FSHF lançon strategjinë e Qëndrueshmërisë. Presidenti Duka: Futbolli ndikon në përmirësimin e jetës

- Gazeta Telegraf

FSHF lançon strategjinë e Qëndrueshmërisë. Presidenti Duka: Futbolli ndikon në përmirësimin e jetës

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi këtë të martë në stadiumin “Air Albania” eventin e rëndësishëm të lançimit të Strategjisë së Qëndrueshmërisë “Ndërtimi i Urave Lidhëse përmes Futbollit”. Një strategji që paraqet planin e FSHF-së për të adresuar zgjidhjen e sfidave komplekse që mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit me të gjithë aktorët në fushën e futbollit.

Të pranishëm në këtë event madhor dhe shumë të rëndësishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Drejtuesi i Qëndrueshmërisë në UEFA, Michele Uva, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Përfaqësuesi i UN Woman në Shqipëri, Michele Ribotta, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë, Fiona Mccluney, Ambasadori i FSHF-së për përgjegjësinë sociale, Jonid Ferhati si edhe përfaqësues klubesh, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare, gazetarë, personalitete e legjenda të futbollit shqiptar, etj.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni u shpreh se strategjia “Ndërtimi i Urave Lidhëse Përmes Futbollit” është shumë i rëndësishëm për të sensibilizuar çdokënd që t’i bashkohet iniciativave të FSHF-së për të ndikuar më përmirësimin e jetës në përgjithësi. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar nënvizoi se nëpërmjet fuqisë që ka loja e futbollit, FSHF-së do të tentojë të bashkëpunojë me të gjithë për të realizuar objektivat konkrete të kësaj strategjie.

“Faleminderit që keni ardhur sot në këtë ceremoni të prezantimit të strategjisë së FSHF-së, që emërtohet ‘Ndërtimi i Urave Lidhëse përmes Futbollit’. Që futbolli është loja më e bukur në botë, kjo nuk ka asnjë diskutim dhe çdo ditë e më shumë futbolli po bëhet ndikues edhe në përmirësimin e jetës. Për këtë jemi këtu sot në këtë ceremoni kaq të madhe, për të sensibilizuar çdokënd që t’i bashkohet iniciativave tona dhe strategjisë sonë për të ndikuar më përmirësimin e jetës në përgjithësi.

Dy janë çështjet kryesore të njerëzimit sot: përmirësimet mjedisore dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Përmes kësaj strategjie ne jemi munduar që të bëjmë një program të përcaktuar me objektiva të qarta për të realizuar dhe për të ndihmuar në përmirësimin e këtyre çështjeve.

Federata e Futbollit ka bërë vazhdimisht aktivitete me përgjegjësi sociale. Dhe përmes këtij aktiviteti sot, ne duam që të sensibilizojmë shoqërinë shqiptare që t’ bashkohet iniciativës tonë.

Kjo strategji quhet “Ndërtimi i Urave Lidhëse përmes Futbollit” sepse ne, nëpërmjet fuqisë që ka loja do të tentojmë të bashkëpunojmë me çdo faktor, aktor e shoqatë për të realizuar objektivat konkrete të kësaj strategjie. Nuk jam i sigurt nëse do të fitojmë me Italinë apo nëse do të kalojmë grupin në Europian, por jam mëse i sigurt që do të realizojmë dhe do të tejkalojmë çdo objektiv që i kemi vënë vetes dhe do të ndikojmë fuqishëm për të bashkuar të gjithë faktorët në përmirësimin e jetës përmes futbollit.

Pa u zgjatur, dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Michele Uva-n, i cili e drejton këtë gjë në të gjithë Europën dhe është sot në Shqipëri dhe këtë projekt e shpërndan nëpërmjet skuadrës së tij në të gjitha skuadrat e federatave anëtare për përmirësimin e jetës në Europë. Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe ju ftoj për një bashkëpunim të mëtejshëm” – tha ndër të tjera Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, vlerësoi FSHF për nismën e ndërmarrë ku theksoi se Kombëtarja është e para që na integroi në Europë falë sukseseve në arenën ndërkombëtare dhe u shpreh besimplotë se projekti i strategjisë sociale do të ndihmojë në përmirësimin e jetesës përmes futbollit.

“Dua ta nis fjalën time me një falënderim të posaçëm për FSHF-në, që do të mbahet mend gjithmonë si e para që na integroi në Europë shumë përpara anëtarësimit të mirëfilltë. Gjithashtu dua t’ju përgëzoj Presidentin Duka, që pavarësisht se Europiani po troket në derë, FSHF është e fokusuar jo vetëm te loja por edhe te përgjegjësia e saj shoqërore.

Kjo është një barrë e rëndë të cilës ju po i përgjigjeni me barrën e udhëheqjes përmes shembullit. Sporti në përgjithësi e futbolli në veçanti ka një rol të jashtëzakonshëm për promovimin e barazisë gjinore, në luftën ndaj steriotipeve, racizmit apo paragjykimeve. Ka gjithashtu një rol kyç në promovimin e një jetese të shëndetshme dhe larg veseve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe FSHF janë aleatë të natyrshëm në avancimin e prioriteteve tona të përbashkëta. Sporti shërben si një mjet i fuqishëm për fuqizimin e grave dhe vajzave. Kemi parë progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit dhe jam besimplotë që shumë suksese të tjera na presin të gjithë së bashku”, – tha Ministrja Koçiu në fjalën e saj përshëndetëse.

I ftuari special në lançimin e kësaj strategjie, Michele Uva, i cili mban postin e Drejtorit të Qëndrueshmërisë në UEFA, falënderoi FSHF-në dhe në veçanti kreun e këtij institucioni për iniciativën e rëndësishme dhe ftoi qeverinë dhe organizatat e ndryshme që të bashkëpunojnë me FSHF-në për të bërë të mundur përmirësimin e jetës përmes kësaj strategjie.

“Faleminderit Presidentit Armand Duka, Ministrave shqiptarë, faleminderit e gjithë familja e futbollit shqiptar – UEFA është krenare që është këtu sot. Jemi mbledhur për strategjinë “Ndërtimi i Urave Lidhëse Përmes Futbollit”. Dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për hapjen e një dere për një të ardhme të ndritur dhe gjithëpërfshirëse. Falënderoj Presidentin Duka dhe Menaxherin e Përgjegjesisë Sociale dhe Mbështetjes së mjedisit. Për realizimin e objektivave të kësaj strategjie duhet të jemi të gjithë bashkë: Federata, qeveria, organizatat etj, në mënyrë që kjo fushatë të jetë reale. Në mënyrë që të arrijmë atë që themi, duhet të kemi një element të dytë: vizioni dhe udhëheqja. Ato fjalë qe themi duhet t’i zbatojmë, të hidhemi në veprim.

Koncepti i tretë është impakti: çfare mund të bëjmë ne për shoqërinë dhe si mund ta ndryshojmë. Futbolli mund të bëjë shumë. Dhe kjo arrihet me marrëveshje me shoqërine civile, për të rinjtë dhe fëmijët që janë ardhmja jonë. Jemi në plaftormën më të madhe në botë dhe për këtë arsye duhet ta shikojmë si përgjegjësi të madhe. Rritja e FSHF-së ka qenë shumë e madhe. FSHF dhe familja shqiptare e futbollit mund të mbështetet përherë tek UEFA. Ju uroj suksese në Europian” – tha Drejtori i Qëndrueshmërisë në UEFA, Michele Uva.

Koordinatorja e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë, Fiona Mccluney theksoi se futbolli i bën njerëzit bashkë. “Futbolli krijon një sens komuniteti dhe përkatësiedhe i sjell njerëzit së bashku, në ndjekje të klubit të tyre të zemrës, pa dallim race, gjinie dhe statusi socio-ekonomik. Futbolli mund të luajë rol të rëndësishëm në arritjen e objektivave të strategjisë së zhvillimit të qëndrueshëm: paqe, drejtësi dhe institucione të forta” – tha ndër të tjera Fiona Mccluney.

Përfaqësuesi i UN Woman në Shqipëri, Michele Ribotta, tha se bashkëpunimi me FSHF-në do të jetë i madh për të fuqizuar rolin e gruas në shoqëri. “Duke parë rolin dhe punën e madhe të FSHF-së që dua ta falënderoj, pasi futbolli luan një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave të mira. Sporti luan një rol të rëndësishëm në fuqizimin e figurës së gruas dhe ne e kemi si një obligim të rëndësishëm që të kemi sukses në këtë drejtim. Prandaj ne së bashku me FSHF-në do të bashkëpunojmë për të gjitha fushatat që mund të përdoret futbolli për të fuqizuar rolin e gruas nëpërmjet tij”, – tha Michele Ribotta.

Ambasadori i FSHF-së për përgjegjësinë sociale, Jonid Ferhati, u shpreh i lumtur që është përzgjedhur nga FSHF për të dhënë kontributin e tij për kauzat sociale. “Atëherë kur mendoja se të verbërit nuk mund të luanin futboll, FSHF e mbështeti futbollin për të verbërit që 20 vite më përpara e në vazhdim. E ka mbështetur edhe në kompeticionet ndërkombëtare. FSHF është modeli më i mirë për t’u ndjekur dhe ashtu siç shihet në këtë strategji, është modeli më i mirë përsa i përket gjithëpërfshirjes. Futbolli krijon ura komunikimi që do të thotë nuk ka humbje, pavarësisht rezultatit në fushë. Është privilegj për mua që u zgjodha Ambasador i FSHF-së për përgjegjësinë sociale dhe shpresoj që të bëj më të mirën për kauzat e përgjegjësisë sociale në përgjithësi”, – tha Jonid Ferhati.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf