Ministri Vengu viziton Komandën e KFOR dhe kontingjentin e forcave shqiptare në Pejë

- Bota Sot

Ministri Vengu viziton Komandën e KFOR dhe kontingjentin e forcave shqiptare në Pejë

Gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u ndal edhe në Komandën Qendrore të KFOR si dhe në Komandën e Zonës Perëndimore në Pejë, ku takoi trupat shqiptare, që shërbejnë përkrah vendeve aleate dhe partnere të NATO-s.

I shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj, ministri i Mbrojtjes u prit nga komandanti i KFOR gjeneralmajor Özkan Ulutaş me të cilin ndanë shqetësimin rreth kontekstit të brishtë të sigurisë, kryesisht në veri të Kosovës, duke kujtuar sulmet kriminale dhe terroriste ndaj trupave të KFOR si edhe atë në Banjskë, vitin e kaluar: “Shqipëria mbështet pa asnjë lëkundje KFOR-in si të vetmen garanci për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë”, – u shpreh Vengu, duke falënderuar gjeneralmajor Ulutaş për vendosmërinë dhe maturinë në parandalimin e situatave kërcënuese.

Në bazën e KFOR në Pejë, delegacioni shqiptar u prit nga komandanti italian i bazës, koloneli Mundo, i cili e informoi zotin Vengu për kontributin e trupave shqiptare, duke theksuar se angazhimi dhe profesionalizmi i tyre vlerësohet nga të gjithë shtetasit e Kosovës dhe veçanërisht nga minoritetet.

Në takimin me kontingjentin shqiptar, ministri Vengu falënderoi gratë dhe burrat e Forcave tona të Armatosura që shërbejnë në misionin e KFOR, i cili ka për qëllim sigurinë e të gjithë popullsisë dhe lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Rritja e kontributeve të Shqipërisë në misionet e NATO, kërkon gjithashtu një vëmendje më të madhe ndaj përmirësimit të kushteve në mision të forcave tona dhe mbështetje të vazhdueshme për familjet e tyre.

Kontingjenti shqiptar në misionin e KFOR është rritur së fundmi dhe përbëhet nga 107 efektivë ne Komandën Rajonale Perëndimore në Pejë dhe 25 përfaqësues civilë dhe ushtarakë në Shtabin e KFOR në Film City, Prishtinë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot