Filmi për masakrën e Stërpcit në Bosnje dhe Hercegovinë fiton Palmën e Artë për metrazhin e shkurtë në Kanë

- Bota Sot

Filmi për masakrën e Stërpcit në Bosnje dhe Hercegovinë fiton Palmën e Artë për metrazhin e shkurtë në Kanë

Filmi i shkurtër për Masakrën e Stërpcit në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1993, i regjisorit kroat Nebojsha Slijepceviq, ka fituar “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë.

Filmi bazohet në një krim lufte të kryer në stacionin hekurudhor të Stërpcit në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1993.

Historia ndjek një tren pasagjerësh që udhëton nga kryeqyteti serb Beograd për në Bar, një qytet portual në Mal të Zi gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje. Forcat serbe të Bosnjës e ndaluan atë në një stacion të vogël në Stërpci në Bosnje.

Pasi morën një informacion se pasagjerë myslimanë boshnjakë ishin në tren, ata morën 20 prej tyre dhe më vonë i ekzekutuan. Rreth 500 pasagjerë ishin dëshmitarë të kësaj, por askush nuk guxoi të përballej me ta, përveç Tomo Buzovit, një oficer në pension i Ushtrisë Popullore Jugosllave, i cili po udhëtonte për të vizituar djalin e tij.

Të burgosurit, përveç Buzovit që ishte me origjinë nga Kroacia, ishin kryesisht boshnjakë. Ata u dërguan nga stacioni i Stërpcit në një shkollë në Prelovo, ku fillimisht u sulmuan. Më pas ata u dërguan në një shtëpi të djegur në fshatin Musici dhe u ekzekutuan.

Regjistori Slijepceviq për BIRN e pranoi se nuk e dinte për aktin heroik që i kushtoi Buzovit jetën deri pesë vjet më parë, kur ai lexoi një artikull të gazetarit dhe shkrimtarit të famshëm kroat Boris Dezuloviq.

“Dezuloviçi shkroi një tekst të jashtëzakonshëm që merret me vlerësimin e sotëm të heroizmit të Buzovit dhe në fakt me tezën se ai është harruar dhe se sakrifica e tij nuk përkujtohet në mënyrë adekuate, kryesisht sepse ajo nuk i përket asnjë narrative nacionaliste. Edhe pse ai është kroat, sipas disa standardeve nacionaliste kroate ai është ‘i dobët’ sepse e jetoi jetën e tij si një kapiten i Ushtrisë Popullore Jugosllave në Beograd” – tha Slijepceviq.

“Sipas standardeve të nacionalistëve serbë, ai është gjithashtu i padëshirueshëm sepse u vra pasi u përball me një formacion paraushtarak serb. Dhe boshnjakët e harronin Buzovin kur përkujtonin viktimat e këtij krimi, sepse ai nuk është mysliman. Buzovi disi nuk i përket asnjë vendi sepse ai është mbi të gjitha ato narrativa. Ishte teza e artikullit të Dezoluviqit që më frymëzoi dhe e pashë menjëherë filmin” – shtoi ai.

Treni nr. 671 në vitin 1993 nga Beogradi për në Podgoricë kalonte nëpër një pjesë të vogël të Bosnjës dhe Hercegovinës, por zakonisht nuk ndalonte në Strpci. Por këtë herë, siç tha Zeljko Radojiciçi, i cili drejtonte trenin, në një gjykatë në Beograd, ai u ndalua në stacionin boshnjak.

Një grup njerëzish të armatosur – kryesisht anëtarë të një njësie paraushtarake serbe të quajtur Avengers (Osvetnici) – të udhëhequr nga Milan Lukiç, hipën në tren dhe filluan të kontrollonin identitetin e pasagjerëve.

As policia në trenin në Stërpci dhe as pasagjerët e tjerë nuk reaguan kur Avengers filluan të merrnin njerëz sepse mendonin se po kërkonin dezertorë të ushtrisë.

I vetmi person që u ngrit kundër tyre ishte Buzovi.

Tridhjetë e një vjet më vonë, familja ende nuk e ka gjetur trupin e tij. Djali i tij, Darko Buzov, i tha BIRN në vitin 2022 se informacioni për atë që ndodhi në tren është i paplotë, por, sipas asaj që i thanë, babai i tij ndërhyri në përpjekje për të mbrojtur një të ri nga Mali i Zi që të mos merrej nga luftëtarët.

Darko Buzov tha se shumë njerëz i kanë quajtur veprimet e babait të tij heroike, por ato në fakt ishin “veprime të një prindi, asgjë më shumë; në atë moment ai reagoi si baba i një djali”.

Slijepceviq thotë se qëllimi kryesor i filmit të tij është të detyrojë shikuesit të mendojnë se si do të reagonin në situatën në të cilën u gjend Buzovi. Ai thotë se përveç aktit heroik të Buzovit, i interesonte edhe qëndrimi i të gjithë personave të tjerë në tren, me të cilët, thotë ai, disi identifikohej, raporton Kallxo.com.

“Kisha ndjesinë se ishte një metaforë për përvojën tonë kolektive. Ne ishim shumë pasagjerë në një tren të përbashkët që u gjend përballë një fatkeqësie. Shumica dërrmuese prej nesh në fakt heshtim për të gjitha, duke mbajtur kokën ulur, por ne të gjithë mbajmë një barrë prej saj. Unë, në fakt, isha i interesuar për këtë – pashë në të një situatë që mund të zbatohet në një përvojë shumë më të gjerë përveç asaj që ndodhi në tren” – shpjegoi ai për BIRN.

Prandaj, shton ai, ai sheh në historinë e trenit nr. 671 një lidhje me kohët e sotme në shumë situata ku kërcënohen të drejtat e pakicave.

Që nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi, janë bërë shumë filma që kritikojnë shpërbërjen e përgjakshme të ish-shtetit të bashkuar, por forcat nacionaliste mbeten të forta pothuajse në republikat e pavarura të krijuara si rezultat i atyre luftërave.

“Procesi i pajtimit nuk ka përfunduar. Pjesërisht sepse nuk ka kaluar shumë kohë nga lufta. Viktimat, kriminelët dhe dëshmitarët e asaj kohe janë ende gjallë”, tha Slijepceviq.

“Nga ana tjetër, ka një tendencë të theksuar për të shmangur katarsisin. Forcat nacionaliste të krahut të djathtë në të gjitha vendet e rajonit po punojnë për të parandaluar shërimin e plagëve, sepse polarizimi është materiali i tyre” – shtoi ai.

Tre paraushtarakë të dyshuar serbë, Gojko Lukiç, Dusko Vasiljeviq dhe Dragana Djekiq, janë aktualisht në pritje të fillimit të një rigjykimi në Beograd për krimin e Stërpcit. Ai ishte planifikuar të fillonte në janar, por seanca u shty, si dhe dy të tjera në vijim, në prill dhe maj. Seanca e radhës është caktuar për në qershor.

Një i pandehur tjetër, Jovan Lipovaç vdiq në shkurt, ndërsa një tjetër, Ljubisa Vasiljeviç, vdiq në korrik 2021. Në tetor 2023, Gjykata e Apelit e Beogradit anuloi vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi një rigjykim në këtë rast. Në këtë vendim, të shkurtit të vitit 2023, Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi Lukiçin, Vasiljeviqin, Lipovaqin dhe Djekiçin me gjithsej 35 vjet burg.

Dhjetë ushtarë të tjerë serbë të Bosnjës të kohës së luftës janë dënuar tashmë për përfshirje në krimin e Strpcit, në Bosnje dhe në Mal të Zi.

Gjykata shtetërore e Bosnjës dënoi ish-komandantin e Togës së Ndërhyrjeve të Brigadës së Visegradit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Boban Indjiç, me 15 vjet burg në janar të vitit të kaluar.

Në tetor 2022, gjykata shtetërore e Bosnjës shpalli gjithashtu shtatë ish-ushtarë nga Brigada e Dytë Podrinje e Ushtrisë Serbe të Bosnjës fajtorë për përfshirje në rrëmbime dhe vrasje. Gjykatësi në gjyq tha se Milan Lukiç mori pjesë në ekzekutimin e 18 civilëve të kapur.

Gjykata shtetërore e Bosnjës dënoi Mico Joviciqin, një vullnetar paraushtarak nga Serbia, me pesë vjet burg pasi ai bëri një marrëveshje për pranimin e fajësisë në vitin 2016.

Një gjykatë në Mal të Zi dënoi një tjetër vullnetar paraushtarak, Nebojsa Ranisavljeviq, me 15 vjet burg për krimin e Stërpcit.

Organizatori i dyshuar i krimit, Milan Lukiç, aktualisht ndodhet në burg në Estoni pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, e dënoi atë me burgim të përjetshëm për krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje, por jo për vrasjet në Stërpci.



Lexoni të gjitha në Bota Sot