Ngritet aktakuzë për rastin me fatalitet të trefishtë në Autostradë

- Bota Sot

Ngritet aktakuzë për rastin me fatalitet të trefishtë në Autostradë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S., dhe I.H., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Në njoftim thuhet se sipas aktakuzës, të pandehurit A.S., dhe I.H., me datë 16.12.2023 rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht në kilometrin e pesëmbëdhjetë të saj nga aksi rrugor ‘’Prizren-Veri’’ në drejtim të aksit rrugor ‘’Prizren Jug’’ ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që i pandehuri i parë, A.S me automjetin A rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, derisa i pandehuri i dytë, I.H me automjetin B rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës, me ç’rast duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre, me një shpejtësi dukshëm më të madhe në raport me shpejtësinë e lejuar, i akuzuari i parë humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin C, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.

Gjegjësisht viktimat: N.B., M.D., dhe L.S., dhe në të njejtën kohë u shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarve: M.Z., dhe B.P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot