Bërnabiq po investon në Kishën Ortodokse në veri të Kosovës

- Bota Sot

Bërnabiq po investon në Kishën Ortodokse në veri të Kosovës

“Dialogu për Paqe”, shkruan në tabelë, por shumë afër saj, dikush duket se nuk po do paqe.

Kisha Ortodokse “Shën Dhimitri”, në Mitrovicë të Veriut, po akuzohet se ka uzurpuar tri prona të komunës, e madje edhe rrugën me të njëjtin emër “Shën Dhimitri”, duke bllokuar qarkullimin për automjete në këtë pjesë.

Për ta vazhduar rrugën e tyre, disa automjete kanë zgjedhur një rrugë alternative, duke kaluar përmes një parku, pasi që porta që nga vendosja e saj nuk u hap më. Dryni i vendosur në këtë portë, rrethon parcelat të cilat mitrovicasit insistojnë se i takojnë shtetit të Kosovës.

Bëhet fjalë për parcelën me numër kadastral 02729, e cila ishte në pronësi të ish-ndërmarrjes Shoqërore “Urbanizmi”, dhe parcelat me numra kadastral 2733 dhe 2734, të cilat, sipas informacioneve që posedon Kiks Kosova, janë në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Madje, për parcelën e ish-ndërmarrjes “Urbanizmi”, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte hapur dy herë procedurat për privatizimin e saj dhe në të dyja rastet proceset ishin anuluar.

Tani, në këtë parcelë dhe në të dy parcelat e tjera, Kisha Ortodokse Serbe ka ngritur disa objekte, të cilat janë në shërbim të saj, duke e lënë enigmë mënyrën se si arriti të merrte pronësinë e këtyre pronave.

Ndërtimi i Qendrës Interaktive Multimediale dhe të ashtuquajturës “Akademi Shpirtërore” u financua nga Qeveria e Serbisë. Shiritin e tyre, më 27 qershor të 2022-ës, e preu drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, Petar Petkoviq dhe kryetari i atëhershëm i Komunës Paralele të Mitrovicës, Aleksandër Spiriq.

Për ndërtimin e saj, mediat serbe raportuan se Qeveria e Serbisë, përmes të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, kishte investuar mbi 100 milionë dinarë, që i bie më shumë se 853 mijë euro.

Ditën kur u përurua, Petkoviq kishte njoftuar se në kuadër të Akademisë Shpirtërore do të vendosen Muzeu i Qytetit të Mitrovicës së Veriut, biblioteka e këtij qyteti dhe Qendra Kulturore “Dragica Zarkoviq”.

Për projektin që kushtoi rreth 1 milion euro, Petkoviq ia dha meritat kryeministres serbe, Ana Bërnabiq. Një projekt i tillë sipas tij, pasqyron kujdesin që Serbia sipas tij e ka ndaj serbëve të Kosovës.

Vetëm dy muaj më vonë, më 5 shtator të 2022-ës, ajo që u vlerësua si më meritorja për këtë projekt, erdhi në vizitë. Ani pse në përurimin e këtij objekti u tha se qendra është konceptuar si një hapësirë ku të rinjtë serbë të Mitrovicës së Veriut do të zhvillojnë idetë e tyre inovative në fushën e teknologjisë, në vizitën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, pati hapësirë edhe për fjalime nacionaliste.

Petkoviq para Bërnabiqit, tha se prania e shtetit serb në këtë pjesë të Kosovës për banorët e komunitetit serb të saj është më e rëndësishme se uji dhe buka për ta.

Ndërkaq, Bërnabiq tha se në vitet e fundit, Serbia ka investuar në Kosovë më shumë se sa që u investua për 40 vjet.



Lexoni të gjitha në Bota Sot