Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla kanë ndodhur jo rrallëherë edhe në institucione arsimore e në afërsi të tyre – çka ka ngritur shqetësim te prindërit.
Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe së fundmi në fshatin Dubravë në Kaçanik, ku viktimë është një 16-vjeçare, e cila dyshohet se është sulmuar seksualisht nga mësuesi i saj.
Gazeta posedon të gjitha informacionet që organet e rendit tashmë posedojnë, por për shkak të ruajtjes së identitetit të viktimës, nuk do t’i zbulojë të gjitha.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti dyshohet se ka ndodhur brenda hapësirave të shkollës, ku vajza kishte shkuar për disa prova, pasi i dyshuari ishte mësimdhënës i muzikës.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka puthur viktimën fillimisht në faqe e më pas e ka prekur në të pasme, duke i shkaktuar shqetësim e frikë nxënëses.
Përballë kësaj situate, vajza është larguar nga shkolla dhe e ka denoncuar rastin, ndërsa Policia është vënë në lëvizje për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.
Si rezultat, i dyshuari është identifikuar dhe arrestuar nga Policia.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se gjatë intervistimit, i dyshuari ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim seksual ndaj nxënëses.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.