Nga atletika e lehtë, te qitja e peshëngritja, Shqipëria befasuese/ Giovanni Armillota e Marco Bagozzi, sporti shqiptar nga viti 1930 deri në GANEFO

- Bota Sot

Nga atletika e lehtë, te qitja e peshëngritja, Shqipëria befasuese/ Giovanni Armillota e Marco Bagozzi, sporti shqiptar nga viti 1930 deri në GANEFO

GANEFO-t e para ishin për Shqipërinë një afirmim i një ngjarjeje globale shumësportive. Pesë medaljet e fituara nga një popullsi e vogël prej 1.790.573 banorësh në atë kohë, në këtë raport e përcaktojnë atë në vendin e tretë mbas RPD të Koresë dhe Libanit.

Është numri i medaljeve të fituara në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë, çka tregon zhvillimin efektiv sportiv të një shteti – në këtë rast atij shqiptar – i cili mbas Luftës II Botërore kishte pak sportistë dhe struktura në zotërim, por i cili brenda tetëmbëdhjetë vjetëve ia arrin të bëjë të mirën më të mundshme. Kishte pesë vjet që kur Shqipëria nuk kishte marrë pjesë në një takim ndërkombëtar shumësportësh. Në Spartakiadën I Verore të Ushtrive Mike – dymbëdhjetë sporte me Shqipërinë, Bullgarinë, Çekosllovakinë, RP Kinën, RPD të Koresë, RD Gjermane, Mongolinë, Poloninë, Rumaninë, Hungarinë, Bashkimin Sovjetik, RD Vietnam, (Leipzig, 20-28 shtator 1958) – përfaqësuesja shqiptare përbëhej nga 14 ushtarë sportistë të atletikës së lehtë, 17 për futbollin, 11 për basketbollin, 10 për boksin, 16 për qitjen, triatlon ushtarak, si dhe trajnerë, masazhatorë, mjekë, zyrtarë dhe oficerë të ushtrisë, gjithsej 75 persona. Shqiptarët fituan medaljen e argjendtë në futboll (Partizani), dhe dy të bronzta në boks: Abaz Zalla në peshën e lehtë (60 kg.) dhe Hysen Sharra në peshën e rëndë (+81 kg). Me rastin e kësaj GANEFO I do të shënohej hera e parë që shqiptarët merrnin pjesë në një aktivitet shumësportësh jashtë Europës.

Megjithatë, debutimi në fushën ndërkombëtare kishte ndodhur në Kampionatin e pestë Ballkanik të Atletikës së lehtë në vitin 1933 në Athinë (1-8 tetor, dymbëdhjetë sportistë), ndërsa nga 20 deri më 27 gusht 1939, Shqipëria – ose më saktë një përfaqësuese e sportistëve studentë që kundërshtuan pushtimin italian të vendit – manifestojnë së bashku me 24 vende në Lojërat VIII Universitare të mbajtura në Monte Karlo (Principata e Monakos) dhe të organizuara nga CIE (Confédération International des Étudiants). Këtë pjesëmarrje e zbuluam në faqen 3 Nr. 4.270 (24 gusht 1939) të “Journal de Monaco”, buletini zyrtar i Principatës.

Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shohim kthimin e Shqipërisë në Ballkaniadën e vitit 1946 (Kampionati XIII i Atletikës së lehtë dhe Kampionati VII i Futbollit) mbajtur në Tiranë bashkërisht nga 7 dhe 13 tetor 1946 së bashku me Bullgarinë, Jugosllavinë dhe Rumaninë (Greqia dhe Turqia bojkotojnë pjesëmarrjen).

Të pranishëm ishin 39 atletë, 6 femra dhe 22 futbollistë (futbollistët Skënder Begeja, Besim Boriçi dhe Sllave Llambi morën pjesë edhe në garat e atletikës). Shqipëria fitoi medaljen e artë në futboll (skuadra kombëtare drejtohej nga Ljubiša Bro?i?, i cili fitoi titullin kombëtar të Italisë me Juventusin në vitet 1957-’58); medalje argjendi në 110 m/p me Belul Hatibin (argjend edhe në vitin 1947 në Festivalin e Parë Botëror të Rinisë, Pragë, 25 korrik-16 gusht 1947: 71 vende pjesëmarrëse) dhe dy të bronzta në stafetën 4×100 m për meshkuj dhe në hedhjen e granatës me Shaban Zenelin. Turneu i futbollit ishte i pari midis ekipeve kombëtare që u organizua në Europë mbas Luftës II Botërore.

Përfaqësuesja shqiptare në GANEFO përbëhej prej njëzet e dy sportistëve dhe dy sportiste. I shoqëronte Sami Kolaneci (anëtar i jurisë Ndërkombëtare të Apelit për basketbollin); Pjerin Muzhani (gjyqtar i basketbollit në ndeshjet Indonezia – Guinea 85-59, Kina – Brazili 89-64, Kina Indonezia 103- 70; Naim Pilku e Astrit Greva trajner dhe zëvendëstrajner; Alush Abdihoxha, arbitër i mundjes; Osman Palushi, kryeredaktor i të përjavshmes “Sporti Popullor”; Prokop Koreta gazetar, Niko Theodhosi, regjisor televiziv dhe operator i filmit, por edhe trajnerë, mjekë dhe masazhatorë.

Kryetar i delegacionit ishte Vasil Konomi, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Fizkulturistëve dhe të Sporteve të Shqipërisë. Ndërkohë, Kombëtarja e basketbollit mbërriti në Xhakarta nga Pekini së bashku me Kombëtaren e RP të Kinës dhe të RPD të Koresë, të cilat në kryeqytetin kinez kishin marrë pjesë në Kampionatin e Ushtrive të Vendeve Socialiste.

Përfaqësuesja e Shqipërisë në GANEFO I mund të kishte qenë më e madhe po të merrte pjesë kombëtarja e volejbollit (e 16-ta në Kampionatin Botëror të Moskës më 1962 dhe e 11-ta midis skuadrave europiane) dhe me atë të futbollit. Megjithatë, për shkak të problemeve financiare dhe të çështjes së vendeve në avion, pjesëmarrja u ngushtua, duke parapëlqyer vetëm praninë e basketbollit ndër sportet me skuadra (fituese Festivalit VIII të Rinisë në Helsinki, 27 korrik – 5 gusht 1962).

Për sa i përket futbollit, Partizani i Tiranës – Kampion i Shqipërisë dhe baza e Kombëtares – do të duhej të marrë pjesë mbas pak të GANEFO I në Spartakiadën III të Ushtrive Mike (dhjetor 1963; një kupë ndërkontinentale kjo, midis Shteteve socialiste) e detyruar të vuante dy udhëtime masakruese. Së pari, me avion nga Tirana në Moskë. Ndalesë në kryeqytetin rus për shkak të një jave me mot të keq dhe nga Moska në Pekin, e më mbas me tren Pekin-Nanning-Hanoi. Dhe, pavarësisht nga gjithë kjo, Partizani arriti deri në finale, i mundur më 15 dhjetor 2-0 (me shtesë) nga Ushtria e Kuqe Sovjetike, teksa më mbas u përball me kthimin shumë të gjatë. Me tren Hanoi-Guangzhou (Kanton)-Shanghai-Pekin-Ulan Bator-Irkutsk-Moskë, një ndalesë treditore këtu për të vazhduar me një fluturim Moskë-Budapest, një ndalesë një javë në kryeqytetin hungarez dhe në fund një fluturim Budapest-Tiranë, me avionin presidencial shqiptar. Gjithsej 13.251.04 kilometra. Ata u nisën më 20 nëntor 1963 për në RD të Vietnamit dhe u kthyen në atdhe më 20 janar 1964. Në futboll dhe volejboll, nëse Shqipëria do të kishte qenë e pranishme, ajo mund të synonte për medalje. Dhe tani le të shqyrtojmë gradualisht paraqitjen e shqiptarëve në sportet ku ata morën pjesë.

2. ATLETIKË E LEHTË

Paraqitjet shqiptare në këtë sport ishin të mira. Ramazan Driza mbërrin bronzin në disk dhe në gjyle duke qenë një nga tre atletët europianë (me përjashtim të sovjetikëve) që fitoi dy medalje individuale; të tjerët ishin Rusi AmedovPetrov dhe francezi Gilber Jost, të dy në mundje. Driza doli i katërti në çekiç, çka tregon përsosjen teknike të këtij atleti, kur më parë kishte qenë Kampion i Ballkanit për të rinjtë (disk) më 1961 në Rumani. Lumturi Markolaj – përveçse merr pjesë në 400 m. (gjysmëfinaliste) dhe në pesëgarësh (e 8-ta) ishte një nga protagonistet e finales historike, ku për herë të parë një femër arrin nën dy minuta – Sin Kum Dan e RPD të Koresë me 1’59″1. Lumturia është e pesta nga europianët, për çka “Zhenminzhibao” e Pekinit e 16 nëntorit 1963 e ngre lart arritjen e vajzës shqiptare. Finaliste dhe e para prej europianeve në vrapimin 200 metra (vendi 7) dhe në kërcim së larti (6-7); gjithashtu në 100 metra ishte Shaqe Nika. Vincenc Kacagjeli më parë një gjysmëfinalist në 400 metra me pengesa ishte i pafat në 400 metra. Po është fitues në baterinë 2 të ¼-tave, i treti në baterinë 2 gjysmëfinaliste. Nuk mund të vrapojë në finale për një dëmtim gjatë stërvitjes. Ndërkaq, vrapuesi i distancave të thella Njazi Dajçi rezultoi i pari nga europianët si në 10.000 metra (i 7-ti) dhe në maratonë (i 7-ti).

3. BASKETBOLLI

Turneu i basketbollit në GANEFO I ishte shumë interesant. Favoriti ishte “Confederação Brasileira de Basketball”, kampione e botës vetëm gjashtë muaj e pesë ditë më parë. Luajti edhe me basketbollistin më të mirë në Kupën e mëparshme të Botës 1963. Pjesë e saj ishte Amaury Antônio Pasos dhe kampioni tjetër botëror, Jatyr Eduardo Schall (edhe më 1959), plus dy kampionë të tjerë të botës 1959 Waldyr Geraldo Boçardo dhe Edson Bispo dos Santos; pa harruar edhe kampionët e botës universitarë (dy muaj e shtatëmbëdhjetë ditë më parë): Moysés Blás, Radvilas Kasimiras Gorauskas, Celso Maneschi dhe Arnaldo Santiago. Mikpritësit indonezianë ishin stërvitur nga amerikani Robert ‘Bob’ Ackerman, i cili i çoi në medaljen e argjendtë, falë fitores së paharrueshme kundër Brazilit (90-80) në grupin e vendeve 1-4: Brazili tashmë i mundur nga RP e Kinës në grupi B (89-64). Për më tepër, ekipi kombëtar i Filipineve fitues i Lojërave IV Aziatike një vit më parë – kishte fituar Kampionatin II të Azisë FIBA më 3 dhjetor 1963 (dhe bronzin në Kupën e 11-të të Botërorit FIBA 1954); të mos harrojmë se Filipinet janë vendi i dytë në botë – mbas Shteteve të Bashkuara të Amerikës – që filluan profesionalizmin në basketboll.

Këtu ishte pra dhe Shqipëria, fituese një vit më parë e Festivalit të Rinisë në Helsinki; Kina, e dyta në Kampionatin Botëror të Ushtrive Socialiste (dy muaj më parë) dhe objekti misterioz RPD Koreja, të cilat në fund do të fitojnë respektivisht ar dhe bronz. Gjithsej dhjetë vende u regjistruan për të përfaqësuar katër kontinente. Kombëtarja shqiptare doli e pesta, duke arritur katër fitore dhe tre humbje, madje më mirë se Brazili (i katërti) që në fund shënoi tri fitore dhe katër humbje. Gjashtëmbëdhjetëvjeçari Agim Fagu bëri debutimin e tij ndërkombëtar dhe pesë vjet më vonë fitoi flamurin e FIBA-s nga duart e presidentit, anglo-italianit Renato William Jones, më 18 dhjetor 1968 mbas ndeshjes PartizaniOransoda Cantù 73-73 të Kupës së Kampioneve. Saktësisht duhet të afirmojmë se basketbollisti shqiptar Vaso Shaka, me gjashtë ndeshje mjeshtërore, fitoi medaljen e artë që nuk ndahet kurrë: atë të pikëshënuesit më të mirë të turneut, duke i paraprirë lojtarëve të mëposhtëm (asokohe jepeshin vetëm 2 pikë për një kosh dhe 1 pikë për gjuajtjen e lirë): Vaso Shaka (Shqipëria) 193 pikë (6 ndeshje me mesatarisht 32,17 pikë për ndeshje); Joseph Dieng (Guinea) 147; Edson Bispo dos Santos (Brazil, Kampion Bote ’59) 121; Effendi Utomo (Indonezi) 144; Heng (Laos) 119; Liem Tjien Siong (Indonezi), basketbollisti më i madh indonezian i të gjitha kohërave) 145, etj..

Ja dhe Kombëtarja e Basketbollit

Shqiptar në GANEFO 1963:

Kosta PAPA (17 Nëntori – 2 pikë)

Agim LAHI (17 Nëntori – 25)

Bajram GJYRIÇI (Partizani – 20)

Renato RADOJA (Partizani – 62)

Agim FAGU (Partizani – 21)

Vaso SHAKA(17 Nëntori – 193)

Muhamet PERMETI (Partizani – 50)

Nevruz PERMETI (Partizani – 45)

Niko HERCEKU (Partizani – 14)

Bashkim QATIPI (Partizani – 16)

Patriot ALIAJ (Partizani – 6)

Bujar SHEHU (17 Nëntori – 11)

Gaqo DEMIRI (Partizani)

Petrit ZOTAJ (17 Nëntori)

NDESHJET (16-22 nëntor 1963): Grupi eliminator B: RPD Kore – Shqipëria 78-56; Shqipëria – Guinea 70-52; Filipine – Shqipëria 87-79; Indonezia – Shqipëria 104-89. Grupi për vendet 5-8: Shqipëria – Kamboxhia 82-81; Shqipëria – Filipinet 87-81; Shqipëria – Algjeri 2-0 (për shkak të tërheqjes së algjerianëve). Renditja përfundimtare: 1. RP Kina; 2. Indonezia; 3. RPD Kore; 4. Brazili; 5. Shqipëria; 6. Kamboxhia; 7. Algjeria; 8. Filipinet; 9. Guinea; 10. Laosi.

4. BOKSI

Në boks Shqipëria mori pjesë me tre boksierët: Rami Sadushi fitoi medaljen e argjendtë në peshën 57 kg., duke mundur palestinezin Omar Khalil Hammo në një të katërtat; kamboxhianin Neou Pheng në gjysmëfinale dhe duke humbur finalen me koreano-veriorin Han Jong Ho 3-2. Hysen Sharra fitoi medaljen e bronztë në peshën 81 kg. Ku do të kishte përballë sovjetikun Igor Evstingeneev, Makan Keila të Guinesë dhe Yusri Farid të Egjiptit. Martin Çeta në peshën 67 kg u mund në turin e dytë për shkak të një dëmtimi nga egjiptiani Sadik Hussain – kampion i Afrikës më 1962 dhe i argjendtë në Lojërat IV Mesdhetare të Napolit 1963. Ecuria dinjitoze e përfaqësueses, edhe pse pa medalje ari bëri që ajo me pikë të renditej në vendin e 6-të midis 13 shteteve: 1. Bashkimi Sovjetik; 2. RPD Koreja; 3. Egjipti; 4 Indonezia; 5. Guineja; 6. Shqipëria; 7. Kamboxhia; 8. Algjeria; 9. Siria; 10. Filipinet; 11. Japonia; 12. Palestina Arabe; 13. Iraku.

5. PESHËNGRITJA

I vetmi peshëngritës shqiptar, Besim Pulaj, ishte ndër protagonistët e kompeticionit të peshëngritjes në garën më të rëndësishme të GANEFO që ishte ajo e peshës 56 kg. Kjo ngaqë u arritën dy rekorde botërore: nga kinezi Li Jiyuan me 108 kg. në shkëputje dhe nga koreane Ri Jing Kan me 141 kg. në shtytje. Pulaj fitoi vendin e katërt dhe përmirësoi dy rekorde kombëtare shqiptare: në shkëputje me 100 kg. (nga 95 kg.) dhe në tregarësh me 260 kg (85 +75 + 100). (Autorët e librit shënojnë më tej pjesëmarrjen e peshëngritësve shqiptarë në Turneun Ndërkombëtar GANEFO (Pekin 20-26 maj 1966) të peshëngritësve Ymer Pampuri, Bujar Bodinaku, Faruk Kalleshi, Bajram Canka, Asim Belinova, Islam Malaj, e Telat Agolli, duke theksuar thyerjen prej tyre të 10 rekordeve kombëtare të asokohe).

6. QITJA

Dhe do të mbërrihej te ndërhyrja shqetësuese antishqiptare sovjetike. Qitësi shqiptar, Ismail Rama Kosova, i njohur përherë si njeri i thjeshtë dhe gjakftohtë, ka dhënë përherë maksimumin për të përfaqësuar sa më mirë qitjen e vendit të tij. Ky qëndrim e bënte atë që t’ia arrinte të përballonte me sukses të gjitha vështirësitë: emocionin, si të thuash, klasik të një gare të tillë ndërkombëtare, të nxehtin e madh, mosnjohjen e mirë të poligonit etj.. Ndërkaq, atij iu desh të përballej me një tjetër ngjarje edhe më të vështirë. Ishte trysnia e madhe e krijuar ndaj tij nga anëtarët e skuadrës sovjetike me pretekstin se qitësi shqiptar po vazhdonte garën në kundërshtim me rregulloren. Në atë çast përgjegjësi i ekipit shqiptar iu drejtua menjëherë gjyqtarëve. Dhe u konstatua se gjithçka ishte krejt normale dhe e rregullt. Ismaili vazhdoi garën me vendosmëri duke arritur objektivin e tij. Ndërhyrja e skuadrës sovjetike nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të shkualifikuar qitësin shqiptar ngaqë në fakt po krijoheshin kushtet për të lënë mbrapa qitësit sovjetikë, gjë që ndodhi. Ekipi sovjetik ishte shumë i fortë. Mjafton të përmendim Elena Alxandrova Donskaja – kampione e botës më 1958 si ekip dhe individuale më 1958 e 1962; Viktor Petroviç Avilov Kampion i Europës 1965, i botës 1970 e të tjerë. Mbas sjelljes jokorrekte sovjetike në dëm të qitësit shqiptar Ismail Rama, Kosova në pushkën e kalibrit të vogël me 60 të shtëna nga 50 m, do të arrihet te medalja e argjentë e Ramës; vend i 13-të i tij në 3×40 në 50 metra. Si dhe vendii 10-të i Rexhep Rrapushit në 3×40 në 50 metra dhe i 13-ti në 1×60 po në 50 metra. Çka e çoi Shqipërinë në vendin e tretë në tabelën e medaljeve mbas RP të Kinës dhe BRSS.

* Më poshtë renditen Filipinet, Algjeria, Finlanda, Hungaria, Franca, Bullgaria, Çekosllovakia, Guineja, Maroku, Holanda, Brazili, Meksika, Palestina Arabe, Uruguai, RD Vietnam, RD Gjermane.

Pa fituar asnjë medalje vijnë: Afganistani, Arabia Saudite, Belgjika, Bolivia, Ceiloni, Kuba, Kili, Rep. Dominikane, Italia, Jugosllavia, Laosi, Mali, Rumania, Somalia, Tailanda.

* Foto janë marrë nga libri.



Lexoni të gjitha në Bota Sot