Ronaldo donte të provonte

- Bota Sot

Ronaldo donte të provonte

“Ishte shumë bukur të luaja me Real Madridin”, – tha Cristiano Ronaldo në fushën e stadiumit olimpik të Kievit në maj 2018, sapo ngriti trofeun e shumëlakmuar. Një fund i papritur për golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të klubit të bardhë, i cili fitoi katër Liga të Kampionëve, dy La Liga dhe dy Kupa Mbreti mes titujve të tjerë.

Vetëm pak javë më vonë, Juventusi mbylli nënshkrimin e tij për 117 milionë euro dhe hapi një sfidë të re në karrierën e portugezit. Pasi “mbretëroi” te Manchester United dhe “Los Blancos”, ylli nga Funchal dukej i aftë për ta sjellë Champions League edhe në Torino.

Një trofe që ai vetë ia kishte privuar “Zonjës së Vjetër” me një goditje ikonike nga lart, në të njëjtin edicion, ose duke e mundur në finalen e Cardiff-it (1-4) më 2017. Ajo finale ishte një kujtim i keq për Giorgio Chiellini, i cili më vonë pati shansin ta ndante fushën në një ekip me CR7.

Kapiteni i atëhershëm i Juventusit shpjegoi në podcastin “The BSMT” se portugezi mbërriti në Torino me zemërim, duke dashur të tregonte se Real Madridi kishte bërë gabim me shitjen e tij: “Personaliteti i tij në kohë të vështira më bëri përshtypje. Vitin e parë te ne donte ta shkundte botën, t’iu tregonte të gjithëve se isha më i fortë se i gjithë Real Madridi”.

Atë sezon Juventusi kishte shanset më të mira për ta fituar Ligën e Kampionëve, megjithëse përfundoi i eliminuar nga Ajax në çerekfinale, pas përmbysjes së jashtëzakonshëm kundër Atlético Madridit në 1/8 finale, me vetë portugezin si protagonist kryesor. “Ne ishim të pafat me lëndimet dhe humbëm kundër Ajax-it. Nëse do të kishim arritur në finale, ai do të na kishte çuar drejt fitores”, – shtoi Chiellini.

“Chiello” pranoi gjithashtu se mosha ndikoi disi në nivelin e Cristianos, por në përgjithësi ai duhej të ndihmohej më mirë për t’i dhënë fund mallkimit kontinental të Juventusit: “Në vitet në vijim niveli ra pak dhe me kalimin e moshës nuk mund ta mbante më vetëm skuadrën. Ai ishte ‘qershia mbi tortë’, por na duhej një tortë më e madhe”.

Megjithatë, portugezi fitoi dy tituj të Serie A, dy Superkupa dhe një Kupë të Italisë. Përveç kësaj, shënoi 101 gola në 134 ndeshje, duke e mbyllur kohën e tij me skuadrën torineze si golashënuesi i 14-të i të gjitha kohërave.

Ish-kapiteni i Juventinos e vlerësoi shumë angazhimin e CR7 me të mbërritur në ekipin torinez, qëndrimin e tij brenda fushës dhe jashtë saj: “Unë kam vlerësime maksimale për Ronaldon. Ai është një lojtar ‘shumëkombësh’, por përshtatet mirë me  grupin. Nuk është si të tjerët dhe nuk mund të jetë.

Nuk mund t’i kërkoni atij të hajë një meze të lehtë në qendër të qytetit, por ai kurrë nuk dështoi kur ishte e nevojshme. As në darkat e ekipit. Ai është i respektueshëm, pothuajse i turpshëm, kujdeset për trupin e tij dhe e përgatit atë. Dëshiron të shënojë dhe të fitojë edhe në ndeshjet e kontrollit brenda grupit. E kam për nder që isha kapiteni i tij te Juventusi dhe të jetoja çdo ditë me një kampion si ai”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot