Publikohen dokumentet/ Arratisja më 1989-ën, si ia vranë vëllanë në kufi dhe atë e plagosën, historia e Xhek Becit

- Bota Sot

Publikohen dokumentet/ Arratisja më 1989-ën, si ia vranë vëllanë në kufi dhe atë e plagosën, historia e Xhek Becit

Autoriteti i Dosjeve të ish- Sigurimit të Shtetit në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve organizoi në Pogradec një simpozium për të sjellë në vëmendje nëpërmjet dokumenteve origjinale dhe shqyrtimit të fakteve për vrasjet e ndodhura në kufij gjatë viteve 1944-1990.

Xhek Beci, një i mbijetuar nga plumbat e ushtarëve të kufirit, tregon momentet e dhimbshme kur së bashku me vëllain kanë tentuar arratisjen.

“Me presionin e sekretarit të Kombeve të Bashkuara ndryshoi ligji, ne u gënjyem më pas dhe morëm guxim të arratiseshim me vëllain dhe pabesisht na vranë megjithëse ishte liberalizuar ligji. Na qëlluan pa paralajmërim, kam mbetur i plagosur unë dhe ka vdekur në vend vllai im. Në kufij vetëm në vitin 89-90 në rrethin tim janë vrarë 33 veta, që nga mosha 4 vjeç, 16 vjeç dhe një çift i ri sapo të fejuar që donin të ndërtonin jetën në një vend tjetër, jo këtu ku mohohej liria në atë kohë. Ndërsa në Shqipëri nga viti 1944 deri në vitin 1991 janë vrarë dhe zhdukur mbi 980 veta”,-tha Xhek Beci.

Autoriteti i Dosjeve ka vërejtur se nga 311 kërkesa të familjarëve në Drejtorinë e Procesit të Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur, 10 për qind të rasteve janë kërkesa të vrasjeve në kufi. Hulumtimi do të vijojë në zonat të tjera kufitare të vendit, nga ku raportohen kalimet e ndaluara të kufirit si nga liqeni Shkodrës, pika kufitare e Hanit të Hotit, Konispoli etj.

Gentiana Sula drejtore e Autoritetit të Dosjeve tha se ka shenja të pendesës për vrasjet, por ato janë individuale dhe jo publike.

“Ajo që më rezulton mua është se në plan individual, ka pendime dhe shfaqje pendese mbi këto vrasje, por ajo që mungon është shfaqja publike e kësaj pendese që të jetë jo thjeshtë propagandistike, jo thjeshtë hipokrite por të jetë e ndjerë. Ne si autoritet po mendojmë për një aktivitet të madh të shfaqjes së pendesës dhe keqardhjes, për mënyrën e dokumentimit të këtyre gjesteve që shpesh herë mund të jenë të fshehta, anonime, të drejtpërdrejta por që ne na rezulton që njerëzit nga ekspozimi i të vërtetave po arrijnë të kuptojnë më shumë mbi atë se çfarë ka ndodhur, të zhvishen nga narrative moniste e propagandës dhe censurës dhe duke njohur të vërtetat dhe faktet janë më të gatshëm për të marrë përgjegjësitë e tyre qytetare”, u shpreh drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula.

Drejtoresha e autoritetit të dosjeve ka bërë me dije se ka eshtra të cilët sigurimi i shtetit nuk ua ka dorëzuar familjarëve për të shmangur hetimet mbi vrasjet.

“Ne nga studimet dhe hapjen e arkivës kemi konstatuar një udhëzues të kohës, i cili detyron organet të mos i japin trupat familjarëve, mendojmë që ka qenë një tentativë për t’i shkëputur nga hetimi ngjarjen dhe për ta shkëputur nga kujtesa. Na rezulton që në disa raste janë të zhdukur në kufij kemi të paktën 10 aplikime në këtë kategori. Ne jemi aty për ti ndihmuar qoftë edhe duke bërë hapa konkrete për fakte dhe dëshmi përmes hetimeve administrative që po i bëjmë. Siç është një rast në Ersekë në Shelegur ku ka dyshime të forta që mund të gjendet i varrosur një i vrarë në një varr të pashënuar”, shtoi Sula.

Më tej kryetarja e Autoritet tha se në kuadër të misionit të AIDSSH për mësimin nga e kaluara përmes realizimit të botimeve për nxënësit e shkollave 9-vjecare, është realizuar libri për fëmijë “Kufij të Thyer” ndërsa është planifikuar ndërtimi i memorialit “Shtegut të Lirisë”, i cili është ambicioz dhe pritet të bashkojë AIDSSH, pushtetin lokal të zonës juglindore të vendit dhe partnerët për t’u finalizuar. Zhvillimet e simpoziumit u përshëndetën nga nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, znj. Entela Gusho, e cila vlerësoi zhvillimin e një simpoziumi me një tematikë kaq të ndjeshme, 80 vjet pas mbarimit të luftës dhe fillimit të historive fatkeqe që solli mbyllja e kufijve dhe ndalimi i lëvizjes.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste, z. Ethem Fezollari vlerësoi bashkëpunimin me Autoritetin për trajtimin e çështjeve themelore që kanë të bëjnë me ish-të përndjekurit politikë me synimin edukimin e shoqërisë me ngjarje të shkuarës që vijojnë të lenë kujtime tragjike në memorien e familjeve që kaluan në këto përvoja të dhimbshme. Znj.Frédérique Hanotier, zyrtare e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri shprehu mbështetjen për masonin e AIDSSH-së në drejtim të qartësimit të fatit të të zhdukurve:

“Mësimi nga e kaluara fuqizon qytetarët që të ndërtojnë një shoqëri më të qëndrueshme dhe demokratike. Kjo është një çështje komplekse dhe EU vazhdon të ketë një përkushtim të fortë për të mbështetur Shqipërinë që të merret me të shkuarën dhe të rrisë kohezionin social në kontekstin e anëtarësimit të vendit në BE.” Simpoziumi u përshëndet edhe nga Përfaqësuesi i Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur (Commission on Missing Persons (ICMP), Luigj Mila, bashkëpunëtor i AIDSSH në hartimin e databazës së personave të zhdukur dhe familjarëve të tyre.

Më pas vijoi me tematikat e programuara mbi kufijtë e diktaturës. Kuadri Ligjor dhe Institucional në Shqipërinë Komuniste, ku u veçua punimi i Prof. Asoc. Enriketa Papa, nga Departamenti i Historisë në FHF, e cila solli një qasje analitike mbi kufirin dhe simbolikën e tij në autoritarizmin shqiptar, të krijuar nga Enver Hoxha, në Shqipërinë komuniste, duke u fokusuar tek izolimi ekstrem dhe politikat kufitare dhe nevojës së shoqërisë dhe politikës vendase në përballje me të shkuarën.

Nëpërmjet hulumtimit, analizimit të dokumenteve origjinale dhe shqyrtimi i fakteve, analizës së kuadrit ligjor AIDSSH synon të hedh dritë mbi dukuritë tragjike që solli mbyllja e kufijve dhe izolimi si : vrasjet në kufi, dënimet e gjata apo me vdekje për të arrestuarit në tentativë, pasojat me internimin kolektiv të familjes së mbetur. Evidentimi, por dhe ekspozimi i të vërtetave historike, nxit rishqyrtimin e historisë dhe edukimin mbi të. Nga ky simpozium, AIDSSH do të shtrojë rrugën për të hulumtuar më tej edhe në zonat të tjera kufitare të vendit, nga ku raportohen kalimet e ndaluara të kufirit si nga liqeni Shkodrës, pika kufitare e Hanit të Hotit, Konispoli etj.



Lexoni të gjitha në Bota Sot