Konkursi i dyshimtë i Policisë, IPK: Do t’i verifikojmë informatat

- Gazeta e Prizrenit

Konkursi i dyshimtë i Policisë, IPK: Do t’i verifikojmë informatat

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se po verifikon informacionet se në një konkurs përmes së cilit pritet të gradohen 355 policë të lartë, Policia e Kosovës dyshohet se ka favorizuar një gjeneratë. Kjo sepse sipas ligjit, e njëjta nuk i plotëson kushtet.

Bazuar në burime të afërta me zhvillimet në Polici se pjesëmarrja e kësaj gjeneratë në konkursin për gradim është lejuar sepse në mesin e aplikantëve ka familjarë të eprorëve të lartë të Policisë.

Një konkurs që privilegjon një gjeneratë të tërë nën dyshimet që brenda saj ka të afërm të eprorëve, ka mbledhur në dy takime zyrtarë të Policisë së Kosovës. Krejt kjo për të diskutuar këtë problematikë.

Por pjesëmarrja e gjeneratës së 54 të Policisë në konkursin për rreshter ndonëse ata nuk i kanë në detyrë dy vite si “Polic të Lartë”, akoma nuk ka ndryshuar.

Kjo gjeneratë pritet të jetë pjesë e testimit që do të mbahet këtë të shtunë.

E kjo çështje po monitorohet nga afër edhe nga Inspektorati i Policisë.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, ju informojmë se IPK deri më tani nuk ka hapur ndonjë rast për çështjen në fjalë, mirëpo do të verifikoj informatat në dispozicion dhe varësisht nga të gjeturat do të procedoj sipas kompetencave të saja”, kanë thënë nga IPK-ja.

Dukagjini ka komunikuar ndërmjet telefonit me Major Brahim Sadriu, i cili është Shef i Sektorit për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës në  Drejtorinë e  Përgjithshme të PK-së por ai ka thënë se për këtë çështje duhet të përgjigjet vetëm zyra për media brenda Policisë.

Televizioni ka insistuar të marr një përgjigje nga Policia e Kosovës për raportimin se brenda gjeneratës që është lejuar jashtëligjshëm të marr pjesë ka favorizime, por Zyra për Media për këtë çështje specifike nuk ka kthyer përgjigje tash e një javë.

Pjesëmarrja e gjeneratës së 54 në gradimin nga “Polic i lartë” në Rreshter është  në kundërshtim me “Udhëzimin administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policor”, raporton RTV Dukagjini.

Neni 13 i këtij udhëzimi thotë se “Polici i lartë kërkohet të ketë minimumin e qëndrimit në gradë dy vite, i diplomuar në shkollën e mesme dhe ndaj të cilit mos të jetë shqiptuar ndonjë masë disiplinore për shkelje të rënda disiplinore apo vepër penale”, në mënyrë që t’i mundësohet gradimi.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit