Analisti serb: Vuçiq dhe Lista Serbe do t’i tradhëtojnë deri në fund serbët e Kosovës

- Bota Sot

Analisti serb: Vuçiq dhe Lista Serbe do t’i tradhëtojnë deri në fund serbët e Kosovës

Analisti serb, Branisllav Kërstiq, ka thënë se në amplitudën e tradhëtisë të interesave të serbëve në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, së bashku me Listën Serbe janë duke shkuar deri në fund.

Sipas tij, serbët e veriut do ta bojkotojnë votimin për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore që pritet të mbahet të dielën, pasi kryetari i Serbisë insiston për bojkot të këtij procesi.

Në lidhje me arrestimet e qytetarëve kosovarë nga ana e Serbisë, djegies së veturave në veri, refuzimin që institucionet arsimore të shërbejnë si qendra të votimit të dielën, Kërstiq tha se e tëra është lojë e Vuçiqit dhe shfaqje e Beogradit zyrtar, që shërben vetëm për konsum të brendshëm.

Ndërkaq, sa i përket mundësisë së tensionimit të situatës dhe provokimeve apo krijimit të incidenteve nga grupe të caktuara të dielën në veri, ai për KP theksoi se nuk do të ketë asnjë incident, sepse popullata lokale thjesht do ta injorojë këtë proces.

Kërstiq: Votimi për shkarkimin e kryetarëve do të jetë i injoruar nga popullata lokale

‘Qytetarët nga veriu i vendit janë viktima të politikave të kabinetit të kryetarit Vuçiq, që do të thotë jemi në një shfaqje në të cilën ai (Vuçiq) insiston për bojkot. Jo vetëm Lista serbe, por edhe aktivistët, partitë dhe iniciativat opozitare janë në të njëjtën linjë… Parashtrohet pyetja, për çka atëherë (Vuçiq – Lista Serbe) i kanë obliguar qytetarët për ta nënshkruar peticionin. Në amplitudën e tradhëtisë ndaj interesave të komunitetit serb në Kosovë, ata janë duke shkuar deri në fund. Jemi dëshmitarë gjatë 12 viteve të fundit se Beogradi zyrtar është duke marrë vendime kundër interesave të komuniteit serb… Serbët do ta bojkotojnë (votimin të dielën) sepse Beogradi zyrtar ka mekanizmat qysh me i kontrollu serbët nga veriu i vendit… Shfaqje dhe lojë politike e Beogradit zyrtar… Kjo është vetëm një lëvizje sa për opinionin e brendshëm në Serbi… Kemi tensione, është e kuptueshme dhe shumica e këtyre tensioneve janë të dirigjuara nga Beogradi zyrtar. Mirëpo, kohët e fundit, flas për gjashtë muajt e fundit, pas tragjedisë në Bajnskë, ne kemi edhe grupe me interesa politike të ndryshme të cilat bëjnë pjesë në djegien e veturave edhe të pjesëtarëve të Listës serbe, mbase ekziston opsioni që Lista Serbe vetë është duke i djegur veturat e tyre, sepse për ta dy-tre mijë euro nuk janë asgjë, për ta tensionuar veriun e vendit… Nuk do të kemi asnjë incident (të dielën)… Votimi për shkarkimin e kryetarëve do të jetë i injoruar nga popullata lokale dhe do ta kemi një atmosferë pothuajse të njëjtë sikurse kur kryeministri Kurti ka vizituar veriun e vendit’, ka thënë Kërstiq.



Lexoni të gjitha në Bota Sot