Kolanës “Ditari i Tranzicionit” nga Akademik Anastas Angjeli i akordohet çmimi “ Vepra më e mirë studimore e vitit”

- Gazeta Telegraf

Kolanës “Ditari i Tranzicionit” nga Akademik Anastas Angjeli i akordohet çmimi “ Vepra më e mirë studimore e vitit”

Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në ambientet e Akademisë së Shkencave, Akademik Anastas Angjeli me kolanën e tij “Ditari i Tranzicionit” është shpallur fituesi i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024, çmim që jepet për veprën më të mirë studimore. Në ceremoninë e organizuar, morën pjesë studiues, akademikë të njohur, ekspertë të ekonomisë, gazetarë e profesorë.

Akademiku Mehmet Kraja kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës bëri të ditur çmimin për  kolanën e Akademik Anastas Angjelit , të cilën e cilësoi një vepër madhore, e cila sjell në vëmëndje historinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë pas viteve 90’.

Panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor, vjen si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar mbarëkombëtar.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushi falënderoi e përgëzoi akademik Angjelin për punën e veprimtarinë e tij sistematike e profesionale.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli u shpreh se: -Kemi shumë nevojë për zërin e akademikëve, profesorëve, mendimtarët, njerëzit e librit , ato që na çojnë gjithmonë përpara në rrugët e dijes. Jam shumë e lumtur që këtë vit ky çmim në bashkëpunim me dy akademitë, atë të Shkencave të Shqipërisë dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës shkon për një figurë të rëndësishme të historisë së mendimit ekonomik shqiptar në këto tre dekadat e fundit si Akademik Anastas Angjeli.

Kolana “Ditari i tranzicionit”, me 8 vëllime, nga Akademik, Prof.Dr Anastas Angjeli. Kjo kolanë, si përmbledhje e ngjarjeve ekonomike në Shqipëri, për 30 vjet, vjen pak muaj pasi profesori mori çmimin “Eqerem Çabej”, çmim më i rëndësishëm shkencor që akordohet nga Akademia e Shkencave. /Përgatiti Biora Vojka 



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf