Studiues Ali Hasani: Pertefe Domnori Leka, një zë i fuqishëm i publiçistikës shqiptare

- Gazeta Telegraf

Studiues Ali Hasani: Pertefe Domnori Leka, një zë i fuqishëm i publiçistikës shqiptare

Studiues Ali Hasani


Pertefe Domnori Leka ka lindur, është rritur dhe edukuar në Shkodër. Ka kryer shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”. Në vitin 1960 është emëruar mësuese në fshatin Vrakë, aty ku ka dhënë mësim Migjeni ynë i madh. Bashkë me urimet e para për fillimin e punës si mësuese, babai i saj Jahja Domnori, i dha vajzës së tij gjithë mbështetjen për të vazhduar më tej karrierën dhe kualifikimin e saj të mëtejshëm si mësuese. Prandaj, Pertefja krahas punës, ndoqi edhe studimet në Institutin 2-vjeçar në Shkodër dhe në vazhdim Universitetin e Tiranës, në fakultetin Gjuhë-Letërsi. Është diplomuar në vitin 1965. Ka punuar si mësuese e letërsisë 32-vjet me rradhë në disa shkolla të mesme të qytetit të Tiranës dhe ka dalë në pension në vitin 1992. Gjatë gjithë karrierës si nxënëse, studente, mësuese e pedagoge, ajo ka pasur si “model” babain e saj, Jahja Domnorin “Mësues i Merituar”.

Mbas viteve 90-të për publicisten e talentuar Pertefe D.Leka u hapën horizonte të reja. Nga ajo kohë, në më shumë se 32-vitet e fundit, ajo jeton dhe punon në Neë- York të SHBA dhe i është përkushtuar tërësisht studimeve, publicistikës dhe gjuhës angleze. Ndër kontributet e para të punës së Pertefes pas daljes në pension, është eksperimentimi i metodës “Montessori” në përshtatje me bashkëkohoren, realizuar në shkollën Anglo-Shqiptare me parashkollorët e “Feniks” në Tiranë në vitin 1996 për t‘i dhënë udhë studimit të saj që edhe fëmijët shqiptarë të fillojnë shkollimin e tyre në një moshë më të re. Prandaj Zj. Pertefe menjëherë filloi punën me parashkollorët në shkollën Feniks duke zbatuar metodën “Montessori” ku është rritur nxitja e aparatit të njohjes tek fëmijët. Fëmijëve u janë aktivizuar të gjitha shqisat nëpërmjet figurës nga e cila ata kanë përvetësuar gjithë vlerat e saj. Kështu pas një studimi të gjatë u hap rruga që edhe fëmijët e shqiptarëve të fillonin shkollën që në moshën 5-vjeçare si gjithë fëmijët Europianë.

Pertefe D. Leka filloi të shkruajë dhe të botojë në kohën kur bota u lëkund nga “tërmeti” i shembjes së sistemit komunist dhe filloi hapja e siparit të Demokracisë duke u bërë një luftëtare e zëdhënëse e së vërtetës. Ajo përmasën e lirisë, e kërkoi tek ata dhe për ata, të cilëve u ishte vrarë fjala e lirë.

Artikullin e parë ajo e ka shkruar me datën 1 korrik 1990 në gazetën “Drita” me titull “Mbi disa kufizime ideore në letërsi”, artikull që asokohe është komentuar e debatuar me shumë interes në nivelet intelektuale të kohës. Kur është pyetur se përse e kishte bërë atë lloj shkrimi, ajo është përgjigjur: “Sepse letërsisë shqipe i mungonin mëndjendriturit si Fishta, Koliqi, Haxhiademi, Prenushi, Camaj, Pipa, Ali Asllani e interpretimit në prozë e poezi i mungonte logjika letrare e kuptimi estetik, të cilat ishin zëvendësuar me nocionin partishmëri, që gjykonte edhe kategoritë estetike. Lënda në programet mësimore ishte e cunguar, i ishin hequr kolosët e letërsisë e artit të huaj apo vendas. Edhe ata që kishin kaluar nëpër filtër, do t’i gjykonim me frymën e kritikës M.-L. dhe të PPSH.’’

Më poshtë ajo do të deklaronte: “Statusi im si mësuese më ka shoqëruar gjithë jetën, jo vetëm me nxënësit, por edhe si nënë, si gjyshe e si publiciste, duke më mbajtur në gjendje pune të dyzuar: mësuese dhe nxënëse njëkohësisht. Atëherë kur krahas punës, studioja, kam qenë e kufizuar nga ideologjia e kohës që t’i transmetoja dijet e mendimtarëve progresistë të kulturës shqiptare dhe asaj botërore. Ajo do të theksonte se rrëzimi i diktaturës na dha mundësinë ne, bijve të Shqipërisë, që të bëjmë histori, për të qenë pjesë e sistemit arsimor demokratik në aspektin human dhe social”.

Prandaj në këtë frymë autorja është përpjekur dhe ka arritur të japë një kontribut shumë të madh e modest për të evidentuar disa prej personaliteteve që padrejtësisht u përfshinë në këtë harresë të imponuar. Ajo do të deklaronte: “Koha e kërkon që zinxhiri i vlerave të jetë në vazhdimësi të progresit, për të gjallëruar jetën kulturore dhe kujtesën historike të vërtetë si pasaportë e së ardhmes sonë demokratike”.

Në këtë konteks Zonja Pertefe që në fillim është afishuar tek lexuesit shqiptar brenda e jashtë Atdheut pse jo edhe tek lexuesit e huaj, si një publiciste e talentuar. Ajo jeton dhe punon në SHBA dhe tashmë ka një vepër të plotë, disa vëllimshe me titullin: “Refleksione të një harrese të imponuar”. Janë mijëra faqe portretesh me pendë, të punuara me mjeshtëri të madhe nga potenciali intelektual i Pertefes, të cilët janë skalitur me pendën e saj të artë. Ajo na thotë se janë tre breza që kanë punuar për Shqipërinë Etnike të cilët Pertefi i ka nxjerrë nga errësira dhe harresa e kohës, që sot ata të shkëlqejnë e të rrezatojnë në dritën e diellit, falë dorës së kësaj zonje të publicistikës shqiptare.

Duhet theksuar se galeria e personazheve të veprës saj është, vërtetë shumë e pasur. Historia e familjes Ivanaj, përbën një nyje të rëndësishme në udhëtimin e saj publicistik. Fillimisht me Mirashin, e më pas me Martinin, Dritën, Nikollën e Gjyzepina Pogliottin, që janë pjesë thelbësore e vëmendjes së Ivanajve, jo thjeshtë si figura, po si misione në kontekstin e kohërave e aktiviteteve që ata çuan përpara. Por, Pertefe D. Leka ka kontribut edhe në bashkëpunimin e saj me Zonjën Drita Ivanajn në themelimin e “Fondacionit Ivanaj” në Tiranë e Neë-York si Zv. Presidente duke marrë pjesë aktive në veprimtaritë e fondacionit brenda e jashtë vendit.

Por në veprën e saj, të shumtë janë edhe disa nga figurat ndriçuese të patriotëve tanë më të shquar si: Musine Kokolari, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Lejla Dino, Safete Juka, Gjergj Fishta, Faik Konica, Mitrush Kuteli, Lazgush Poradeci, Branko Merxhani, Kolë Idromeno, Kol Kamsi, Ali Asllani, Prenk Jakova, Simon Rrota, Marie Shaqe Çoba, Mustafa Demiri, Peter Elezi, Bekim Fehmiu, Petro Marko, Esat Mekuli vizioni dhe jeta e të cilëve zë një vend të rëndësishëm në hulumtimet e shumta të kësaj studiueseje e publicisteje briliante shqiptare.

Të shumta janë edhe figura të tjera intelektuale të trajtuara në veprën e saj, me po aq dashuri e respekt si: Ibrahim Rugova, Jakov Milaj, Mati Logoreci. Andrea Naçe, Beqir Haçi, Agim e Rakip Leka, Lazer Radi, Luigj Filaj, Shevqet Mukaj, Dom N. Mazrreku, Mirjam Bisha, Gjyste Ivezaj, Refik Veseli e të tjerë.

Të një rëndësie të veçantë në veprën e saj, janë vlerësuar edhe disa emra të mëdhenj të Shkodër – loces, djepit të artit, kulturës, historisë e patriotizmit si: Zija Shkodra, Sami Repishti, Ymer Dishnica, Dr. Shefqet Ndroqi, Vehbi Ademi, Rexhë Meta, Bujar Golemi, Marije Mazrreku etj..., sepse raporti i autores me Shkodrën, është i vërtetë dhe i veçantë.

Por Pertefja në punimet e saj, kurrë nuk ka lënë pas dore disa nga emrat më të mëdha të kulturës dhe politikës botërore si: Dora D’ Istria, Edith Durham, Margaret Jursenar, Henri Longfello, George Gordon Byron, Rose Lane, Robert Elsie, Berit Baker, Lou Grene, për të cilët autorja dëshmon kontributin, dhe bashkëpunimin, që të huajt, të përkushtuar, kanë dhënë ndaj popullit shqiptar duke i evidentuar ato figura që i bëjnë ndere historisë sonë, shpesh të fshehur e të mohuar padrejtësisht…

Pertefja ka marrë pjesë dhe ka referuar në shumë simpoziume konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare si psh. në: Tiranë, në Shkodër, në Tuz (Mali Zi), në Neë-York (SHBA). Punimet e fjalimet e saj janë publikuar në gazetat e kohës si edhe në disa portale e televizione në Shqipëri e jashtë saj.

Sot, edhe pse në moshën mbi 80-vjeçare, autorja e dhjetra botimeve vazhdon të botojë dhe të flasë me zë të lartë, për shqiptarët e miqtë e Shqipërisë kudo që janë në këtë botë të madhe, që e djeshmja të mos përsëritet apo kthehet më kurrë. Ky është mesazhi dhe zëri, kjo është fjala e Pertefe D. Leka, një zonjë e rëndë e Publicistikës Shqiptare dhe një luftëtare e paepur e së vërtetës në mbrojtje të çdo vlere kulturore kombëtare shqiptare.

Vepra e publiçistes sonë Pertefe D. Leka “Refleksione të një harrese të imponuar” do të përkthehet në shumë gjuhë të botës duke i dhënë lexuesit një “ambasadore” të re të paqës, që i ka munguar një vendi të vogël, por me një histori dhe kulturë të madhe, që quhet Shqipëri.

Redaktori dhe botuesi Jozef Lazër Radi në kopertinën e fundit të veprës së autores: “Refleksione të një harrese të imponuar” ka thënë: “Mund të thuhet pa droje se Pertefe Domnori Leka hyri në betejën e saj të re si luftëtare, si zëdhënëse e së vërtetës, si një grua e kurajshme, që përmasën e lirisë e kërkoi tek ata dhe për ata, të cilëve u ishte vrarë fjala. Këtë titull s’ia dha askush prej nesh, ia dha koha. Koha e përkushtimit të saj të pafund, e hulumtimeve të paepura, e sakrificave të panumërta. Ndaj, mund të thuhet se angazhimi i saj nis si një revoltë e brendshme: Të vërtetat e mohuara dhe brenda misionit të madh të mësueses, ajo kërkon t’i ndërtojë në atë pak hapësirë që po krijonte liria, mbas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, duke u ndërfutur në publicistikë vrullshëm si pak kush tjetër”. (Jozef Radi)

Për punë të shkëlqyer e të vazhdueshme në publicistikë brënda dhe jashtë vendit, zonja Pertefe D. Leka, është vlerësuar me titullin “Ndrec Ndue Gjoka” nga Akademia Mirdita, si dhe është anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf