Kaosi me plehrat/ Inceneratorët nuk punojnë, shqiptarët paguajnë 550 milionë euro në vit “taksa mjedisore”

- Gazeta Telegraf

Kaosi me plehrat/ Inceneratorët nuk punojnë, shqiptarët paguajnë 550 milionë euro në vit “taksa mjedisore”

Konsumatorët shqiptarë kanë paguar rreth 550 milionë euro taksa për mjedisin brenda një viti përmes taksave të energjisë, transportit, ndotjes dhe burimeve natyrore. Megjithatë, pavarësisht taksave krahasimisht më të larta të paguara në emër të mbrojtjes së mjedisit, është fakt i njohur nga të gjithë që Shqipëria është vendi me një krizë të përhershme në menaxhimin e mbetjeve urbane, vendi ku mbetjet shpesh hidhen në lumë dhe përfundojnë në det.

Problemet me mjedisin janë në rritje në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri po kapacitet për të mbledhur taksat mjedisorë, që po shënojnë rënie. Të dhënat e INSTAT tregojnë se të ardhurat nga taksat mjedisore në raport me PBB-në ishin sa 2,59% në vitin 2022 nga 3,1% e PBB-së që ishin më 2021. Në 2022, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën në vlerën e rreth 55.5 miliardë lekë. Nga struktura e të ardhurave të taksave mjedisore për vitin 2022, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të ardhurave me 82,45%, pasuar nga taksat e transportit 12,92%, taksat e ndotjes me 4,5% dhe taksat e burimeve natyrore me 0,13%. Ndërkohë që të ardhurat nga taksa mjedisore kanë rënë, përdorimi i burimeve natyrore dhe numri i automjeteve është rritur nga viti 2021 në vitin 2022. Në të gjithë botën taksat mjedisore konsiderohen si një instrument ekonomik për të kontrolluar ndotjen dhe menaxhimin e burimeve natyrore dhe ato janë konceptuar për të ndikuar në sjelljen e bizneseve, prodhuesve dhe konsumatorëve.

Qytetarët shqiptarë ‘bombardohen’ me 4 lloje taksash

Shqipëria ka katër grupe taksash mjedisore aktualisht. Në grupin e parë janë taksat për energjisë (duke përfshirë karburantin e makinave) përfshijnë taksat mbi prodhimet e energjisë në vend, si dhe prodhimet e energjisë që përdoren edhe për qëllime të transportit.

Këtu përfshihen edhe tatimet mbi bio-karburantet dhe format e tjera të energjisë nga burimet e rinovueshme, si dhe taksat mbi rezervat e produkteve të energjisë. Të ardhurat mjedisore nga taksat e energjisë ishin 45.7 miliardë lekë me rënie vjetore 6% më 2022.

Në grupin e dytë përfshihen taksat e Transportit. Taksat e transportit i referohen kryesisht taksave të lidhura me pronësinë dhe përdorimin e automjeteve.

Këto taksa përfshijnë edhe taksat mbi mjetet e tjera të transportit (si avionët, anijet dhe trenat, etj) dhe shërbimet e tyre. Të ardhurat nga këto taksa arritën në 7,1 miliardë lekë me një rritje 16% më 2022.

Në grupin e tretë janë taksat e ndotjes dhe përfshijnë emetimet e matura në ajër dhe shkarkimet në ujë, menaxhim të mbetjeve të ngurta dhe zhurmës etj. Përjashtohet këtu tatimi mbi emetimin e CO2, i cili mbulohet nga kategoria taksave të energjisë. Të ardhurat në vitin 2022 nga ky grup taksash arritën në 2.5 miliardë lekë më rënie vjetore mbi 8%.

Në grupin e katërt janë taksat e Burimeve Natyrore. Taksat e burimeve natyrore përfshijnë taksat për nxjerrjen e mineraleve dhe naftës nga nëntoka dhe përdorimin e burimeve natyrore. Të ardhurat në këtë zë arritën në 71 milionë lekë më 2022 me rritje mbi 5 % në krahasim me 2023.

Inceneratorët “kutia e pandorës” që kushtoi 430 mln euro për menaxhimin e plehrave

Trajtimi i mbetjeve në Shqipëri vijon të jetë një “patate e nxehtë” në dorën e qeverisë. Qytetarët përpos taksave mjedisore, që paguajnë, mbajnë në kurriz edhe aferën e inceneratorëve që ka gllabëruar miliona. Dosja e inceneratorëve, projekt për djegien e mbetjeve u kthye në një aferë korruptive me firmëtarë në kupolën qeveritare, ku ka persona të akuzuar, të arrestuar, në kërkim si Ahmetaj,  por ende nuk është hapur “kutia e pandorës”, që ka vjedhur paratë e taksapaguesve, që kanë përfunduar në të gjithë botën në xhepat e Zotos, Mërtirit, Gugalles, pronarëve të shpallur në kërkim. Një kontratë 30-vjeçare koncesionare rreth 430 milionë euro, por që në fakt sipas shifrave të ekspertëve dhe përllogaritjeve që bëhen, flitet mund të shkojë dhe dyfish, sepse studimi i fizibilitetit apo plani i biznesit, ofruar nga vetë kompania, ka rezerva të mëdha fitimesh të deklaruara.

Inceneratorët që nuk djegin rrezikojnë një krizë të re mjedisore

Tanimë inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 58 milionë euro, por i pari është në remont dhe i dyti nuk është vënë ende asnjë ditë në punë. Përtej kostove dhe akuzave për abuzim me fondet publike, ekspertët janë të shqetësuar se malet e plehrave po shkaktojnë një krizë të re mjedisore në këto dy projekte. Qytetet kryesore të vendit përballen njëherazi me kosto të larta të trajtimit të mbetjeve dhe ndodhen para një emergjence mjedisore, pasi mbetjet e gjeneruara në Elbasan, Durrës, Kavajë, Vorë dhe Tiranë po grumbullohen në landfillet pranë inceneratorëve, që nuk punojnë.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf