Si humbën jetën dy ish-ministrat në qeli! Letra e ish-të burgosurit të Burrelit: Nëse Lenini do të shihte tmerret e kapterëve do jepte urdhër të vareshin

- Bota Sot

Si humbën jetën dy ish-ministrat në qeli! Letra e ish-të burgosurit të Burrelit: Nëse Lenini do të shihte tmerret e kapterëve do jepte urdhër të vareshin

Në hartën e burgjeve komuniste të Shqipërisë, Burreli është ndër vendet më të zeza. Në rast se Shqipëria pushtohej nga ndonjë shtet tjetër, të dënuarit e këtushëm, ekzekutoheshin menjëherë. Burgu i Burrelit në dokumentet e kohës, rezulton se në vitet 1950-1957, njihej si; “Burgu nr. 3”. Rreth vitet 1957, burgu u quajt emrin “Reparti 321”. Ai shërbeu si burg i sigurisë së lartë, në vitet 1946-1991, për të dënuarit politikë dhe ato ordinerë. Historiku i parë i burgut i hartuar nga administrata marroqe komuniste, daton në vitin 1962. Në këtë kohë Dega e Punëve të Brendshme Mat, harton një historik të shkurtër të burgut. Ky historik është brenda propagandës së kohës, d.m.th., sipas parimit “shumë fjalë e, pak informacion”.

Sipas këtij historiku, burgu duhet të jetë ndërtuar në vitet 1936-1937, me qëllim që “të futeshin patriotët shqiptarë që me ndjenjat e tyre parimore, ishin kundra regjimit të Zogut dhe kundra klikës së tij”. Në fakt, burgu është ndërtuar midis fundit të vitit 1938 dhe fillimit të vitit 1939, pa u përfunduar dhe “përuruar”. Për herë të parë kësisoj, ai do përdorej nga administrata e kohës së luftës. Midis të tjerash në këtë historikun e vitit 1962, shkruhet:

“Por lidhur me këtë objekt ndodhi e kundërta, se regjimi borgjez nuk mundi ta vërë në përdorim, për arsye se vendimin e regjimit satrap të Zogut, e zuri okupacioni fashist italian, kështu që njeriu kryesor që projektoi burgun e Burrelit, ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe (në fakt kryeministri për kohën që bëhet fjalë – shënim) Koço Kota, i cili vdiq vetë në këtë burg. Që më 7 prill 1939, kur Italia fashiste okupoi vendin tonë, si gjithë objektet e tjera të Shqipërisë që i zaptoi, zaptoi edhe burgun e Burrelit, të cilin e përdori kundra patriotëve shqiptarë.

Që nga 7 prilli 1939 dhe deri në shtator 1939, në burgun e Burrelit, ishin më se 400 të burgosur shqiptarë, për çështje politike dhe ordinere të cilët, qëndronin nën bajonetën e karabinierisë dhe milicisë italiane, të cilët i mbajti deri në shtator 1943.

Në këtë kohë burgun e mori në dorëzim ushtria gjermane, ku shqiptarët që ishin brenda u torturuan edhe më keq se nga karabinieria dhe milicia fashiste italiane. Ushtria naziste e mbajti burgun deri më 31 korrik 1944. Po në këtë datë, Burreli u çlirua nga forcat partizane. U hap burgu dhe shpëtuan nga skëterra e fashizmit shqiptarët që ndodheshin në burg.”

E gjithë pjesa mbi historikun e burgut, përshkruhet nga një shkrim komik, të cilin në ndonjë rast e kemi korrektuar nga ana letrare, sidomos në ndarjet e fjalive, që nuk mbarojnë kurrë. Injorantët që bënin kësi historikësh, në rastin më të mirë, kishin tre klasë fillore. Nga korriku i vitit 1944 e, deri në vitin (muaji është kontradiktor në disa burime) 1946, objekti i burgut u përdor si depo grumbullimi, për nevojat e pushtetit të ri komunist.

Në vitin 1946, filluan meremetimet e brendshme, u vendosën rojet e jashtme dhe rrethimi i jashtëm me gjemba, punimet e të cilave i bënë robërit e luftës, italo-gjermane. Qëllimi ishte që burgu të përdorej për të burgosurit “kriminelë lufte, spiunë etj”. Kjo kishte ndodhur për arsye se në disa vende të Shqipërisë, si në Elbasan, Peshkopi, etj., ishin thyer burgjet, madje kishin ndodhur edhe arratisje. Burgu i Burrelit, ishte ndërtese e fortë, paprekshmëria e të cilit ishte rritur edhe nga rrethimi i dytë, që ishte vendosur dhe nga rregullimi i brendshëm.

 Italia e përdori si magazinë për nevoja të ushtrisë, ndërsa pas lufte, komunistët mbyllën punimet, pasi kishin nevoja për ta përdorur kundër kundërshtarëve të regjimit, duke i dhënë numrin 3. Shërbimi i brendshëm bëhej nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit e më pas, atyre të policisë, ndërsa drejtori merrej vetëm me administratën.

I dënuari i guximshëm

Sot do sjell dëshminë e një të dënuari i cili, ankohej në Komitetin Qendror të PPSh-së, për kushtet e vështira të vuajtjes së dënimit. Në kohë kur është shkruar letra, pra më 20 shkurt 1963, në këtë burg vuanin dënimin mbi 300 të dënuar politikë dhe 2 të dënuar ordinerë. I dënuari që shkruan letrën quhet Muharrem Avdulla Xhakoni (vitlindja 1924) u arrestua më 17.5.1955, së bashku me shokun e tij, Sejdi Cak Demishi (vitlindja 1880, 76 vjeç).

U akuzua për orvatje për arratisje, megjithëse u arrestuan në Sukth, shumë kilometra larg kufirit. Me vendimin nr.12, datë 21.1.1956, Gjykata Ushtarake e Tiranës, me veprim në Durrës, e përbërë nga Faik Spahiu, Llazar Kote, Gani Sabahu, duke pasur pranë ndihmës-prokurorin Servet Kadilli, i deklaroi fajtorë të dy të pandehurit, për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe në bazë të nenit 64 të Kodit Penal, e dënoi me 12 vjet burgim. U lirua nga reparti nr.307, më 13.3.1966, kur ky ndodhej në Rubik. Komisari i këtij reparti, major Besnik Çomo, në fletën e lirimit shkruan:

“I përmenduri lirohet me plotësim të afatit të dënimit, duke pasur parasysh dhe fitimet e ndryshme nga puna dhe dekretet. Gjatë kohë kohës që ka vuajtur dënimin në këtë repart, ka mbajtur qëndrim të keq, nuk është treguar aspak i penduar për fajin e kryer, ka bashkëpunuar me persona të tjetër të dënuar dhe ka propaganduar kundër pushtetit popullor. Ka punuar në punë, me qëllim fitimin, për t’u liruar sa më parë. Ka pasur disa raste të shkeljeve të rregullave të brendshme të kampit”.

Letra e të dënuarit Muharrem Xhakoni, për Komitetin Qendror të PPSh-së

Komitetit Qendror të PPSH

Tiranë

I burgosuri Muharrem Xhakoni, efektiv i Repartit 321, lindur në Ishëm, banues në Durrës, vjeç 38, me arsim fillor, shtresë dhe klasë e mesme, i martuar me fëmijë, i dënuar me 12 vjet burgim, në majin e vitit 1955, me profesion shitës, kam nderin me parashtrue lutjen dhe ankesën time si vijon:

Zotërinj anëtarë të këtij komiteti! E ndjej të nevojshme me u shpjegue, vdekjen e 5 personave, disa abuzime, veprime arbitrare, ndëshkime pa rregullore, trajtime të paligjshme, të bame me dashje dhe të mbulueme mirë.

Këtë ankesë po e ngre, kundra ndihmësmjekut, kapter Kamberit dhe kapter Asllanit, të dy efektivë të këtij reparti.

Kur isha me temperaturë 40 gradë nga gripi aziatik, kapter Asllani, më ngriti nga dysheku, me futi në qeli, më zhveshi, më zbathi kur çimentoja ishte e lagur dhe temperatura e të ftohtit (ishte) 8 (gradë) nën zero.

Mbas 8 orëve në atë gjendje, më ngriu gjaku, u paralizova dhe humba ndjenjat. Kur erdha në vete, pashë se ndodhesha në dhomë. U ktheva në jetë nga masazhet e shokëve dhe borseta me ujë të ngrohtë.

Herën e fundit, më ngre në mesnatë nga dysheku, më futi në qeli e pastaj së bashku me ndihmësmjekun Kamber, më zhveshin, më zbathin, më lidhin me hekura dhe kur duart m’u mpinë, kur duart u nxinë, atëherë m’i tërhoqën, m’i tundën në formë torture.

Kapter Asllani, më nxjerr në oborrin e burgut me imponim, kur bien shira të rënda. Pleq, të sëmurë dhe të vobektë, që janë të zbathur e me lecka, lagen në shi, pa pas zjarr, ndërresa dhe soba me u terë.

Kur ecim, kërkohet një heshtje absolute. Po të thuash fjalën mirëmëngjesi, kapter Asllani të fut në qeli, me gjithë pasojat e tjera, sikur të ishim hije të vdekura e, jo qenie njerëzore të gjalla.

Po të bësh 5 minuta gjimnastikë, në vendin tënd, të fusin në qeli, të zbathur e të zhveshur. Kjo gjë na dëmton të gjithëve, sidomos ata që vuajnë nga reumatizma dhe paraliza të ndryshme.

Ky kapter ka dhënë urdhër të prerë, mos me la kokën, qafën, veshët dhe mos me përdor sapun në mëngjes. Viktimat e këtij urdhri, janë me duzina të burgosur. Patër Donat Kurti, pse lau pak kokën, u dënua në birucë. Mori një ftohje në veshkë, si efekt i tre ditëve në qeli, pa tesha. Ka tre muaj që bën kura, i shtruar në infermierinë e burgut.

Kur hapen dyert me dalë në oborr, duhet të ecim me vrap, në formë krosi popullor. Në korridoret e ngushta, këputen rripat e nallaneve, të sëmurët pleq rrëzohen. Të pasmit hipin sipër atyre që janë më përpara dhe përsëri dëgjohet e fuqishme komanda e rojës, që thotë: “vrap, vrap, vrap”.

Pra kolona tundet përsëri dhe ata që mbesin në bisht, futen të gjithë në birucë. S’ka ditë që kur ka shërbimin kapter Asllani, të mos zhvishen, zbathen e futen ndër birucat e lagura e,
gjithnjë pa tesha fjetje, 4-5 të burgosur.

Me qenë se komanda e ka emëruar si kujdestar të rojeve të tjera, (kapter Asllani), i ka urdhëruar edhe ato, të veprojnë si ai. Dënimet e tij, megjithëse të papërfshira në rregullore, të shumtat e rasteve, i kalojnë 10-15-30 ditë, pa tesha fjetje, zhveshur, zbathur ndër birucat e lagura. 95 % e dënimeve, janë arbitrare.

Zotërinj anëtarë të Komitetit Qendror!

Dënimi ynë në biruca që lagen me ujë shiu gjithë dimrit, të zhveshur, të zbathur e pa tesha fjetje, po na shkakton vazhdimisht sëmundje: gastrit, ulçer, interkolit, hemorroide, reumatizëm, paraliza të ndryshme dhe të gjitha sëmundjen e tjera tuberkulare.

Të gjithë këta janë pa pasojat e dënimeve ndër biruca, pa tesha, fjetje, dënime të tilla na kanë çuar dhe po na çojnë në një vdekje që vjen në forma graduale. Ato trupa që me rezistencën e tyre natyrale, e durojnë, mbeten invalidë për jetë.

Lutemi shumë të thirret prej atij komiteti, një komision komision dhe brenda mundësive, të vendoset me rrugë juridike, parimore dhe në përputhje me shkencën mjekësore, anulimi i këtij ndëshkimi të dëmshëm, i cili të çon në shndërrimin invalidë të përjetshëm, të njerëzve ose në zhdukjen e tyre fizike.

Ndëshkimi i lartpërmendur (dënimi ndër biruca pa tesha fjetje), të zëvendësohet me forma të ndryshme dënimi, me masa të tjera ndëshkuese, ose shtrënguese.

Më poshtë, po jap me radhë emrat e të vdekurve në këtë burg, si viktima të ndihmësmjekut Kamber.

Xhevat Korça. I sëmurë prej një viti, kërkonte që të shkonte në spital në Tiranë, për operacionin e ulcerës dhe për analiza dhe kura komplet. Lutjet e tij të herëpashershme verbale dhe me shkrim u refuzuan kategorikisht prej ndihmësmjekut Kamber.

Xhevati bëri grevën e urisë dhe mbasi prej kësaj nuk e fitoi spitalin vdiq në burg pas 15 ditëve. Ndihmësmjeku Kamber, për justifikimin zyrtar, mori një mjek tjetër dhe mbasi i bënë autopsinë, shkruajnë se gjoja kish pas edhe kancer. Vdekja e tij dihet nga të gjithë.

Gjergj Kokoshi. Ju zu uji i vogël (urina). Kërkesat verbale dhe me shkrim që ta dërgonin në Tiranë, Kamberi iu përgjigj negativisht. Me ndërhyrjen nga lart, u rregullua një automobil, por kur mbërriti në sallën e operacionit të spitalit kombëtar në Tiranë, sëmundja e kishte bërë punën e saj dhe i sëmuri nuk u përgjigj më.

Pra zotërinj, një operacion i vogël kirurgjikal, i hapte kanalin e urinës së bllokuar, i shkarkonte ujin e mbledhur, siç ndodh çdo ditë në spitalet tona shtetërore dhe i sëmuri Gjergj Kokoshi, do ishte gjallë. Ai vdiq, pse uji i mbledhur në bark dhe vonesa e operacionit, kaloi 20 ditë.

Estref Myftiu. Vuante nga eperoniti specifik. Kërkesat e tij për ta dërguar në spitalin e Tiranës, u hodhën poshtë për afro 5 muaj nga ndihmësmjeku Kamber. Një analizë që u dërgua në laboratorin e spitalit Tiranë, njoftoi telegrafisht, se i sëmuri duhej të shtrohej në spital, për analiza e kura komplet.

Me qenë se këto formalitet janë kryer në mënyrë private, ndihmësmjeku Kamber, i hodhi poshtë. Kur Estrefi qante si fëmijë dhe premtonte se i paguante vetë shpenzimet e automobilit, Kamberi u tallte, se nuk kishte atë sëmundje, por gazra. Thoshte se do shërohej në burg.

Me ndërhyrjen e një majori nga Tirana, mbasi sëmundja kishte 5 muaj në aktivitet dhe pasi barku ishte mbushur me ujë deri te buza, e dërguan në spital. Kur po i hiqnin ujin ditën e parë, vdiq. Është provuar shkencërisht, se kur eperitoniti është në fillim, shërohet lehtë me streptomicinë. Por kur të sëmurët kalojnë 4-5 muaj dhe barku mbushet me ujë, 99 % e tyre vdesin.

Akile Tasi. Vuante nga mëlçia e zezë. Më vonë kaloi dhe botkinin. Ditën e dytë që doli nga infermieria, nga botkini, e futën në birucë me një të ftohtë nën zero. I hoqën kapotën dhe pa asnjë batanije, e mbajtën 7 ditë. Mori një të ftohur në mëlçia e zezë, që ishte e prekur nga botkini më parë dhe ky komplikacion, kthehet në cerozapatike. Të gjithë lutjet me shkrim, u hodhën poshtë nga Kamberi. Mbas tre muajsh, i sëmuri vdiq.

Ismail Qazimi. Ankohej se vuante një vit më parë prej tensionit të gjakut dhe mëlçisë së zezë. Gjithmonë kërkonte për spital në Tiranë, por Kamberi iu përgjigjej me përbuzje. Duke qëndruar muaj me radhë i shtrirë për vdekje, ai vdiq me një mizerje të pashpjegueshme. Kur drejtoria deshi ta dërgonte në Tiranë, ndihmësmjeku Kamber, refuzoi t’i lëshonte raport – thotë i dënuari Zenel Shëndellia.

Përderisa partia ka ndaluar shfrytëzimin si skllav, i lutem shumë asaj, të ndalojë në burgun tonë nga keptarët e lartpërmendur dhe trajtimin si kafshë.

Përderisa partia dhe qeveria kanë ndaluar rrahjen, sepse kjo e poshtëron mjerinë, lutemi shumë që të ndalohet edhe dënimi me birucë, pa tesha fjetje, mbasi ky dënim,= e mbyt, e vdes fare mjerinë.

Kur unë i bëra një lutje drejtorit, që të më vizitonte te një mjek neurolog për shqetësim nervash, ndihmësmjeku Kamber, më zhveshi deri në këmishë e kanotiere, më zbathi, më rrahu duke më qëlluar me shuplakë, 12 herë fytyrës. Duke qenë në birucë, në atë gjendje, i nxitur nga padrejtësia, unë bëra 12 ditë grevë urie dhe tentim për vdekje, të llojeve të tjera.

Kur i burgosuri Fadil Meçja, i lypi ndihmësmjekut Kamber multivitamina për arsye shëndetësore, që i kishin ardhur me pako nga familja e tij, ky e futi në birucë për 30 ditë, bashkë me pasojat e tjera.

Po të ishte gjallë Lenini dhe rastësisht shihte tmerret e kapterëve Kamber dhe Asllan, aty për aty, do të jepte urdhër, që të dy të varen në oborrin e burgut. Kam shpresë se edhe juve nuk do na leni që këta kapterë, mos na përdorin si gurë shahu.

Unë nuk po anoj, as nga pavendosmëria hamletiane dhe as nga nxitja donkishoteske, por nga e vërteta e pamohueshme, nga fakte të pakundërshtueshme.

Në emër të shkencës mjekësore, në emër të ndërgjegjes, në emër të normave juridike, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lutemi që të plotësohen kërkesat e mia dhe u bëj apel të kryeni këtë akt drejtësie:

Të shtrohen dërrasa në të gjitha qelitë.

Të jepen teshat e fjetjes të dënuarve ndër qeli, pasi ky dënim, çon në zhdukje fizike të të burgosurve. Mundësisht të zëvendësohet me masa të tjera shtrënguese.

Të mos na nxjerrin me forcë në oborr kur ka shi, mbasi nuk kemi zjarr me u tha dhe ndërresa për t’u ndërruar.

Të transferohen kapter Asllan Uka dhe mjeku Kamber, mbasi veprojnë dhe shfaqen si tigra me fytyrë njeriu, mbasi janë fanatikë ekstremistë, mbasi kanë abuzuar, kanë bërë njerëz invalidë dhe kanë dëmtuar jetën e të burgosurve.

Të burgosurit me sëmundje urgjente, të dërgohen në spitalin nr.2 Tiranë.

Të ndalohet vrapi kur hapen dyert, mbasi ka pleq, të sëmurë dhe të zbathur.

Të mbulohet çatia e depos tonë, mbasi 100.000 lekë, janë në rrezik të kalben prej teshave tona, nga shiu.

Me rregulloren e shtetit, përfitojmë racion drush me la teshat dhe trupin, kurse ne kemi 4 muaj, që nuk shohim ujë të ngrohtë me sy.

Si në burgjet e tjera, dhe në burgun tonë, të varen ndër dyer kryesore, rregulloret me shkrim, për të sqaruar dhe orientuar të burgosurit dhe për të frenuar veprimet arbitrare, të rojeve.

Të ndalohen provokimet, inatet personale dhe çdo dënim që nuk përfshihet në rregullore.

Të lejohen në mëngjes atë që duan të bëjnë 5 minuta gjimnastikë.

Të na jepet e drejta e orareve, e cila na hahet shumë herë.

Të merremi në mbrojtjen tuaj, për dërgimin e kësaj lutje ankese, zotërinj të Komitetit Qendror.

Përgjigjja e letrës së Muharrem Xhakonit, nga Rita Marko

Letra e të dënuarit Muharrem Xhakoni u trajtua në Komitetin Qendror nga Drejtoria Administrative e cila ia kaloi sekretarit të PPSH-së.

Nënshkrimi i një teksti prej tij, jep provën më bindëse se kapterët e cituar, nuk janë asgjë, përveçse vegla, sepse çdo gjë e ka caktuar partia.

Jepet kjo përgjigje:

Siç duket, i burgosuri Muharrem Xhakoni është nxitur nga njëri e tjetri për të shpifur e trilluar për njerëzit tanë, duke dashur që të vendosin ata të dënuar të pushtetit popullor, rregullat e burgut.

Këta të burgosur, kur ishin jashtë, kanë bërë lloj-lloj planesh në dëm të partisë e të pushtetit popullor, por tani që i zuri drejtësia e popullit dhe i dënoi ata, këta mundohen të shpifin e të vënë rregulla’ sipas qejfit të tyre.

Rregullat e burgut janë të caktuara dhe të nevojshme për këta armiq. Memorie.al

Rita Marko

23.2.1963

Titulli origjinal: “Dëshmia e rrallë për vdekjet e ngadalta dhe paralizat e të dënuarve” – Si humbën jetën ish-ministrat e Arsimit, Xhevat Korça dhe Gjergj Kokoshi – PPSH përligj krimet dhe torturat në burgje!



Lexoni të gjitha në Bota Sot