Agim Canaj: Në “derbin” Tirana-Partizani, spektaklin e bënë tifozët

- Gazeta Telegraf

Agim Canaj: Në “derbin” Tirana-Partizani, spektaklin e bënë tifozët

INTERVISTA/ Analizë e javës që u mbyll në Superiore dhe java e 34, në këndvështrimin e Agim Canaj.

Agron Kaja

Superiorja mbylli një javë plot emocione e surpriza, ishte “derbi” Tirana-Partizani (1-2) si “qershia mbi tortë”?

Normalisht që ndeshjet “derbi” Partizani-Tirana janë gjithmonë të bukura, kanë histori me vlera , kanë traditë e luftë të përjeshtshme në futboll. Por kanë një tifozeri që e zbukurojnë çdo derbi me spektaklin që krijon.

Cilën nga këto ndeshje e mendoni jashtë parashikimeve, dhe cila prej tyre foli logjikshëm?

Mendoj se Egnatia-Vllaznia m’u duk me menaxhim jo të duhur nga rrogozhinasit, të presim nëse ka të bëjë me “Final 4”. Ndërsa Partizani që ka fituar dy “derbi” njëri pas tjetrit, duket në një pozitë të mirë, më mirë nga lajmet e tjera.

Në këtë javë u dhanë 4 kartonë të kuq dhe 27 të verdhë, pse ndodh kështu në këtë fundkampionati?

Ajo që më bëri përshtypje, ishte fakti se “Derbi” nuk ishte aq i luftuar për të dhënë 14 kartonë të verdhë dhe 2 kartonë të kuq. Ndeshjet “derbi” janë të zjarrta dhe duan arbitra që ta kontrrollojnë mirë ndeshjen, jo me pasiguri si u paraqit këtë herë.

Në këndvështrimin tuaj, si u “trazua” renditja gjatë javës së 33-të?

Dy skuadrat, Kukësi dhe Erzeni kanë rënë në Kategorinë e Parë dhe përballjet me to trazojnë ujrat e vazhdimit të Superiores. Teuta dhe Skënderbeu morrën tri pikë të vlefshme me këtë skuadra, ndaj edhe ky trazimi në renditje erdhi si pa u kuptuar.

Me këtë renditje, mund të themi se ky është konfigurimi final i Superiores?

Këtë mendoj edhe unë si renditje përfundimtare, duke menduar në “Final 4” Dinamon ose Tiranën. Matematika ja u lejon ta mendojnë, e ndoshta këtu futet edhe Skënderbeu. Po kështu edhe për skuadrat që do luajnë Play-off, Teuta dhe Laçi.

Java e 34-t mendoni se ka në kalendar sfida mbijetesë dhe për “Final 4”, si i shikoni ?

Po, kjo është një javë me sfida të forta, si për “Final 4” edhe për mbijetesë. Partizani po synon vëndin e dytë në renditje, ndërkohë që edhe skuadrat e tjera duket se do të sjellin rezultate me llogaritë e seicilës më vete. Egnatia e ka mbyllur vendin e parë dhe Kukësi me Erzenin janë të rënë.

Tre javët e fundit të kampionatit luhen në të njëjtën ditë dhe orë, çfarë parashikoni se mund të ndodhë në këto 15 ndeshje?

Unë them se do të ketë ndonjë rrotacion, kryesisht për vëndin e katërt, pasi Tirana, Dinamo e Skënderbeu kanë përballje të forta. Veç ndeshjes Erzeni-Kukësi, që luhet për prestigj, të tjerat janë të vështira, sepse nuk kanë asnjë kontakt me këto dy skuadra që janë matematikisht të rëna nga kategoria.

Nëse do vendosnit një bast për verdiktet përfundimtare të Abissnet Superiore, ju si i parashikoni?

Për “Final 4” mendoj Egnatian, Vllazninë e Partizani, ndërsa vëndi i katërt besoj se do jetë Dinamo. Ndërkohë që Laçi dhe Teuta do zgjidhin deri në javën e fundit vendin për Play-out, vetëm dy skuadrat e fundit janë të përcaktuara përfundimisht.

Mblidhet kalendari, tre javë në 11 ditë

Ditën e djeshme, Departamenti i Garave në FSHF ka bërë publik kalendarin e tre javëve të fundit të kampionatit të Abissnet Superiore. Dhe ky kalendar është ngushtuar në ditë, me qëllim tre javët e fundit të luhen në 11 ditë kalendarike, pikërisht në 4 maj java e 34-t, më 8 maj java e 35-të dhe më 11 maj java e 36-të.

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 34
E shtunë, 4 maj 2024

Teuta-Egnatia              16:00

Vllaznia-Dinamo City 16:00

Laçi-Tirana                              16:00

Partizani-Skënderbeu  16:00

Erzeni-Kukësi             16:00

RENDITJA  

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     34        60

2.Vllaznia                    34        55

3.Partizani                   34        54

4.Dinamo City              34        47

5.Skënderbeu              34        47

6.Tirana                       34        46

7.Teuta                        34        41

8.Laçi                          34        39

9.Erzeni                       34        31

10.Kukësi                    34        26

Finalja Kupës, ka nisur shitja e biletave

Më 14 maj ora 19:00 luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, Kukësi-Egnatia, Dje, FSHF-ja njoftoi sportdashësit se kanë dalë në shitje biletat për këtë finale që do të luhet  në stadiumin “Air Albania”. Biletat mund të blihen në sportelin e biletarisë pranë stadiumit “Selman Stërmasi” dhe “Air Albania”, ose në biletarinë online (BLI KËTU BILETAT). Çmimet e tyre variojnë me 5 mijë lekë të reja tribuna VIP, 3 mijë dhe 2 mijë lekë tribunat 1 dhe 2, tribuna qëndrore me 1 mijë lekë dhe biletat në tribunat pas porte 700 e 500 lekë.

Futboll femra, Troka e Apolonisë “Këpuca e Artë”

Në 18 javë të Superiores për femra, futbollistja e Apolonisë Valentina Troka shënoi 68 gola, duke u shpallur kështu “Këpuca e Artë” e sezonit. Ndërkohë, ky kampionat ka përcaktuar edhe shortin e “Final 4”, me çiftet Partizani-Vllaznia dhe Tirana-Apolonia. Ndeshjet luhen me vajtje e ardhje në datat 3 dhe 7 maj 2024, ku Tirana do të presë Apoloninë në kompleksin “Skënder Halili” më 3 maj, dhe ndeshja e dytë në Fier më 7 maj. Partizani-Vllaznia do të luhet në stadiumin “Arena e Demave” më 3 maj, ndeshja e kthimit më 7 maj në Shkodër. Finalja për titullin kampion do luhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”. Ekipi kampion do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator në UEFA Champions Ligë.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf