Vuçiq: Serbia e SHBA bien dakord për pak gjëra për Kosovën

- Bota Sot

Vuçiq: Serbia e SHBA bien dakord për pak gjëra për Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se për vendin e tij ka tema shumë të vështira në tryezë, teksa sa i përket Kosovës, ai shtoi se Serbia dhe SHBA bien dakord për pak gjëra.

"Ne pajtohemi se është shumë e rëndësishme që paqja dhe stabiliteti të ruhen. Dhe nga pala serbe premtova se Serbia do të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet", tha Vuçiq në një konferencë për media pas takimit me ndihmës Sekretarin e Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, James OBrien në Beograd.

Vuçiq tha se i është mirënjohës OBrien për qëndrimin e tij të qartë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova të përmbushë obligimin për formimin e asociacionit.

“Ai detyrim është i madh dhe i fortë, prej 11 vitesh është një letër e vdekur. Të gjithë në komunitet po na gënjejnë – edhe Prishtina edhe evropianët. Ndoshta askush nuk na gënjen, por pas 4000 ditësh nuk bënë asgjë, për dallim nga serbët që bënë gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit, madje edhe disa nga Marrëveshja e Ohrit”, tha Vuçiq.

Ai tha se Kosova “ka imponuar gjëra të reja në dëm të popullit serb”, duke përmendur heqjen e dinarit. Sipas tij, “për këtë Kosova do të shpërblehet me anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Unë thashë se ne e dimë që jemi të vegjël, se Amerika është superfuqi, por ne do ta kundërshtojmë këtë dhunë ndaj shtetit dhe popullit serb sa të mundemi dhe do ta luftojmë. Humbur-humbur, çfarë të bëjmë”, tha Vuçiq.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës para tri ditësh mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Pro Kosovës votuan 131 deputetë, kundër 29 dhe 11 abstenuan. Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia kundër hyrjes së Kosovës në KiE nuk u miratuan dhe si të tilla u hodhën poshtë.

Çështja tash kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët do të vendosin në muajin maj nëse Kosova do të bëhet anëtarja e 47-të e organizatës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot