Mehmeti beson te forca e Dinamos

- Bota Sot

Mehmeti beson te forca e Dinamos

Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka besim se skuadra e tij do të mund të marrë rezultat ndaj Vllaznisë në Shkodër, në takimin e kësaj të shtune mes dy skuadrave.

Tekniku i bluve, ka theksuar sot në konferencën për mediat, se beson që skuadra e tij ka forca të kalojë kuqeblutë e për më tepër, ka në dorë fatin e saj për të shkuar në “Final Four” për titullin.

“Vllaznia është me meritë aty ku është. Ka marrë rezultate shumë të mira dhe do të bëjë maksimumin për të ruajtur atë pozicion që ka. Ndryshimi i trajnerit ndoshta bën që lojtarët të kenë një impuls tjetër dhe është ndeshje e vështirë, aq më tepër duke pasur parasysh që Vllaznia ka edhe elementë shumë të mirë.

Javën e fundit ka marrë fitore me skuadrën kryesuese. Në Shkodër ka edhe entuziazmin e tifozëve, por jemi përgatitur për këtë ndeshje. Do të jemi të kujdesshëm. Në ndeshjen e fundit me këtë kundërshtar Dinamo ka dominuar, por nuk mori pikë.

Skuadra duhet të jetë sa më e qetë, sepse nxitohemi shumë. Kemi mungesën e Tahirit dhe një pikëpyetje për Kaçorrin, por besoj se do ta kemi. Ne i kemi të shpërndarë golat, kemi shënuar edhe me uingerat dhe me mbrojtësit. Do të bëjmë maksimumin që të shënojmë dhe në Shkodër.

Vendi i 4-t? E kemi vetë në dorë. Kemi besim, që vjen nga loja e mirë. I kuptoj lojtarët, që nga dëshira e madhe marrin presion për të shkuar te fitorja. Duhet qetësi për të shfrytëzuar ato raste që na jepen.

Tolerim nga të tjerët? Nuk e mendoj fare, sepse të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë. Nuk ka interes asnjë skuadër të tolerojë. Duhet ta heqim si shprehje, pasi ne si klub nuk e kemi. Besojmë te forcat tona dhe shpresojmë që të bëjmë më të mirën ndaj Vllaznisë”, tha Mehmeit para mediave.



Lexoni të gjitha në Bota Sot