Arrestohet i shumëkërkuari Eshref Qafleshi – i dënuar për kërcënimin e prokurorit

- Bota Sot

Arrestohet i shumëkërkuari Eshref Qafleshi – i dënuar për kërcënimin e prokurorit

I shumëkërkuari i dënuar për kërcënimin e Besim Susurit, prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, ka përfunduar në prangat e Policisë. Eshref Qafleshi që ishte shpallur fajtor për kanosje tashmë do ta vuajë dënimin për këtë rast.

Qafleshi është arrestuar gjatë ditës së mërkurë në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata.

Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit me burgim në njërën nga qendra korrektuese, thonë të njëjtat burime.

Ndryshe, aktakuza e vitit 2017 e ngarkonte Qafleshin se në Gjykatën Themelore të Prizrenit – dega Dragash, duke qenë palë në procedurë në cilësinë e të dëmtuarit, gjatë seancës gjyqësore kishte përdorur fjalë fyese ndaj prokurorit të shtetit, Besim Susuri, dhe më pas e kishte kanosur me fjalët “ki me pa se kush është Eshref Qafleshi”.

Atë kohë, edhe familjarët e prokurorit kishin marrë kërcënime që lidheshin me këtë rast.

“E pata vështirë të ju gjej, mirëpo nëse prindi juaj vazhdon me idiotizëm ju do të ndëshkoheni shumë keq, mos harro t’i bëni të fala edhe Besim Susurit m…, tash ta njoh edhe motrën o m… o m.. i m…”, raportohej në vitin 2017.



Lexoni të gjitha në Bota Sot