Bekim Ahmeti, njohës i çështjeve të komunikacionit, ka thënë për Ekonomia Online, se pagesa e autostradës është dashur që të bëhet qysh në fillim, pasi sipas tij me ato mjete mirëmbahen autostradat.
“Është e nevojshme patjetër për arsye që duhet të mirëmbahet autostrada edhe ka edhe elementet të tjera të cilat e përcjellin autostradën siç janë ndriçimi, pajisjet elastike, pastaj brezi i gjelbër, rrethojat anësore, disnivelet, pastaj shtresat e asfalti e kështu më radhë. Është fasiliteti i autostradës ku i përcjell gjitha elementet përbërëse ku de-facto prej mjeteve të cilat grumbullohen gjatë hyrjeve daljeve në autostradë atëherë shkojnë në Ministri të Infrastrukturës apo ku e ka qeveria për bazë grumbullimin e mjeteve edhe kësi soji shpërndahen aty ku ka nevojë. Unë mendoj që është dashur që të paguhet qysh nga fillimi që a startuar autostrada. Problematika tjetër është se mirëmbajtja kushton të çdo element jetësor”, ka thënë ai.
Ahmeti me këtë rast ka dhënë edhe propozimet e tij se si duhet të veprohej për vendosjen e tarifës për pagës të autostradës, duke shtuar se duhet të analizoheshin pagesat që bëhen edhe në vendet e rajonit dhe të Evropës.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se vendimi për pagesë të autostradës nga vozitësit është një vendim politik që do ta merr Qeveria e Kosovës, por që nuk është marr ende.
Ai ka theksuar se janë në diskutime si qeveri për format dhe mënyrat se si do të bëhen pagesat kur do që të merret vendimi.
“Është vendim politik kjo që do ta merr Qeveria e Kosovës ende nuk kemi marr një vendim të tillë. Jemi në diskutime në qeveri për format, për mënyrat se si do të bëhen pagesat kur do që të merret vendimi”, ka thënë ai për EO.