“Harraçi” 5 vite pas tërmetit/ FSHZH mbyll sytë para abuzimeve me rindërtimin, paratë e tenderit 20 miliard lekë ‘ikin’ në drejtim të paditur

- Gazeta Telegraf

“Harraçi” 5 vite pas tërmetit/ FSHZH mbyll sytë para abuzimeve me rindërtimin, paratë e tenderit 20 miliard lekë ‘ikin’ në drejtim të paditur

Ja si firmat nuk i japin paratë nënkontraktorëve dhe “shitën” këtë procedurë madje nuk njoftuan as autoritetin kontraktues

 Në dokumentet e tenderit ishin edhe të gjitha vlerat e rindërtimit të banesave 1+1, 2+1 dhe 3+1, ku e para kushtonte 20 mijë euro, e dyta 25 dhe e treta rreth 30 mijë euro. Në këtë kontratë ajo që bie në sy është se nënkontraktori i ndërtoi këto banesa me çmime shumë herë më të lira sesa çmimet e vendosura nga Fondi i Zhvillimit. Banesa 1+1 u ndërtua për 17 mijë euro nga 20 mijë që ishte nga FSHZH-ja, 2+1 për 20 mijë euro (nga 25 mijë) dhe 3+1 me vlerë 25 mijë euro.

 Denoncohet mënyra si abuzohet me paratë e rindërtimit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi një tender 20 milionë euro në vitin 2020, ku u shpallën fitues një bashkim operatorësh. Në dokumentet e tenderit ishin edhe të gjitha vlerat e rindërtimit të banesave 1+1, 2+1 dhe 3+1, ku e para kushtonte 20 mijë euro, e dyta 25 dhe e treta rreth 30 mijë euro. Ndërkohë, firmat që fituan tenderin e madh e “shitën” këtë procedurë te nënkontraktorët, madje nuk njoftuan as autoritetin kontraktues, që ishte në këtë rast FSHZH-ja.

Kushti ishte që çdo nën kontratë të merrte miratimin më parë te ky autoritet. Këto firma jo vetëm që s’e bënë, por as nuk i japin paratë këtyre nënkontraktorëve, megjithëse janë likuiduar 100 % nga Fondi.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Ledion Xhymerti, i cili bashkë me të gjithë familjen babanë, nënën dhe motrën, janë persona fizik dhe kanë punuar për rindërtimin e banesave në Manzë të Durrësit. Ai thotë se e ka kontraktuar një firmë fituese e procedurës, me administrator z. Vladimir Gjici.“Kemi bërë 15 banesa këtu në Shkallë të Manzës. Janë mbaruar prej 2 vitesh, janë kolauduar dhe banorët janë futur brenda. S’ka asnjë ankesë dhe firma që fitoi tenderin është likuiduar. Kurse unë nuk jam likuiduar nga firma fituese, më ka akoma edhe 75 mijë euro” tregon ai. Fiks Fare ka mësuar se ndërtimi i këtyre banesave në Manzë të Durrësit është bërë me një tender nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas dokumentit, në muajin shtator të vitit 2020, FSHZH-ja finalizoi tenderin me objekt; “Rindërtimin e 743 banesave individuale, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të tyre”. Fondi limit i kësaj procedure ishte plot 2 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë euro pa TVSH. Fitues u shpall një bashkim operatorësh, i përbërë nga 4 firma, të cilat ofruan një vlerë afër fondit limit. Në dokumentet shoqëruese të tenderit ishin edhe vlerat për ndërtimin e shtëpive. Ndërtimi i një banese 1 + 1 kushtonte 20 mijë euro. 2+1 kushtonte 25 mijë euro dhe 3 + 1 kushtonte rreth 30 mijë euro, pa TVSH. Por, nënkontraktori Ledion Xhymerti ka bërë një kontratë me fituesin e tenderit. Në këtë kontratë ajo që bie në sy është se nënkontraktori i ndërtoi këto banesa me çmime shumë herë më të lira sesa çmimet e vendosura nga Fondi i Zhvillimit. Banesa 1+1 u ndërtua për 17 mijë euro nga 20 mijë që ishte nga FSHZH-ja, 2+1 për 20 mijë euro (nga 25 mijë) dhe 3+1 me vlerë 25 mijë euro (nga 30 mijë në letrat e Fondit). “Mua s’më intereson sa i ka marrë ajo firmë. Ja ku është edhe dokumenti sa i kam marrë unë. Unë dua vetëm paratë e mia, asnjë gjë tjetër” pohon Ledioni. Ai thotë se, bashkë me motrën, ka shkuar disa herë te firma që ka fituar këtë tender në Tiranë, por janë kërcënuar, sharë dhe nxjerrë me forcë nga zyrat. Madje, këto biseda ai i ka regjistruar. Në këto biseda, motra e denoncuesit i kërkon shpjegime administratorit se përse nuk i jep paratë, pasi i kanë ndërtuar. Fillimisht, ai i thotë se do të shohë letrat dhe vetëm e sorollat. Por, kur në moment denoncuesja i kërkon llogari sërish, ai përplas tavolinën dhe e ofendon. “Ik, se do të q… motrën. Ik, ik largohu” i drejtohet ai me një ton të lartë, duke tentuar ta nxjerrë nga zyra. Denoncuesja takon edhe ekonomisten e firmës, e cila i thotë se informacionin duhet ta marrë nga administratori dhe jo nga ajo. Pas këtyre përgjigjeve, Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë për informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit.“Rindërtimi i banesave individuale në zonat e prekura nga tërmeti është realizuar sipas projekteve model të ndërtimit. Këto projekte model i janë nënshtruar oponencës teknike dhe janë miratuar nga Instituti i Ndërtimit. Familjet me deri në 2 anëtarë kanë përfituar banesa të tipologjisë 1+1, kosto fikse e ndërtimit të së cilës është 2 095 000 lekë pa TVSH; familjet me 2–4 anëtarë kanë përfituar banesa të tipologjisë 1+2 me, kosto e ndërtimit të së cilës është 2 470 000 lekë pa TVSH; familjet me 5 ose më shumë anëtarë kanë përfituar banesa të tipologjisë 1+3, me kosto ndërtimi 3 090 000 lekë pa TVSH” thotë Fondit. Fiksi e pyeti FSHZH-në nëse është zbatuar kontrata 20 milionë euro dhe a janë likuiduar firmat fituese? Dhe, a ka detyrime Fondi ndaj operatorëve fitues të tenderit? “Në vijim të zbatimit të Programit të Rindërtimit, pas përfundimit me sukses të procedurës tenderuese, mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë, është lidhur kontrata, për rindërtimin e banesave individuale, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të tyre. Kjo kontratë është zbatuar nga B.O.E dhe FSHZH nuk ka detyrime të palikujduara për këtë kontratë. Objektet e përfunduara janë në periudhë garancie” ishte përgjigja e saj. FSHZH thotë se i ka likujduar plotësisht këto firma. Por, a është njoftuar Fondi se firmat fituese morën nënkontraktorë? “Kontraktori mund të nënkontraktojë procese të punës tek palët e treta me kusht që të marrë miratimin e autoritetit përgjegjës në lidhje me nënkontraktorin, si dhe kushtet e pagesës së tij në avancë. Kërkesa mund të bëhet në fazën e tenderimit ose gjatë zbatimit të kontratës. Në rastin që ju referoni, pranë FSHZH nuk rezulton kërkesë nga B.O.E” përfundon Fondi. Firmat fituese të tenderit 20 milionë euro e kishin si kusht të deklaronin nënkontraktorët te Fondi i Zhvillimit. Por, jo vetëm që nuk e bënë, duke shkelur këtë kontratë, por as nuk i paguajnë!



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf