Fatmiroshe Xhemalaj: Kujtoj nxënësit e mi të parë, të vitit 1978, ku prindërit e të cilëve punonin gjithë ditën, në kooperativë e nuk jua mbushnin dot barkun me bukë fëmijëve

- Gazeta Telegraf

Fatmiroshe Xhemalaj: Kujtoj nxënësit e mi të parë, të vitit 1978, ku prindërit e të cilëve punonin gjithë ditën, në kooperativë e nuk jua mbushnin dot barkun me bukë fëmijëve

– Në moshën 8 vjeç, vesha për herë të parë këpucë, se prindërve jua kishin marrë tokat, mall e gjë.

-Kujtoj vitet e rinisë si mësuese, që për të shkuar në Bejar, më duhej të udhëtoja, në karrocerinë e makinave të qymyrit, që shkonin në minierën e Memaliajt

Nxënësit-e-mi-dhe-të-bashkëshortit-tim-Fatmir,-viti-1978,-fshati-Bejar,-Mallakastër

Dita me kuptim, është vet jeta. Po mundohem t ju kushtoj nipërve, një ditë në javë, që të bashkëbisedoj me ta. Mora në telefon Klein( ai është në klasën e parë) dhe e pyeta:

– Dëshiron të shëtisësh me nënën të premten? ( ishte pushim atë ditë). – Po nëna, dua, – mu përgjigj. – Në ç orë të vij nëna të marrë?

– Po... ja, – të pyes mamin.

– Po mirë, – pyete mamin, zemër e nënës.

– Hajde në orën 10-o, nëna, – mu përgjigj. – Ku dëshiron të shkojmë, Kleush?

Po mendohej e pastaj vendosi: – Te sheshi “Skënderbej”, nëna. – Mirë, – i thashë, – por nëna do vij me autobuz të të marrë, e po me autobuz të dy, do shkojmë te sheshi.  – Pse nuk vjen me makinë? – më pyeti. – Se dëshiroj të të mësoj, – i thashë, si të përdorësh autobuzin për të ikur diku. Po mendohej e në fund tha: – Mirë nëna...me autobuz. E pyeta:

-A dëshiron, të marrim edhe Arin e Diestin ( dy fëmijët e djalit tim të madh)?

– Por...ti nëna më the që këtë ditë ma ke kushtuar mua!!!

– Po, ty ta kam kushtuar. Prandaj po të pyes, – në ditën tënde...a do edhe dikë tjetër?

– Jo nëna, – vetëm me ty dua. Të nesërmen shkova me autobuzin e Kombinatit. Mbërrita në 10 pa 15′ te shtëpia e Kleit. Klei dhe Kiki (vëllai i tij i vogël, as tri vjet, si ka mbushur) më hapën derën e mu hodhën në qafë. Kiki thërriste: – Nëna..., dua Talamele e kokolata!!! E nëna, jua dha. Ata filluan të kërcenin me gëzim. Kushedi sa vjet jetë mu shtua kur shihja këtë skenë. Ju drejtova Kleit: – Je gati, të dalim se ora po shkon 10-të. Kështu e lamë, që do dalim në 10-të.

Ai: – Po..., të ha edhe mëngjesin...nëna!!!

– Pse, ende se ke ngrënë? Pa shih nënën, unë jo vetëm kam ngrënë mëngjesin, por udhëtova me autobuz deri këtu e tani jam fiks në orar, si dhe e lamë bashkë...! Po më vinte për të qeshur me vete, doja edhe ta puthja në ato momente, por ndenja serioze, deri në fund, për ta bërë atë të kuptonte “mësimin”, se duhej të merakosej më parë, që orari është orar. Dolëm nga shtëpia në orën 10 e 15′, pra mua Klei më “mori” 15′ nga koha e “mësimit” e paplanifikuar, por e vlefshme se “gabimin”, ja shndërrova në mësim. Bëmë në këmbë rrugën me gropa, nga shtëpia deri te stacioni i autobuzit, që vinte nga Kombinati, se aty po ndërtohen 3-4 kulla. Mezi hipëm në autobuz, se kishte shumë njerëz. E mësova Klein të kapej te hekuri i derës së autobuzit, që të mos të binte. Shihte majtas djathtas i habitur...

E pyeta:

– Çfarë ke? – Qenka pis këtu, o nëna! Mami më ka thënë, mos të prek pisllëqe me dorë!

– E ku e dallove pisllëkun ti? – vazhdova unë serioze në pamje, ndërsa me shpirt, po qeshja me të.

Dikush u ngrit nga ndenjësja dhe më ofroi vendin të ulesha. E falenderova qytetarin dhe i thashë Kleit:

– Ulu, zemër.

Por ai spranoi. Veshja e ndenjësjes ishte vërtet shumë pis e ai e pa.

– Ulu Klei, – insistova unë, se duhet të mësohemi edhe me këto kushte. Sa fëmijë ka në botë që udhëtojnë me autobus? Të tjerë...s kanë edhe të hanë...

Ai: – Pse, o nëna, nuk kanë të hanë? Nuk ju punojnë prindërit?

Në çast mu kujtuan nxënësit e mi të parë, të vitit 1978 ( shih foton, Bejar), prindërit e të cilëve punonin gjithë ditën, në kooperativë e nuk jua mbushnin dot barkun me bukë fëmijëve.

Mu kujtua vetja, si fëmijë, që shkoja në shkollë zbathur, gati 2 orë në ditë, e në moshën 8 vjeç, vesha për herë të parë këpucë, se prindërve jua kishin marrë tokat, mall e gjë.

Mu kujtua vetja, si mësuese, që për të shkuar në Bejar, më duhej të udhëtoja, në karrocerinë e makinave të qymyrit, që shkonin në minierën e Memaliajt, e fytyra më bëhej e zezë prej qymyrit e përsëri, unë ndjehesha e gëzuar, se shkoja të mësoja ata fëmijë të pangrënë, ashtu sikurse po ndjehesha, në këtë autobuz, e lumtur pranë nipit, që ma jepte këtë gëzim.

Po mendohesha, çfarë përgjigje ti jepja Kleit, a u punonin apo jo prindërit fëmijëve, që sot janë të pangrënë? E thjeshtë pyetja, por e vështirë përgjigja. Për të dalë nga vështirësia i thashë:

– Klei, duhet të pyesim ndonjë fëmijë të tillë. Nëpër rrugët e Tiranës ka fëmijë që lypin. Po takuam një të tillë ta pyesim, pse ai/ ajo lyp dhe nuk shkon në shkollë, si ti që shkon!!!

Zbritëm nga autobuzi te stacioni i bankës kombëtare. Iu afruam sheshit Skënderbej. Klei gjeti hapësirë, ajër, ndryshe nga ai i autobuzit, dhe filloi të vrapojë... Unë e ndiqja me hapin tim të ngadalshëm dhe me sy. Po hipte te gurët e monumentit të Gjergjit tonë. U shqetësova se mos më vritej dhe i thashë zbrit. Ndërkohë zilja e telefonit. Ishte djali im i madh, që siç u duk më vonë, ishte dhe ai te sheshi, me djalin e vogël.

– O ma, ku je? – më pyeti!

– Te sheshi, – i thashë, me Klein. Ka ditën sot Klei të rrijë vetëm me mua.

– A të vijë unë me Diestin?

Unë që do doja shumë të vinin i thashë të pyes Klein.

– Klei, a dëshiron të bashkohemi me xhaxhin dhe Diestin?

Klei i vendosur:

– Jo nëna, se sot unë jam përgatitur të rri vetëm me ty!!!

Por ndërkohë të dy pamë, Diestin, që na kish parë, nga larg e po vraponte drejt nesh. Ndërkohë e pa edhe Klei, dhe vrapoi dhe ai drejt tij e u përqafuan. Pjesën tjetër të ditës e kaluam së bashku.

Djalin tim e lashë “në stolin rezervë” e vazhduam shëtitjen te bashkia.

Aty u zhvillua një bashkëbisedim interesant midis fëmijëve dhe policit të bashkisë, rreth armës së policit. Edhe sikur ta kisha planifikuar këtë bashkëbisedim, nuk do ta kisha arritur, si fëmijët e bënë vet. Thelbi ishte se Diesti kishte një revole lodër në dorë e polici me shaka i tha atij:

– Je i “arrestuar” për armëmbajtje pa leje. Diesti ( parashkollor):

– Jo xhaxhi polici, kjo është lodër! Më pëlqeu mënyra se si fëmija po mbronte veten, se ai nuk e kuptonte shakanë e policit...ndërkohë qê unë vetëm dëgjoja. Unë vet jam kategorikisht kundër prodhimit të armëve të vërteta dhe lodër. Jam për projekte madhore të njerëzimit, ku qëllimi të jetë, si të mësojnë fëmijë e të rritur të bashkëpunojnë në zgjidhjen e konflikteve, përmes zhvillimit ekonomik.

Erdhi koha e drekës. Meqënëse ishte dita e Kleit, pyeta atë:

– Çfarë do të hash për drekë Klei? – Mish pule me pilaf edhe kos- u përgjigj Klei.

– Nëna, unë dua hamburger, – tha Diesti. Çfarë të bëja? Dy gjëra që s mund të ishin në një vend.

Por logjika, argumenti, kurrë stë “tradhëton”. I thashë Diestit:

– A të ka çuar nëna ty te hamburgeri, kushedi sa herë?

– Po nëna- Atëhere, meqënëse sot është dita e Kleit, si mendon, a tja plotësojmë atij dëshirën dhe me këtë rast të hamë ushqimin që ai pëlqen?

Diesti që bindet kur ja argumenton tha:

– Po nëna...ke të drejtë, sot do hamë ushqimin që zgjodhi Klei. Edhe mua – tha, më pëlqen mishi i pulës me pilaf dhe kos. Shkuam te ” Oda Tirana” , te pazari i ri, drekuam gjithë kënaqësi, Klei, Diesti, biri im i madh, Iliri ( e hoqëm nga stoli rezervë). Një ditë me kuptim, është vet jeta, sidomos me fëmijët.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf