Broja, Europiani rasti i jetës për sulmuesin kuqezi

- Bota Sot

Broja, Europiani rasti i jetës për sulmuesin kuqezi

“Euro 2024” dhe Shqipëria duket më shumë se kurrë si shansi i jetës, veçanërisht për Armando Brojën.

Përtej shansit historik për të luajtur finalen e një kompeticioni madhor me krenarinë e përfaqësimit të vendit, për 22-vjeçarin Europiani dhe vera pasardhëse mund të jetë udhëkryqi vendimtar për karrierën edhe në aspektin personal.

Broja është drejt mbylljes së një sezoni të pafat, dëmtimi i gjatë që kaloi, ndërthurur me situatën kaotike te Chelsea bënë që të kishte pak minuta në pjesën e parë të sezonit 13 prezenca me blutë, vetëm 6 prej të cilave si titullar, për një total prej 453 minutash dhe vetëm një goli në Premier League.

Pikërisht për këtë arsye sulmuesi i kombëtares ndryshoi ambient në merkaton e janarit, duke u transferuar në ditën e fundit të saj te Fulhami, ku iu premtuan më shumë minuta, diçka që reflektohej edhe në kushtet e huazimit nga Chelsea.

Gjithsesi, shpërthimi i Muniz, që përkoi pikërisht me transferimin e tij, dhe rikthimi i sulmuesit kryesor, Raul Jimenez, bënë që Broja të binte nga shiu në breshër.

Në 3 muaj te Fulhami, Broja ka regjistruar vetëm 7 prezenca, duke u futur vetëm në fundin e ndeshjeve me një minutash të varfër prej vetëm 58 minutash në total. Situatë që, pa dyshim, lë të pakënaqur Brojën, që ndoshta është përballur me një lloj diskriminimi edhe për aktivizimin me klubin që synon t’u japë hapësirë lojtarëve që ka në pronësi për t’u rritur vlerën dhe jo sulmuesin shqiptar të cilit i përfundon huazimi në fundin e këtij sezoni.

Me vetëm 3 ndeshje të mbetura, situata vështirë se mund të ndryshojë, me verën e ardhshme që do të jetë vendimtare për fatet e Brojës. E sigurt është që nuk do të qëndrojë te Fulhami, ndërkohë raporte të shumëfishta të mediave britanike këmbëngulin se shqiptari është në listën e shitjeve të Chelsea-t, që i duhet të gjenerojë të ardhura për shkak të problemeve me financat, dhe një shitje e Brojës që është rritur në akademinë e klubit do të figuronte si fitim i pastër për bilancet.

22-vjeçarit nga Malësia e Madhe me shumë mundësi do t’i duhet të gjejë një tjetër sistemim në verë, ku i duhet të piketojë një skuadër të nivelit të lartë, por që njëkohësisht t’i mundësojë dhe aktivizimin e vazhdueshëm. Pikërisht në këtë këndvështrim, Euro 2024 shfaqet si shansi i artë për Brojën.

Zakonisht operacionet e merkatos mbyllen në muajt e fundit, pasi të ketë përfunduar Europiani, që për Brojën vjen si vitrina fantastike për të shpalosur vlerat e tij në një vizion global.

Edhe pse lista e Sylvinhos mbetet për t’u përpiluar, rikthimi i tij në miqësoret e marsit konfirmoi se është një element i domosdoshëm për Shqipërinë, pavarësisht minutave të aktivizimit.

Edhe pse nuk shënoi, në përballjen me Suedinë Broja tregoi se mund të ndryshojë frymëmarrjen dhe volumin e sulmit, duke mbetur lojtari që të zgjidh ndeshjen në një moment të vetëm.

Me Shqipërinë që në Europian do të përballet me gjigantë si Spanja, Italia apo dhe Kroacia, sfida që gjenerojnë dhe interes të shumëfishuar, çdo veprim e aq më tepër një gol i Brojës do të amplifikonte dhe vlerën e tij në merkato, një arsye më shumë për të dhënë gjithçka me Shqipërinë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot