Albert Habazaj: 30 vjetori i Universitetit “Ismail Qemali”, në Vlorë

- Gazeta Telegraf

Albert Habazaj: 30 vjetori i Universitetit “Ismail Qemali”, në Vlorë

Për herë të parë bëhet përurimi i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë në Panairin III Mbarëkombëtar të Botimeve Akademike dhe Shkencore në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave Tiranë

 Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe koordinator institucional i Panairit

  1. Shkurtesë

Viti 2024 është viti i festimeve të 30 vjetorit të çeljes së Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, që do të kulmojnë me festën jubilare më 3-4 tetor 2024. Përgatitjet kanë filluar me kohë me ngritjen e Komisionit të Festës në rektorat, ku marrin pjesë pedagogë të njohur nga të katër fakultetet, si dhe staf nga administrata: prof.dr. Bardhosh Gaçe, prof.as.dr. Frosina Londo, prof.as. dr. Kristofor Lapa, Msc. Albert Habazaj, Rezarta Sinanaliaj, Harikla Beduli, Roksana Novak, Gentjana Belulaj, Marieta Mërkuri dhe Eloina Tozaj, e cila është edhe kryetare e këtij komisioni, që ka hartuar programin e punës, ka ndarë detyrat për secilin anëtar dhe të gjithë si grup dhe ka nisur punën me takime me titullarët dhe pedagogët e vjetër për t’u marrë kujtimet e tyre, si dhe për grumbullimin e materialeve, fotove, videove e dokumenteve origjinale, (dorëshkrime, vendime, urdhëra etj.), që kanë të bëjnë me fillimin e Udhëtimit Universitar të Vlorës Ismailqemaliste, krijimin e një minimuzeu, arkivit historik, botimit të një almanaku, broshure të vogël, librit të Universitetit, filmit dokumentar, Akademi nderimi etj. Ka filluar e ndihet atmosfera e festës, e cila shfaqet në entusiazmin dhe përgjegjësinë e pedagogëve dhe stafit në departamente, laboratore, biblioteka e deri në auditoret e studentëve.

  1. Fjalëza si historik

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë u hap në 10 Tetor 1994 me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 105, datë 28.02.1994. Fillimisht mësimi filloi si Universiteti Teknologjik i Vlorës “Ismail Qemali”, me tri fakultete: Fakulteti i Tregëtisë, Fakulteti i Inxhinierisë Detare dhe Fakulteti i Infermierisë.

Përzgjedhja e këtyre fakulteteve u bë mbi bazën e traditës që tashmë ekzistonte në Vlorë për disa nga këto disiplina. Në 8 Nëntor 1924 në Vlorë u hap Shkolla e Mesme Tregtare, një ndër shkollat më të mira të vendit në atë kohë. Gjatë viteve 1970-1980, u hap filiali i Universitetit të Tiranës për degën e Ekonomikut, Shkolla e Lartë e Marinës, si dhe Shkolla e Mesme Mjekësore, të cilat në shumë vështrime shërbyen si bazë për ngritjen e fakulteteve të Universitetit të Vlorës.

Për organizimin e gjithë punës përgatitore të ngritjes së Universitetit u ngrit një grup pune i krijuar nga Dr. Sezai Bazaj, i cili me hapjen e Universitetit u emërua Rektor i këtij institucioni të ri. Në vitin 1998, Rektor u emërua Dr. Bilal Shkurtaj (sot Prof. Dr.), i cili u zgjodh nga Senati për dy mandate. Në zgjedhjet e vitit 2008, Prof. Dr. Tanush Shaska u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, i cili kontribuoi deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Prof. Dr. Albert Qarri u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës. Në vitin 2016 u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili vazhdon të jetë në detyrë edhe sot, deri në përfundimin e mandatit të dytë.

Në ditët e sotme studentët vijojnë studimet në 15 departamente, të cilët janë në strukturën e organigramës së 4 fakulteteve: Fakultetit të Shëndetit, atij të Ekonomisë, të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, si dhe Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore.

Gjatë periudhës 30-vjeçare të ekzistencës së vet, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës ka bërë përpjekje serioze e të vazhdueshme për rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore. Universiteti filloi punë në dy godina që u rikonstruktuan (sot Godina e Rektoratit dhe Godina B) me 162 studentë në të katër degët e tij dhe vetëm 10 pedagogë me kohë të plotë. Aktualisht në Universitetin e Vlorës janë 4154 studentë. Deri tani janë diplomuar rreth 12 mijë studentë në të tre nivelet e studimit. Gjithashtu në Fakultetin e Shkencave Humane funksionon Doktorata “Studime Gjuhësore, Letrare dhe Kulturore”/ Doktoratë “Language, Literaty and Cultural Studies”.

Në këtë 30 vjetor, studentët tanë janë të pajisur me Kartën e Studentit, e cila do të sjellë përfitime të shumëfishta për studentët e Universitetit të Vlorës, ndërkohë që ata marrin një shërbim arsimor universitar cilësor dhe bashkëkohor.

Sikurse të gjithë IAL publike shqiptare, edhe ne synojmë modernizimin e universitetit tonë, përmes politikave me impakt të drejtpërdrejtë në institucion, me mbështetje financiare, nëpërmjet agjencive të ndryshme jo vetëm të MAS. Festa dhe e nesërmja e studentëve tanë kërkon nga drejtuesit dhe personeli akademik i UV, një angazhim më cilësor dhe më bashkëkohor të njësive dhe stafeve të tyre, në fushën e projekteve kërkimore-shkencore të cilat duhet të finalizohen me produkte shkencore të prekshme dhe me impakt të drejtëperdrejtë në zhvillimet ekonomiko-shoqërore të rajonit, në lidhjen e procesit mësimor, kërkimit dhe publikimit me ekonominë turistike të qytetit të Vlorës, sepse vetëm përmes kësaj metodologjie bashkëkohore universitare, UV do të jetë në sinkron me zhvillimet universitare, kulturore dhe sociale, jo vetëm të rajonit, por edhe me ato të rrafshit kombëtar e ndërkombëtar.

Studentët tanë në UV studiojnë në fusha e programe të ndryshme si: Ekonomik, Inxhinieri, Juridik, Infermieri, Pedagogji të Specializuar, Shkenca Kompjuterike, Informatikë, Gjuhë të Huaja, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Mësuesi, Matematikë – Fizikë etj. Në total UV ofron 2 diploma tekniko-profesionale, 30 programe studimi Bachelor, 37 Programe studimi Master (Shkencor dhe profesional) si dhe një program doktorature. Në UV ofrohen edhe programe studimi: “Master Profesional” në “Udhërrëfim dhe Komunikim Turistik”, program studimi: Formim i vazhduar në fushën Psiko-Pedagogjike, programin e riorganizuar të Ciklit të Dytë në “Mësuesi për Arsimin fillor” dhe programi double degree në fushën e Turizmit në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro”, Bari Itali. Gjithashtu aplikohen edhe dy programe të reja double degree: Bachelor në “Gjuhësi të Aplikuar në Fushën e Turizmit”, në partneritet me Universitetin e Salentos, Leçe, Itali dhe programi “Inxhinieri mekanike”, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, Bari, Itali.

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë është zgjedhja e duhur për studentët, sepse ai është i akredituar dy herë nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe Bordi i Akreditimit. Gjithashtu, të gjithë programet e ciklit të parë Bachelor janë të akredituara dhe në proces akreditimi (drejt finalizimit) ndodhen programet e ciklit të dytë Master Profesional e Shkencor. Kjo ju jep mundësinë fëmijëve tanë që të vijojnë serizisht studimet në një Institucion si UV, ku diploma ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.

Përmes marrëveshjeve të shumta që UV ka nënshkruar me Universitete partnere në gjithë Europën, studentët mund të zhvillojnë pjesë të studimeve (semestrale) në një prej këtyre institucioneve dhe kostoja e studimeve nuk do rëndojë mbi buxhetet familjare, por do të mbulohet nga programi Erasmus+. UV ka disa vlerësime ndërkombëtare në fushën “Mobility of students and openess”. UV është vlerësuar si “Praktikë e mirë” për implementimin e ICM, prej Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri si dhe prej universiteteve të vendeve të programit si Universiteti i Padovës, Universiteti i Pireut etj.

UV ka një staf akademik e administrativ të kualifikuar dhe me përvoja pune ndërkombëtare

Box

Shoqata “Labëria” datë 2 maj ora 11:00, te “Hotel Internacional promovon dy librat e Prof. Ago Nezha

Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” , “Nderi i Kombit” datë 2 Maj (E enjte) 2024, ora 11.oo tek salla “TIRANA INTERNATIONAL “ organizon promovimin e librave “ISHIM MË MIRË KUR ISHIM MË KEQ” DHE “DEMONËT E DEMOKRACISË” me autor, Prof. Dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh “ dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.

MODERATOR ALBERT ZHOLI, GAZETAR, SHKRIMTAR

FOLËSIT:

  1. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, AKADEMIK
  2. Prof. Dr. Paskal Milo, AKADEMIK
  3. Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, AKADEMIK
  4. Prof. Dr.Rexhep Uka “Mjeshtër i Madh
  5. Prof. Dr. Ethem Ruka, Akademik

Autori, Prof. Dr. Ago Nezha

Ju mirëpresim të gjithë Ju që jeni dashamirës të librit!



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf