22 qershori 1941, pasojë e Paktit të pabesisë

- Bota Sot

22 qershori 1941, pasojë e Paktit të pabesisë

Në historinë e Luftës II Botërore, kryepërtejanën (kryesfondin) e saj e zë përplasja e Gjermanisë naziste me Bashkimin Sovjetik, pas sulmit të befasishëm të trupave gjermane të 22 qershorit të vitit 1941. Arsyet e nisjes së atij sulmi duhen kërkuar pikërisht në Paktin e mossulmimit Molotov-Ribentrop, që u nënshkrua në Moskë më 23 gusht 1939. Ai pakt, së pari, kishte në themel pabesinë e të dyja palëve ndaj Polonisë, me qëllim ndarjen e sa. Por ai Pakt, së dyti, fshihte në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës sovjetike: jo vetëm ndaj demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur të vinte nën këmbë demokracitë perëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e ushtrisë së kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye. Ajo pabesi e dyfishtë, të dyja palëve u kushtoi me miliona të vrarë dhe shkatërrime të pallogaritshme.

Pabesinë e politikës sovjetike ndaj demokracive perëndimore, e zbulon haptas vetë Stalini. Në një fjalim që ka mbajtur vetëm katër ditë para nënshkrimit të paktit në fjalë, pra, më 19 gusht 1939, në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ai shtjellon haptazi idenë kryesore të Testamentit të Pjetrit I për pushtimin e Evropës. Në atë fjalim thuhet:

“Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le ta shqyejnë njëri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit “sokrytoe.net”. 23 korrik 2009).

Për sulmin që Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte kundër Gjermanisë, dëshmon ish-oficeri i zbulimit sovjetik Viktor Suvorov. Ai deklaron:

“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara”” (Citohet sipas:Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën II Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).

Në dhjetorin e vitit 1940, agjentët e shërbimit sekret gjerman arritën të zbulojnë planin e fshehtë të Stalinit për sulmin që do të ndërnerrte kundër Gjermanisë. Deri në fillimin e muajit qershor 1941, edhe korparmatat e ushtrisë sovjetike të Lindjes së Largët, Stalini i pati zhvendosur drejt kufijve perëndimorë.

Pakti i pabesisë Molotov-Ribentrop i kushtoi shumë shtrenjtë Bashkimit Sovjetik. Julia Llatёjnina (1966), gazetare opozitare ruse, shkrimtare, drejtuese emisionesh radiotelevizive, për shkak të kërcënimeve që i qenë bërë nga banda e Putinit, më 09 shtator 2017 e pati braktisur Rusinë. Ja çfarë shkruan ajo për pasojat e Paktit të pabesisë:

c (Citohet sipas: Julia Llatёjnina. “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”.. Faqja e internetit “Adskije novosti”, 19 shkurt 2015).

Në një tjetër informacion për kohën e luftës thuhet:

“Prej 22 qershorit 1941 deri më 09 maj 1945, qenë zënë robër nga ushtria gjermane 5,7 milionë ushtarë dhe oficerë sovjetikë” (Citohet sipas: “Robërit sovjetikë: gjenocidi më masiv i Luftës II Botërore”. Faqja e internetit “RAPSI (Agjencia ruse e informacionit juridik dhe gjyqësor)”. 16 korrik 2021).

Kaliforni, 22 qershor 2024



Lexoni të gjitha në Bota Sot