimit për interesat e popullit dhe ato kombëtare.

Shqipërisë i duhet një Mukje tjetër, që t’i bashkojë shqiptarët në përpjekjen e tyre për një Shqipëri të pavarur, të lirë e demokratike, për integrimin brenda vetes dhe integrimin në familjen e madhe Evropiane. Mesazhi i Mukjes është aktual: shqiptarë, e mira dhe interesi i Shqipërisë, i kombit shqiptar dhe i çdo shqiptari kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin për interesat madhore të Shqipërisë e të kombit, dhe jo ndarjen dhe armiqësinë, interesat personale dhe luftën e paprinciptë. Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një kombi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot