Ramadan Ndreu: Ka nisur sprinti final, do vuajnë skuadrat e mbijetesës

- Gazeta Telegraf

Ramadan Ndreu: Ka nisur sprinti final, do vuajnë skuadrat e mbijetesës

KATEGORIA E PARË/ Java e 32-të luhet në të njëjtën orar, Ramadan Ndreu tregon synimin e Kastriotit

Agron Kaja

Në dy javët e mbetura kemi një kalendar kapriçioz, por do i shmangim rezultatet kundra nesh. Do thoja me profesionalizëm se unë i kam të qarta idetë se cila skuadër do shkojë në Play-out dhe cila do zbresë në Kategorinë e Dytë

Pas javës së 31-të, Kategoria e Parë do të luajë dy javët e fundit të saj të këtij sezoni, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë. Në fakt, në sezonet e kaluara, ndeshjet në të njëjtën ditë dhe orë kanë nisur më parë, por gjithsesi, për situatën pas javës së 31-të dhe pragun para javës së 32-të, për gazetën “Telegraf”, trajneri i Kastriotit Ramadan Ndreu tregoi se do jenë ndeshje të forta. “Si trajner i Kastriotit më vjen keq që këtë javë ne do ndeshemi me Lushnjen, në një sfidë delikate. Sepse jemi skuadra që meritojnë të luajmë në Kategorinë Superiore. E njoh me detaje skuadrën lushnjare, por është e natyrshme që ne të luajmë për synimin tonë, rezultatin pozitiv”, ishte ky mendimi i trajnerit Ndreu për sfidën e javës së 32-të Kastrioti-Lushnja, po e konfiguron kjo javë renditjen në Kategorinë e Parë. Ndreu mendon se duhet të presim deri në fund, pasi janë 6 pikë në lojë. “Renditja javë pas jave po bëhet interesante, sepse të gjitha ndeshjet janë të forta dhe vlerësuese, por edhe korrekte nga të gjitha skuadrat. Ky mendoj se do jetë një sprinti final për shumë skuadra, sepse kreu e fundi janë të stabiluzuar dhe i kanë mbyllur verdiktet e tyre. Tashmë në lojë janë vetëm skuadrat që do të zbresin nga kategoria së bashku me Tomorin që e ka mbyllur sezonin. Edhe ne në këto dy ndeshje kemi llogaritë tona, ku mendojmë të dalim me 4 pikë në mbylljen e kampionatit”. Java e 32-të dhe ajo e 33-të në Kategorinë e Parë do të luhen në të njëjtën ditë dhe orë, një kalendar ky i vendosur nga FSHF-ja për të shmangur çdo mundësi tolerimesh. Edhe Ramadan Ndreu e ndan këtë mendim, por ai i referohet vetëm kalendarit,  duke e quajtur kapriçioz. “Mendoj se FSHF-ja ka bërë gjënë e duhur me ndeshjet në të njëjtën ditë dhe orë, ndoshta duheshin bërë edhe dy javë më parë. Ndeshjet në një ditë dhe orar na favorizojnë për çdo situatë tjetër, ku ne bëjmë llogaritë tona që të shmangim renditjen në zonën Play-off. Është një kalendar kapriçioz, por ne do shmangim rezultatet kundra nesh dhe do thoja me profesionalizëm se unë i kam të qarta idetë se cila skuadër do shkojë në Play-out. Do ta them publikisht pas javës së 32-të, ndërsa Kastrioti si skuadër elite do t’i bëjë hyzmetin deri në javën e fundit për të realizuar synimin, nga i cili na ndajnë vetëm 4 pikë”, ishte kjo biseda me Ramadan Ndreun trajnerin e Kastriotit, por edhe një specialist futbolli që ka luajtur e ka trajnuar në elitën e futbollit shqiptar. Në javën e 32-të, Luzi 2008, Besa, Burreli dhe Lushnja luajnë sfidat e sezonit.

PRAG EUROPIANI “GJERMANI 2024”/ EDHE 46 DITË

Manaj dhe Uzuni flasin me gola, Gjimshiti më i miri

Me shiringa në këmbë, por me gola, kjo ishte java e kaluar e Myrto Uzunit, i cili në përballjen Granada-Osasuna 3-0, shënoi golin e dytë të ndeshjes dhe të 11-in në këtë sezon të La Liga. Por edhe Rai Manaj nuk po ndalet me golat e tij, teksa në ndeshjen e javës së 34-ët të Superligës turke, Sivaspor-Koniaspor, shënoi golin e vetëm e fitoren 1-0, njëherësh duke shënuar golin e 18-të në kampionat. Edhe sulmuesi Marlind Daku e ka gjetur rrejtën këtë fundjavë, teksa në përballjen Rubin Kazan-Ural 1-0 shënoi golin e vetëm dhe të shtatin në kampionatin rus. Fundjavë pozitive ishte ajo që lamë pas për legjionarët tanë, dhe njëri prej tyre është sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Taulant Seferi. Ai shënoi dy gola dhe me skuadrën e tij Bani Jas kundër Hata në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndërsa Kristian Asllani e mbylli zyrtarizimin e titullit kampion me Interin në Seria A të Italisë.

Kuqezinj me pak minuta, portierët mbeten në hije

Kur na ndajnë edhe 46 ditë nga nisja e ndeshjeve finale të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, në skuadrën tonë Kombëtare situata për gjendjen e disa lojtarëve nuk është e mirë. Janë disa prej tyre që nuk kanë luajtur, ose me pak minuta në këmbë, ndërkohë që dy porteirët titullarë sikur janë hequr nga listat e skuadrave ku duhet të luajnë. Kështu, portieri Berisha ka më shumë se një muaj i dëmtuar dhe është jashtë skuadrës së Empolit, ndërkohë që Thomas Strakosha nuk preferohet nga Brendford. Vetëm Elhan Kastrati ka luajtur me Çitadelën në Serie B, por ai nuk e ka eksperiencën e ndeshjeve ndërkombëtare. Mbrojtja, mesfusha e deri diku sulmi duken të stabilizuar, por Broja dhe Hasani kanë mbetur në hijen e paraqitjeve të tyre dhe e shqetësojnë Silvinjon. Kjo është situata që mbetet si emergjencë shqetësuese kuqezi në prag të sfidave për Europianin “Gjermani 2024”.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 32

E shtunë, 4 maj 2024

AF Elbasani-Tomori                15:00

Vora-Bylis                               15:00

Flamurtari-Luzi 2008              15:00

Apolonia-Besa                                    15:00

Lushnja-Kastrioti                    15:00

Korabi-Burreli                         15:00

RENDITJA 

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.AF Elbasani              31        73

2.Bylis                         31        70

3.Flamurtari                 31        55

4.Vora                         31        48

5.Apolonia                  31        46

6.Korabi                      31        44

7.Kastrioti                   31        36

8.Lushnja                    31        34

9.Burreli                      31        34

10.Besa                       31        32

11.Luzi 2008               31        30

12.Tomori                    31        17



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf