Gjorgje Vukadinoviq nga “Mendimi i ri politik serb” ka thënë se si kryeministri i Kosovës Albin Kurti praktikisht ka arritur gjithçka që ka dashur dhe ka synuar në Kosovë.
“Ato parada masive, Parlamenti Gjithëserb dhe kaq shumë valëvitje flamujsh serbë në muajt e fundit duhet të mbulojnë faktin “e trishtuar” se Kurti në Kosovë praktikisht ka arritur gjithçka që ka dashur dhe që synon”, ka deklaruar Vukadinoviq për median serbe “TV Nova”.
Ai gjithashtu ka theksuar se regjimi në Serbi për një kohë të gjatë është duke fshehur çështjen e Kosovës.
“Regjimit në një mënyrë apo tjetër i përgjigjet të margjinalizojë çështjen e Kosovës”, ka thënë ai.
Duke folur për hapjen e paralajmëruar të urës së Ibrit, Vukadinoviq ka pretenduar se është kundër kësaj dhe ka shtuar se ura ka “rëndësinë e vet simbolike”.
“Ndërkohë, ajo urë e humbi rëndësinë e saj strategjike sepse Prishtina i mori gjithçka. Ata jo vetëm që kalojnë nëpër ura të tjera (në veri), por i morën edhe ndërtesa komunale, dëbuan shtetin e Serbisë dhe simbolet e tij si bankat, postat, transaksionet e pagesave, dinarin dhe ndërtuan stacione të përhershme policore,” ka pretenduar Vukadinoviq.