Mungojnë 4 titullarë

- Bota Sot

Mungojnë 4 titullarë

Partizani ka mbyllur pasditen e djeshme përgatitjet për betejën me Kukësin me një seancë 60 minutëshe të përqendruar tërësisht në aspektin taktik.

Të kuqtë kanë pasur vetëm tri ditë në dispozicion për të qenë gati për këtë sfidë dhe kjo ka ndikuar që asnjë prej të dëmtuarve të mos jenë gati. Kështu, Taipi dhe Cara do të mungojnë për këtë ndeshje, teksa plani i tyre është rikuperimi për betejat e “Final 4” më 17 ose 19 maj.

Një tjetër mungesë tejet e rëndësishme është ajo e Maget, i cili mori kartonin e katërt të verdhë kundër Skënderbeut dhe mbetet jashtë. Mehmeti, i cili pësoi një goditje kundër Skënderbeut, në dy ditët e fundit është stërvitur normalisht me ekipin dhe ka arritur të jetë i gatshëm për transfertën verilindore.

Për këtë ndeshje rikthehet Hadroj, që ka shlyer kartonin e kuq të marrë në derbi. Sa i përket formacionit, në fazën mbrojtëse pritet të kthehet pukjani, teksa pjesa tjetër e repartit me shumë mundësi nuk ndryshon. Në mesfushë kthehet Murataj, që luajti si mbrojtës i djathtë kundër Skënderbeut.

Rrapaj pritet gjithashtu titullar, teksa një mes Ismailit dhe Mehmetit do të plotësojë treshen. Në sulm priten Keko, Mba dhe Bintsuka. Një opsion mbetet edhe Skuka.



Lexoni të gjitha në Bota Sot