Edi Rama: Shqipëria kaloi me sukses procesin e skanimit të BE

- Gazeta Telegraf

Edi Rama: Shqipëria kaloi me sukses procesin e skanimit të BE

Ndërsa vizitoi impiantin e Ferrokromit të “AlbChrome” në Elbasan, kryeministri Edi Rama tha të mërkurën se sezoni që vjen do të jetë sipas tij sezoni më i pastër për ujërat larës në detet e liqenet e vendit. Nga Elbasani ai tha se sipërfaqja e mbrojtur në vendin tonë është rritur nga 17% në 22%. Kreu i qeverisë gjatë fjalës së mbajtur në këtë sipërmarrje përmendi edhe masat drastike që janë vendosur ndaj sipërmarrjeve që ndotin ujërat. “Nuk pretendojmë se nuk do të ketë defekte, por me vendosjen e një mase drastike për të gjithë sipërmarrjet në fushën e hotelerisë dhe industrisë së mikpritjes po shohim rezultate që na bindin se sezoni i ardhshëm do jetë perfekt edhe në këtë aspekt”.- tha mes të tjerash gjatë fjalës së tij i pari i qeverisë shqiptare. Rama më tej vuri në dukje se vendi ndodhet në një fazë të re ku Shqipëria siç tha ai e ka kaluar me sukses procesin e skanimit të Bashkimit Europian me çeljen e negociatave dhe ka marrë angazhime të forta lidhur me mjedisin, ndërsa theksoi në të njëjtën kohë se është përgjegjësi kombëtare dhe institucionale respektimi, mbrojtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit. “Ligjet për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve janë një shëmbëlltyrë e kësaj faze të re. Këto ligje janë në zhvillim e sipër e së shpejti i kalojnë parlamentit”,- tha Rama. “Ashtu sikundër edhe kontrolli i shoqëruar me masa drastike ndaj sipërmarrjeve po jep rezultate pozitive. Mjafton të marrim shembullin e ndalimin drastik të derdhjes së ujërave të ndotura në ujërat larës të deteve e liqeneve tona që ka sjellë një angazhim të përgjithshëm të sipërmarrjeve hoteliere për të garantuar përpunimin dhe filtrimin e ujërave të ndotur dhe për të ndalur atë terror ekologjik që ka karakterizuar për shumë vite zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës hoteliere me derdhjen në det të ujërave të ndotura”,- tha kryeministri Edi Rama.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf