Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Dokle: Gora dhe legjendat e saj...

- Gazeta Telegraf

Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Dokle: Gora dhe legjendat e saj...

Para pak ditësh, shtëpia botuese “TOENA”, botoi librin “Vallëzim me Hënën”, të shkrimtarit Namik Dokle, në të cilin përfshihen 52 legjenda të Gorës. Në parathënien e librit autori shkruan:Me gjasë, legjenda më e lashtë e Gorës është ajo e ditës kur Zoti thirri nga një njeri për çdo krahinë, për t’u dhënë secilit diçka nga të mirat e kësaj bote. I fundit, nga gjithë të thirrurit, arriti Njeriu nga Gora. Ndërkohë, gjithë të tjerët kishin mbaruar punë; kishin marrë atë që u dhuroi Zoti dhe po ktheheshin për në krahinat e tyre, të afërta, apo të largëta. Kur pa goranin, Zoti u habit.

“Nga vjen?”- e pyeti.

“Vij nga fundi i botës”-i tha ai, “ nga Gora.”

“Erdhe vonë”, i tha Zoti, “ unë i ndava gjithë të mirat që kisha.”

“O Zot, unë bëra nëntë ditë dhe nëntë net rrugë deri te oborri yt, mos më kthe duarbosh.”

Zoti hodhi sytë nëpër oborr, mori një gur dhe ia dha. “Këtë kam dhe po ta jap me gjithë zemër, ndoshta pak gjëra do të keni në jetë, por gurët e maleve tuaj do t’i doni shumë.”

Këtë dhe disa legjenda të tjera të Gorës, po ua tregoja një mbrëmje, në Madrid, botueses Cristina Herrero dhe përkthyeses María Roces Gonzales, kur sapo ishim kthyer nga Instituti Cervantes, pas prezantimit të romanit “Vajzat e mjegullës”. Në një moment, Cristina më tha:

-Pse nuk shkruan një libër me Legjendat e Gorës; do ta botoja me shumë dëshirë.

-Edhe unë do ta përktheja me kënaqësi- tha María.

Dhe aty, në Sagasta, një rrugë e njohur madrilene, lindi idea për ta shkruar dhe botuar këtë libër…

Dhe ku është kjo Gora, banorët e së cilës, e mendojnë se është në fund të botës? Është në mes të Europës. Viktimë e historisë, kjo krahinë me 29 fshatra, me një etnokulturë shpirtërore dhe materiale të veçantë, është e ndarë në tre shtete ballkanike: 9 fshatra në Shqipëri, 18 në Kosovë dhe dy në Maqedoninë e Veriut. Kjo ndarje u bë pas Luftës së parë Botërore; një komision ndërkombëtar i fuqive të mëdha europiane, nëntë fshatra ia la Shqipërisë, ndërsa njëzetë të tjerë ia kaloi mbretërisë së atëhershme jugosllave. Kjo ndarje u bë edhe më e egër gjatë periudhës komuniste, kur Shqipëria e Enver Hoxhës dhe Jugosllavia e Titos, i mbyllën hermetikisht kufijtë ndërmjet tyre dhe një pjesë e Gorës kishte mbetur nën Serbinë. “Tito andej, Enveri këndej, mjegulla në mes!”, thoshin goranët atëherë. Një ndarje makabre e njerëzve, familjeve, e vuajtjeve dhe gëzimeve farefisnore. Nëna ime jetoi disa dekada me shpresën që të shihte dy motrat e saja, të martuara matanë vijës ndarëse të caktuar nga Komisioni Ndërkombëtar, por vdiq pa i parë.

Në hartën gjeografike, Gora ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në ekstremin jugor të Kosovës dhe në perëndim të Maqedonisë së Veriut. Gjendet thuajse e baraslarguar nga tre qytete të tre shteteve: Kukës, Prizren dhe Tetovë. Është e rrethuar nga male të lartë dhe bjeshkë alpine të mrekullueshme ( Gjallica, Tërfoja, Kallabaku, Koritniku, vargmalet e Sharrit etj.) Fqinjëron me krahinat e Lumës (Shqipëri), Opojës (Kosovë), Pollogut (Maqedonia e Veriut) etj.

Gora, në kufijtë e saj etnografikë tradicionalë, paraqet një unitet gjeografik, ekonomik dhe historiko-kulturor. Të paktën që në vitin 1348 gjendet me këtë emër në dokumentet e historisë së Ballkanit. Por origjina e goranëve me siguri është më e lashtë, por e padokumentuar historikisht. Megjithatë, gjurmët e kësaj lashtësie nuk janë të pakta. Dihet prej gjithkujt se, përveç emërtimit të përgjithshëm e të njohur zyrtarisht si “goranë”, për banorët e kësaj krahine përdoret edhe emërtesa “torbeshë”. Studiuesi dhe shkrimtari shqiptar Dhimitër Shuteriqi, duke iu referuar historianit bizantin të shekullit të XIV, Halkokondil, bën të ditur se ky ishte njeri prej emrave me të cilin thirreshin pjesëtarët e lëvizjes heretike bogomile të shekullit të X, të përndjekur egërsisht nga kisha zyrtare e Ballkanit, nga lindja drejt perëndimit. Bogomilët përfaqësojnë një ndër sektet mesjetare, lëvizjen masive heretike (e quajtur edhe herezi e re) që u përhap me shpejtësi në Ballkan, Bizant, Europë, Azi të Vogël etj. dhe që për afro pesë shekuj pati ndikime të fuqishme në jetën filozofike, religjioze, social-politike dhe kulturore të këtyre hapësirave. Heretikët bogomilë mbronin idenë dualiste të ekzistencës së dy Zotave; një i mirë dhe një i keq, mbetjet e së cilës i hasim edhe sot, aty-këtu, në krahinën e Gorës. Pas ardhësve të parë bogomilë, në ato vise të shkretuara, kanë ardhur edhe shumë banorë të tjerë edhe nga zona të ndryshme, ( të quajtur “doshlanë”- të ardhur së voni), të cilët u mirëpritën dhe u përthithën nga goranët, me paqe dhe dashamirësi.

Gjuha që flasin goranët është një sllavishte arkaike, e pakultivuar në shkolla dhe në libra, e “përmbytur” nga struktura gramatikore dhe fjalë të maqedonishtes, serbishtes, bullgarishtes, shqipes dhe turqishtes. Madje, edhe politikisht, popullsinë gorane e pretendojnë katër shtetet, ndërsa Turqia e konsideron si “amanetin” e vet. Por goranët e quajnë veten “nashinci” ( “tanët”) dhe gjuhën e tyre e quajnë “nashinski” ( “gjuha jonë”).

Po si ka mundur të mbijetojë kjo gjuhë dhe kulturë e veçantë, kur në asnjë libër nuk shkruhej, në asnjë shkollë nuk mësohej, në asnjë radio apo televizion nuk transmetohej?! Ajo ka jetuar dhe jeton përmes këngëve, balladave dhe legjendave të saj, përmes traditave dhe zakoneve të mira mijëravjeçare. Sot e kësaj dite, në shumë fshatra të Gorës, vajzat mblidhen çdo mbrëmje para portave të tyre dhe këndojnë këngët e tyre lirike, në të cilat kuvendojnë me djemtë, me zogjtë, me yjet dhe hënën, i shprehin qiellit dhe tokës dëshirat dhe vuajtjet, ëndrrat dhe zhgënjimet e jetës. Dasmat e Gorës janë festivale të mirëfillta të këngës, valles dhe të kulturës materiale të saj. Edhe pse të myslimanizuar, sot e kësaj dite, festa më e madhe e tyre është Shën Gjergji, që festohet jo pak, por pesë ditë më radhë.

Copëza të kësaj kulture (“jetime, por e pavdekshme”) janë edhe Legjendat e Gorës, që i paraqiten për herë të parë lexuesit. Ato shprehin dhe shpjegojnë, me sinqeritet të jashtëzakonshëm, konstitucionin shpirtror, kulturor dhe filozofik të kësaj krahine, të njerëzve të saj, punëtorë e të paqtë, që kurrë nuk i hyjnë në hak tjetrit, ndërkohë stoikë në mbrojtje të asaj çka u përket prej shekujsh. Edhe pse varfëria i ka detyruar të bredhin botën si emigrantë, vendlindjen e tyre nuk e harrojnë kurrë, e duan me shpirt, ashtu siç e thotë legjenda e parë e tyre. “ Këtë vend, thonë ata, e kemi dhuratë nga Zoti, prandaj kurrë nuk na ndahet zemra prej tij.” Folklori i Gorës karakterizohet nga lirika, më shumë se nga epika. Ata këndojnë dhe tregojnë legjenda më shumë për dashurinë se për luftën, më shumë për viktimat e historisë se për heronjtë e saj, më shumë për vajzat që me këngët e tyre mbajnë gjallë një kulturë të rrezikuar se për kalorës me shpata dhe pushkë.

Disa nga legjendat e këtij libri vijnë ashtu siç tregohen, sot e kësaj dite, nga më të moshuarit dhe pasionantët e folklorit goran, të tjera janë të mbështetura mbi subjekte balladash të njohura të Gorës dhe një pjesë e vogël janë ringjallur nga kujtime të pjesëshme, apo nga copëzat e mbrame të legjendave në humbje, drejt harresës. Jam thellësisht mirënjohës për Cristina Herreron dhe Maria Roces Gonzalesin që më nxitën dhe ndihmuan për të nxjerrë në dritë këto perla të shpirtit të Gorës.
       



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf