Letra e profesor Ymer Berishës derguar gjeneralit anglez Hadgsonit

- Bota Sot

Letra e profesor Ymer Berishës derguar gjeneralit anglez Hadgsonit

Dihet se edhe Jugosllavia gjatë vitit 1945 po lëvizte vazhdimisht drejt Bashkimit Sovjetik. Ky kalim nuk u mirëprit nga aleatët perëndimorë edhe në Konferencën e Pozdamit, 17 korrik-2 gusht 1945, ku Çerçili i zemëruar kishte theksuar: “Raporti i influencës në Jugosllavi kishte ndryshuar 90% me 10% në favor të rusëve”.

Lufta e NDSH-së është një kaptinë më vete e historisë shqiptare, ku forcat e rezistencës nacionaliste u thyen si rezultat i raportit të disfavorshëm të forcave si dhe të mospërkrahjes së mjaftueshme të faktorit ndërkombëtar. Dëshmia më e mirë, e cila e shpjegon ketë gjendje të këtyre forcave është raporti i Ymer Berishës dërguar gjeneralit anglez Hadgson.

Gjatë kësaj kohe, në terren Kol Bibë Mirakaj dhe vëllai i tij Pashuk Biba vepronin në Iballë të Pukës, kurse Muharrem Baj­raktari dhe Mark Gjon Markaj qarkullonin në Lumë dhe Mirditë. Kol Bib Mirakaj përpiqet të formojë në zonën e Iballës (40 km në verilindje të Shkodrës) një grup të ri të forcave politike. Ka raporte të mira me gjermanët, por nga ana tjetër, ka lidhje me anglofilin Muharrem Bajraktarin dhe krahas kësaj është në lidhje me anglezët në zonën Krasniqe-Tropojë, nga të cilët ka marrë edhe armë.

Sipas dokumentacionit arkivor të Ministrisë së Brendshme të shtetit shqiptar, A. Rankoviqi, më 24 janar 1946, e informon Koçi Xoxen se Muharrem Bajraktari, duke bashkuar disa krerë të fiseve dhe me ndihmën e oficerëve anglezë, të cilët nuk janë zyrtarisht në Shqipë­rinë e Veriut, po punojnë kundër qeverisë dhe se ata po përgatiten për një kryengritje të përgjithshme në pran­verë. Sipas propagandës komuniste, ata u trajtuan si element që mbështeteshin në reaksionin e jashtëm, e sidomos në atë anglez. Shqipëria në periudhën e parë të pasluftës ishte shndërruar në një satelit të Beogradit.

Ymer Berisha, Sylejman Vuçiterna dhe shumë intelektualë të tjerë në Kosovë bënin propagandë në Kosovë për lidhje bashkëpunimi me aleatët anglo-amerikanë.

Diplomacia angleze dhe misioni i saj në Shqipëri kërkonin nga PKSH-ja bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ymer Berisha, përmes Pashuk Bibës, shfrytë­zonte edhe lidhjet e Kolë Bibës në Bari të Italisë.

Lëvizja e rezistencës shqiptare, qysh prej ditëve të para të formimit dhe të veprimtarisë, mbante lidhje të ngu-shta ndërmjet vete. Këto lidhje ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare” dhe misionit anglez mbaheshin me përkushtim dhe sakrifica. Zakonisht ato udhëhiqeshin për­mes lidhjeve, përmes ambasadave, që ndodheshin në Shkup e në Tiranë. Njoftimi me kohë për gjendjen aktuale dhe për dhunën ishte i rëndësishëm. Jo pa qëllim Ymer Berisha i drejtohet Hadg-sonit, në emër të popullit të Dardanisë Iliriane, duke përshkruar situatën e rëndë poli­tike në Kosovë: “Ushtria jonë nëpër male është e gatshme për luftë. Më vete e ka me zemër e me shpirt tërë popullin. Por, fatkeqësisht, na mungojnë armët dhe pajisjet. Prandaj me vetëdijen e të vuaj-turit, presim çdo urdhër e ndihmë për ata që po vuajnë tash 11 mu­aj...”.

Autori i kësaj përkujtese si dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore po përjetonin çaste nga më të vështirat. Në rrethana tejet të vë­shtira, një pjesë e nacionalistëve nuk u lëkundën, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për shpëtim dhe liri. Berisha me shokë nuk zgjodhën rrugën e servilizmit ndaj pushtetit të ri që do t’u siguronte pozita dhe privilegje. U përcaktuan për liri pavarësisht nga çmimi. Realisht Britania e Madhe nuk e shihte me sy të mirë regjimin e ri komunist shqiptar. Madje, raportet në mes dy vendeve ishin të tilla që i shkonin më për shtat gjendjes së luftës, sesa asaj të pa­qes.

Nga të dhënat e lartshënuara dhe burimet arkivore shihet se Hadgsoni kishte informata të shumta për gjendjen e shqiptarëve në viset shqiptare në Jugosllavi.

Ndonëse ishte i informuar për bashkëpunimin ndër-mjet PKJ-së dhe PKSH-së, Ymer Berisha në promemorien e tij nuk flet dhe nuk e akuzon shtetin shqiptar. Në fakt Hadgsoni për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi e fajësonte edhe PKSH-në dhe udhëheqjen e saj duke u deklaruar se “fakti që kanë rënë dakord ta humbasin këtë hapësirë me shumicë shqiptare konfirmon se sa të shitur janë tek Jugosllavia”. Ai mendonte se ekzistonin shumë tregues që regjimi i Shqipërisë komuniste synonte të bashkohej me Jugosllavinë.

Formulimi i kësaj promemorieje ishte edhe një apel, në mënyrën më të civilizuar e humane, për situatën që për­jetonte gjysma e kombit. Promemoria për Hadgsonin nga Berisha, në emër të shqipta­rëve të Jugosllavisë së atëhershme, kishte për qëllim që Britanisë së Madhe t’i ofronte një pas­qyrë reale mbi vuajtjet e tyre. Duke e paraqitur qëlli­min e Beogradit zyrtar, Mbretëria e Bashkuar do të informohej lidhur me veprimet që bënin pushtuesit e që ishin:

persekutime të të gjitha llojeve për ta bërë të detyrueshëm nënshtrimin dhe pranimin e okupatorit të vjetër me emër të ri;

akuza ndaj shqiptarëve se kishin bashkëpunuar me okupatorin dhe

dhunë e vrasje për ata që nuk pranonin të nënshtroheshin.

Ymer Berisha e informonte Hadgsonin se nacio­nalistët e Kosovës, ndonëse bukur mirë të armatosur, duke parë se partizanët në atë kohë kanë qenë të ndihmuar nga anglezët, nuk iu kundërvunë atyre, duke shpresuar se nuk do të guxonin nga aleatët të shkaktonin dhunë ndaj shqiptarëve. Arsyetimi tjetër i Berishës ishte se rezistenca kundër parti­zanëve, derisa forcat gjermane ishin në trojet shqiptare, dukej e dëmshme për ushtrinë aleate.

Në fakt partizanët, duke e marrë pushtetin, i çarmatosën shqiptarët me premtimet se do t’u jepej liria e plotë. Por, në vend se t’u japin lirinë, filluan t’i robërojnë. Shtrohet pyetja: nga kush e kishin frikën pushtuesit e rinj komunistë? Pikërisht nga paria, nga familjet e mëdha e të njohura për tradita atdhetare, nga bajraktarët dhe familjet që kishin reputacion. Ata ishin të vetëdijshëm që me nënshtrimin e atyre fa­mi­ljeve me tradita dhe autoritet nënshtroheshin shumë më lehtë familjet e vogla.

Jo rastësisht, në ballë të nacionalistëve ish­in atdhetarë nga dyer të mëdha dhe me autoritet, kurse partizanët udhëhiqeshin nga njerëz shumica prej të cilëve nuk kishin mbështetje as në rrethin e ngushtë familjar.

Duke e informuar gjenaralin për luftën e Drenicës, Berisha përshkruante fenomenin e ballafaqimit babë e djalë; se si babai ndodhej në ushtrinë çlirimtare të Shaban Polluzhës, kurse djali, i mobilizuar me dhunë, ndodhej tek ushtria partizane për të luftuar ndërmjet tyre.

Tashmë, pas rezistencës së njohur, më 18 shkurt 1945, kishin rënë në frontin e luftës edhe katër komandantët e rezistencës kombëtare: Shaban Polluzha, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe togeri Gani Agaj i Llaushës. Të gjithë ishin atdhetarë të shquar dhe nga familje të mëdha me tradita. Ishin paria shqiptare, të cilët qytetarët i donin dhe i mbështesnin qoftë për të kaluarën e tyre familjare të dëshmuar historikisht, qoftë për kauzën e drejtë për çlirim nga komunistët.

Berisha, te raporti për gjeneralin anglez, për herë të parë, jep një shifër për numrin e të vrarëve të shqiptarëve të mobilizuar në Masakrën e Tivarit, ku thekson se numri i të vrarëve saktësisht nuk mund të dihet. Dihet vetëm se në Mal të Zi janë vrarë brenda 24 orëve 1670 njerëz.

Ai thekson, jo pa qëllim, se shqiptarët presin nga Anglia, si sjellëse e lirisë në Evropë, dritë dhe shpëtim. Shpresën shqiptarët e kishin orientuar në tërësi në drejtësinë anglo-amerikane. Duke i njohur shumë mirë qëndrimet antikomuniste anglo-amerikane, Berisha konkludon se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm të luftojnë kundër par­tizanëve.

Promemoria ishte shkruar në emër të Orga­nizatës “Besa Kombëtare” dhe ishte nënshkruar nga vetë autori Ymer Berisha si Kryetar i Kuvendit të Organizatës dhe Kryetar i Kuvendit të Ushtrisë Kombëtare si dhe nga anëtarët e kryesisë që ishin prezentë. Gjatë pasqyrimit dhe vlerësimit mbi gjendjen e rëndë të bashkë­kombësve të tyre tek Ymer Berisha nuk manifestohej kurrfarë dashal­igësie kundër popullit jugosllav, por dilte qartë revolta kundër dhunës që ushtrohej ndaj shqiptarëve dhe dëshira për lirinë e tyre.

Prej aty kuptohet se shqiptarët e kishin kuptuar prej kohësh se, vetëm përmes qëndrimeve dinjitoze politike e njerëzore, akteve të mençura diplomatike e trimërisë qytetare e kombëtare, çështja shqiptare do të mund të merrej në konsideratë nga Qeveria e Londrës, çfarë ishte pikësynimi jetik i Ymer Berishës.

Me ndjesinë e thellë që e karakterizonte Berishën, ai i parashtroi vetes dy misione. Së pari të demantonte përrallat serbe për respektimin e të gjitha të drejtave për shqiptarët dhe së dyti t’u binte kambanave për veshin e aleatëve anglo-amerikanë. Siç vërehet, nëpërmjet të dhënave të detajuara, Berisha përpiqet të gjejë forma më të avancuara shpjeguese, si orientim për udhëheqjen e aleatëve anglo-amerikanë drejt thelbit të këtyre problemeve. Gjatë paraqitjes së këtyre të dhënave, nuk është e vështirë ta dallosh intuitën e tij për të nxjerrë në pah telashet e të sotmes dhe dilemat e së ardhmes.

Të dhënat e shumta në këtë promemorie, shikuar nga këndvështrimi i mohimit të të drejtave njerëzore dhe politike të shqiptarëve, tregojnë seriozitetin e situatës dhe angazhimin e Berishës për trajtimin e kësaj çështjeje jetike, që e kishte peshën e kohës, por me peshë edhe për historiografinë tonë.

Promemoria është shkruar me kujdes, me gjuhë të pastër dhe të rrjedhshme. Gjithsesi shquhet edhe ori­gj­inaliteti i shprehjes dhe horizonti i gjerë intelektual dhe kulturor i Ymer Berishës. Sipas sigurimit shtetëror jugo­sllav, në referatin për komitetet nacional-demokratike gjykohet letra e Berishës se gjoja po u jepte informacione të rrejshme anglezëve lidhur me regjimin e ri jugosllav me qëllim të rrënimit të autoritetit të Jugosllavisë në Perë­ndim.

Raporti dërguar Hadgsonit kishte rënë në duart e OZN-ës, sepse korrieri ishte bashkëpunëtor i sigurimit shtetëror jugosllav. Kjo nuk ishte hera e parë që një njeri i tillë ishte infiltruar në radhët e lëvizjes. Ymer Berisha nuk pati rastin të merrte përgjigjen e shumë pyetjeve që i kishte bërë Hadgsonit, as t’u përgjigjej atyre pyetjeve që kishte marrë nga personalitete të tjera kom­bëtare, sepse u vra nga komunistët jugosllavë. Edhe sjellja mospër­fi­llëse e Enver Hoxhës me oficerët britanikë të ndërlidhjes tregonte qartë qëndrimin e tij.

Gazeta “Bashkimi”, e datës 30 janar 1947, në faqen e parë me shkronja të mëdha shkruante se “Gjenerali Hadgson, ish-kryetari i misionit ushtarak anglez në Tiranë, i ka premtuar kriminelit Muharrem Bajraktarit se do ta ndihmonte me armë, financiarisht dhe moralisht një kryen­gritje për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri”. Si dëshmi, kjo gazetë e publikon faksimilen e letrës së Muharrem Bajraktarit, dërguar gjeneralit Hadgson, më 28 korrik të vitit 1945. Më poshtë po e paraqesim letrën e plotë të prof. Ymer Berishës derguar gjeneralit Hadgson dhe nënshkruesit e saj.

“SHKËLQESISË SË TIJ GJENERAL BRIGADE HADGSON”

Shefit të Misionit ushtarak anglez në Shqipëri -Tiranë

Shkëlqesi

I tërë populli i Dardanisë Ilire (Kosova) me hidhë-rim në zemër, për shkak të terrorit dhe torturës nga ana e partizanëve, nëpërmjet Shkëlqesisë suaj, dërgon këtë pro-memorie;

Më 15, 16, 17 dhe 18 nëntor, pas shkuarjes të ush­trisë okupatore, kanë hyrë partizanët nëpër qytetet e Kosovës, madje pjesërisht janë futur edhe nëpër fshatra.

Populli i Kosovës, i cili asnjëherë nuk ka qenë i arma-tosur aq fuqishëm dhe aq mirë sa në ketë kohë, duke parë se partizanët në atë kohë kanë qenë për shkaqe politike të ndihmuar nga anglezët, nuk iu kundërvunë, sepse asnjëherë nuk besonte se ata do të guxojnë nga aleatët, bazuar në Kon­tratën e Antantës, të bëjnë atë terror dhe ta gjakosin popu­llin, siç kanë bërë. Në anën tjetër, rezistenca e fortë kundër partizanëve, deri sa ishin forcat gjermane në Ballkan, neve na dukej si e dëmshme për ushtrinë aleate. Kjo pra ishte arsyeja që në fillim të pranverës i pranuam partizanët në Kosovë pa asnjë kundërshtim.

Mirëpo, ata, pak nga pak, duke e marrë pushtetin në duart e tyre në bashkëpunim me partizanët malazezë, serbë, bullgarë dhe maqedonas, në tërësi e çarmatosën popullin e këtushëm, duke i dhënë mijëra premtime se do t’i jepet po-pullit liria e plotë. Për fat të keq, ata posa e grum­bulluan tërë armatimin, në vend se t’ia japin lirinë popullit, të cilën ia premtuan, filluan ta robërojnë atë, duke kryer mbi të një terror dhe dhunë të paparë në historinë njerëzore.

Në shumë vise njerëzit janë torturuar deri në vdekje, sepse u kërkoheshin armë e ata nuk kishin si t’i japin, sepse nuk e kishin; i tillë është shembulli në fshatin Krajkë në afërsi të Prizrenit.

Pasi u grumbullua armatimi, u burgos paria, baj­raktarët dhe personalitetet e njohura u dërguan në burgjet më të rënda, ku shumica vdiqën nga uria. Për shembull, Xhevat Beu nga Peja, kur u burgos peshonte 93 kg, ndërsa pas 45 ditëve sa qëndroi në burg, kur u lëshua, peshonte vetëm 36 kg. Duke e parë se përkundër kësaj ai akoma është gjallë, ata i jepnin me forcë të pijë horasan të tretur në ujë, dhe pas kësaj ai vdes. Në mbrëmje ata i merrnin 10-15 prej tyre nga burgjet dhe duke kënduar e luajtur i vrisnin, më së shpeshti nëpërmjet torturës, duke i rrahur, vrarë, therur e varur, ndër-sa disa herë edhe duke u rënë me tokmak në kokë, duke i shpuar me gjilpërë në thua, duke i goditur brinjëve, duke u prerë pjesë të trupit, deri sa akoma ishin gjallë. Përveç këty-re akteve të shëmtuara duhet shtuar se partizanët talleshin gjoja se kanë ardhur të blejnë mish me fjalët: “mate edhe për mua një kg mish”. Shpeshherë ua shponin trupin me gozhdë të skuqur.

Shkëlqesi, nëpërmjet këtyre torturave dhe barbarizmit të paparë, kanë vdekur me mijëra shqiptarë të pafajshëm në Kosovën jetime. Vdekje të këtillë kanë përjetuar edhe kryefamiljarët për një arsye që kanë qenë prindër të mirë dhe se me shtëpinë kanë udhëhequr mirë dhe i kanë edukuar drejt më shumë se katër djem.

Në fshatin Muzhevinë, nënprefektura e Istogut, për-veçse janë vrarë të gjithë meshkujt e fshatit, vriten edhe 13 anëtarë, fëmijë dhe gra të familjes të Rexhep Halitit, vetëm për shkak se në rrugë ishte vrarë një partizan.

Të gjithë oficerët e ushtrisë popullore, të cilët kanë qëndruar në Kosovë janë vrarë me tradhti dhe janë hedhur në lumin Drin. Shtatëdhjetë e pesë (75) personalitete të njo-hura nga Drenica janë vrarë, duke u rënë me tokmak në kokë dhe të njëjtit janë hedhur në një gropë të madhe. Për këtë arsye i tërë populli i kësaj krahine, e cila numëron 35.000 banorë, u ngrit në këmbë dhe lëshoi zërin e hidhë-rimit: “Ja vdekje ja liri”. Mbi 6.000 e filluan luftën e njohur si Lufta e Drenicës, sepse u zhvillua në atë krahinë dhe nga ai popull. Babai atëherë ndodhej në ushtrinë e popullit, djali me dhunë ndodhej te ushtria partizane, do të thotë, babai luftonte kundër djalit, ndërsa djali kundër babait, vëllai kundër vëllait. Çfarë tragjedie! Sa banorë të kombit shqiptar janë zhdukur?

Lufta e Drenicës filloi më 22 janar, ndërsa përfundoi më 18 shkurt të vitit 1945. Shqiptarët ishin të rrethuar prej 12-15 brigadave partizane, të cilat numëronin, siç deklaronin robërit e luftës, nga 36.000-50.000 ushtarë të përkatësisë shqiptare, malazeze, serbe, maqedonase, bullgare.

Gjatë atyre 28 ditë luftimesh, u vranë dhe u plagosën shumë luftëtarë nga Drenica, asnjë nuk u zu rob, u grabitën dhe u dogjën mbi 150 shtëpi. 6.000 banorëve të Drenicës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës me rrethet iu grabit i tërë ushqimi dhe pasuria e tundur. Nga ushtria partizane 6.000 u plago-sën, 2550-/8000/ u vranë dhe 850-/7000/ u zunë robër.

Më 18 shkurt 1945 ranë në frontin e luftës edhe katër komandantët legjendarë të ushtrisë kombëtare për liri: Shaban Polluzha, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe Gani Llausha. Ata ranë duke luftuar në shkretëtirën, që ishte krijuar nga trupat armike, prandaj ata e bënë rezistencën e fundit vetëm e vetëm që të mos bien gjallë në duart e armikut. Këtë ditë përfundoi lufta në Drenicë, sepse ranë heronjtë e kësaj lufte dhe u harxhua i tërë municioni.

Pas luftës së Drenicës, sikur u ndërpre terrori në Ko-sovë, deri në votimet në fillim të shtatorit, 5-13 shtator, ku ushtria partizane filloi operacionin, duke e parë se të arrati-surit në mal nuk kthehen për të votuar. Filluan operacionin e ashpër nëpër fshatra, ku therën dhe dogjën mijëra njerëz të pafajshëm, të cilët punonin nëpër fusha dhe ishin fajtorë vetëm për atë se nuk e kishin pasur në krye yllin e kuq, se nuk e kishin pasur në xhepin e tyre letrën e lëshuar nga udhëheqja partizane, ose se ju kanë dhënë fshehurazi natën bukë ushtrisë kombëtare, e cila qëndronte në male. Kështu, për shembull, janë vrarë brenda 24 orëve në nënprefekturën e Suharekës, afër Prizrenit 160 punëtorë, sepse nuk kanë votuar në favor të partizanëve. Atyre ditëve janë mbajtur fjalime nëpër qytete dhe fshatra ku është deklaruar se kush nuk do të votonte për Titon, do të ekzekutohej bashkërisht me familjen. Më vonë, gjatë 12 shtatorit 1945, tellalli nëpër qytete thërriste: burra, gra, vajza dhe djem nga 18 vjet e më lart, të cilët nuk do të vijnë të votojnë, do të paguajnë gjobë prej 5.000 dinarësh; ata bashkërisht me familjet e tyre do të internohen për 6 muaj.

Më 13 shtator u mbajtën zgjedhjet për kryetar ko-mune. Me këtë rast janë dërguar në votime me lesa edhe të sëmurit dhe të moshuarit. Votimet mbaheshin nën presionin e armës dhe “kokrrat” (votat) janë vendosur atje ku kanë dëshiruar partizanët. Të drejtë votimi nuk kanë pasur të gjithë ata shqiptarë, qytetarë dhe fshatarë, që kanë qenë të dyshuar se kanë lidhje me njerëzit në male, ndërsa në votime kanë qenë gratë dhe vajzat e tyre. Partizanët shkaktuan gri­ndje në shumë familje, ku e ndanë babanë nga djali dhe anasjelltas.

Pas Luftës në Drenicë nisi mobilizimi i tërë mesh-kujve, nga mosha 14-15-vjeçare, me qëllim të largimit nga vendlindja, që të mos mund të bëjnë luftë kundër parti-zanëve. Me këtë, zoti e di se sa familje shkatërruan, duke i lënë në pasiguri dhe varfëri të për­jetshme.

Në anën tjetër, shumë familje malazeze dhe serbe u vendosën me forcë në shtëpitë e familjeve shqiptare, duke i detyruar që bashkërisht të jetojnë në një oborr, shtëpi, madje edhe në një dhomë. Përkundër kësaj, në emër të popullit dhe ligjit, janë marrë edhe masa të tjera. Ata na e kanë marrë tokën tonë shqiptare dhe ne jemi të detyruar t’i paguajmë shumë shtrenjtë nevojat ekzistenciale dhe të jetojmë me keq se robërit dhe të punojmë për ta më keq se shërbëtorët e tyre. Kjo, pra, ka qenë liria për popullin shqiptar.

Bashkërisht me djemtë i kërkonin edhe vajzat shqip-tare që të bëhen partizane, duke i vendosur në radhët e ushtrisë. Për këtë shkak, shqiptarët kanë qenë të detyruar në të shumtën e rasteve, që t’i martojnë vajzat e tyre pa praninë e burrit të saj, ose pa praninë e përkohshme të tij, meqë burrat e tyre gjendeshin në ushtri. Të martohet vajza pa qenë burri i saj në shtëpi - kjo nuk ka ndodhur më parë!

Shumë partizanë shqiptarë qenë vrarë ose zhdukur në luftërat e shteteve të tjera ballkanike. Shumica e tyre janë vrarë si njerëz të dyshimtë nga vetë partizanët, kur e kanë filluar kryengritjen në Kosovë. Numri i të vrarëve saktë­sisht nuk mund të dihet. Dihet vetëm ajo se në Mal të Zi janë vrarë brenda 24 orëve 1670 njerëz, në Dubrovnik 5600, ndërsa në rrugën Prizren-Shkodër 700.

Deri sot, përafërsisht janë masakruar dhe vrarë më shumë se 26.000 banorë, në këto qytete dhe rrethet e tyre: Prizren, Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Pejë, Istog, Plavë, Guci, Skenderaj, Rozhajë, Tutin, Pazari i Ri, Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Prish­tinë, Gjilan, Ferizaj. Shumica e tyre kanë qenë të pafajshëm dhe u është marrë pasuria dhe fë-mijët e tyre kanë ngelur pa kurrfarë mjetesh për ekzistencë. Banorët e Pejës janë detyruar t’i lëshojnë shtë­pitë e tyre dhe u është ndaluar të kthehen në vendlindje, për arsye se par-tizanët kanë dyshuar në ta se ushqenin ushtrinë kombëtare në mal. Në këtë mënyrë, partizanët deportuan qindra familje, pa kulm mbi krye dhe pa ushqim. Shumica e e kryefamil-jarëve arritën të shpëtonin nga kamxhiku i partizanëve. Arsyeja për këtë ishte se u ishin bashkuar çetave të shumta të ushtrisë kombëtare nëpër malet e Kosovës, duke luftuar 11 muaj pandërprerë kundër partizanëve, duke vuajtur për mungesë të ushqimit dhe veshmbathjes. Sot gjenden nëpër male dhe kodrina rreth 4.000 ushtarë të zgjedhur.

Nijazi Alishani dhe kapiten Riza Alia me 150 ush-tarë janë rrethuar në Dragash me dy korrik, nga një brigadë partizane.

Deputeti Bajram Grobi, nënprefekti Adem Zda­lla, nëntogeri Ramë Alia, nëntogeri Bik Pazari me gjashtë shokë të tjerë, janë rrethuar në Lipë të Istogut nga një batalion. Pas luftimeve kanë mbetur të vrarë Bajram Grobi dhe Ramë Alia me djalin.

Ukë Sadiku dy herë ndeshet me një grup par­tizanësh; njëri nga ata ka qenë çarmatosur në Garaçevë në afërsi të Rahovecit, në muajt prill dhe gusht.

Mehmet Aga dhe Demë Alia (Pozhari), kanë rezi-stuar kundër partizanëve në Bozë afër Pejës, në muajin mars.

Zukë Ibrahimi dhe Riza Zymeri në Rugovë në afërsi të Pejës (kanë rezistuar, L. Culaj) në gusht dhe shtator.

Sali Kama - (duhet të jetë Rama) dhe Bik Pazari (kanë rezistuar, L. Culaj) në Bjeshkë në afërsi të Istogut në gusht.

Ahmet Selaci dhe Bislim Bajgora në Dumnicë dhe Shalë të Mitrovicës në mars.

Bajram Dumnica në Dumnicë, në afërsi të Lipit në korrik.

Idriz Hoxha dhe Lef Luda në Gjilan dhe Ferizaj kanë zhvilluar luftë të rreptë me partizanët edhe atë ve-çanërisht në muajt e parë të vendosjes së tyre në Kosovë.

Qazim Bajraktari në fshatin Senik i rrethuar bash-kërisht me katër shokë nga një brigadë, vrau 26 partizanë dhe u largua bashkërisht me shokët; ai dhe një shok ishin plagosur.

Alush Smajli i rrethuar me gjashtë shokë në një kullë në Llozhicë (ndoshta duhet të jetë Llozicë, L. Culaj) të Rahovecit nga një batalion, vrau disa partizanë, ndërsa ai vetë, me shumë fat, arriti të largohet bashkërisht me shokët.

Bardhec Rogani, i rrethuar në një mal në Binakë në afërsi të Istogut, bashkërisht me 7 shokë nga një ba­talion, i cili numëronte 650 serbë dhe malazezë, luftoi 36 orë pa-ndërprerë, vrau 28 partizanë dhe 12 i plagosi. Që të mbrohen nga plumbat e tyre partizanët nxorën përpara gra dhe fëmijë, por ai nuk u dorëzua. E theu rrethin dhe shpëtoi me gjithë shokët përkundër asaj që të gjithë ishin të plagosur. Kjo ka ndodhur në muajin mars.

Rexhep Gjeli i rrethuar në Çiçavicë të Vushtrrisë, u vra bashkërisht me djalin e tij.

Ndue Përlleshi u kacafyt tri herë me partizanët në Novo Sellë, në muajin prill dhe shtator.

Mirëpo, përveç luftës së përgjakshme në Drenicë, është zhvilluar edhe një luftë tjetër e përgjakshme gjatë rre-thimit që e kreu brigada malazeze “Boka e Kotorrit”, Liçevës-Lesnikë në afërsi të Istogut, më 10 shtator 1945, ku për gjashtë orë beteje të tmerrshme, 32 shqiptarë luftojnë kundër 13.000 malazezëve të armatosur me pushkë, bomba, mitraloza, mashinka, por asnjëri nuk u dorëzua. Nga 32, vetëm 4 prej tyre kanë shpëtuar të plagosur, duke e thyer rrethimin. Në mesin e tyre ka qenë edhe një vajzë e plago-sur, e cila ka rënë në duar të partizanëve, 28 ushtarë besnikë të Organizatës Besa Kombëtare ranë për lirinë e atdheut. Udhëheqja e Besës Kombëtare këtë luftë e quan “lufta e 32 heronjve”. Komandantët legjendarë të atyre 32 heronjve që ranë heroikisht kanë qenë: Shaban Sadiku, Adem Shala dhe Alush Smajli, i cili i plagosur rëndë shpëtoi. Shkëlqesi, ai popull i vuajtur i Dardanisë, për shumë kohë nuk ka pasur fat ta gëzojë lirinë e jetesës, prandaj sot ky popull pret nga Anglia si sjellëse e lirisë në Evropë, dritë dhe shpëtim. Shpresën e vet e ka orientuar në tërësi në drejtësinë anglo-amerikane.

I tërë populli i Kosovës, i cili numëron më shumë se 950.000 banorë, është i gatshëm që në sinjalin e dhënë të çohet në këmbë që të luftojë kundër partizanëve. Me armë në dorë do të çohen të moshuarit e rinia, mesh­kuj dhe gra; me pushkë, me sëpatë, me thikë dhe do të luftojnë për të shpëtuar nga ajo robëri e poshtër, e cila ka zhdukur aq fa-milje e popull, sa e ka gjakosur dhe tro­nditur botën.

Shkëlqesi, ky popull i lutet aleancës liridashëse anglo-amerikane, që të intervenojë atje ku duhet, për të ndërprerë terrorin partizan në Kosovë dhe të mos pranohen ato farë zgjedhjesh të mbajtura nën presionin e armëve, sepse nga një milion kosovarë nuk ka as 2% të tillë, të cilët me dëshirë do të donin të votojnë për ta. Dëshira e atij populli është që të votojë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Ne shpresojmë me bindje të plotë se ne do të jemi fituesit dhe anglo-amerikanët këtë do ta pranojnë duke u mbështetur në Kontratën e Antantës.

Ushtria jonë është e organizuar në çeta nëpër male dhe është e gatshme për luftë. Me vete, me shpirt e me zemër e ka tërë popullin, mirëpo fatkeqësisht na mungojnë armatimi dhe pajisjet. Për këtë shkak presim nga ju të vetëdijshmit e të përvuajturit çfarëdo lloj rregullimi dhe ndihme për ata që tashmë 11 muaj pandërprerë vuajnë.

Organizata Besa Kombëtare

Kuvendi Kombëtar

Kryetar i Kuvendit të Organizatës Besa Kombëtare

I.B. /Imer Berisha- L. Culaj.

Kryetar i Kuvendit të Ushtrisë Kombëtare

I.B. Imer Berisha-L. Culaj.

Anëtarët e kryesisë prezentë:

Mulla Iljaz Broja

Hysen Bajraktari

Ndue Preli-duhet të jetë: Ndue Përlleshi

Feriz Boja /Valin Flamuri/

Ndrec Lleshi /Agib Bosatari/

Mehmet Aga / Shpëtim Fitimi/

Sokol Dini

Saç Gaca

Zeqir Lutani / Kuptim Vllaznimi/

Bardhec Rogani

Jetulla Rezalla

Zef Doda-duhet të jetë Zef Gjidoda

Nga malet e lira të Dardanisë

22 tetor viti 1945.

Jo pa qëllim profesor Berisha letrën, që ia dërgon gjeneralit anglez, e përmbyll me të dhënën se letrën e dërgonte nga malet e lira të Dardanisë. Ishte edhe kjo një simbolikë jo dhe aq e parastësishme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot