Momqillo Trajkoviq thotë se Kisha Ortodokse Serbe nuk po iu përgjigjet: Autoritetet në Beograd na tradhtuan

- Bota Sot

Momqillo Trajkoviq thotë se Kisha Ortodokse Serbe nuk po iu përgjigjet: Autoritetet në Beograd na tradhtuan

“Në Kosovë populli është në një tragjedi dhe tani është në kërkim të rrugëdaljes. Rrugëdalja është një katastrofë, sepse njerëzit e shohin rrugëdaljen në largimet individuale”, ka thënë, ish-guvernatori i Kosovës i vendosur nga krimineli i luftës Millosheviq, Momçillo Trajkoviq, aktualisht kryetar i Forumit Kombëtar Serb nga Graçanica, në një konferencë për media me rastin e takimit të djeshëm me iniciativën opozitare serbe “ProGlas”.

Trajkoviqi ka thënë se kjo është biseda e parë e këtij lloji mes serbëve të Kosovës dhe një organizate të këtij lloji dhe se ky delegacion e sheh ProGlas-in si një elitë intelektuale, transmeton gazeta serbe Danas.

Ai ka thënë se kanë diskutuar për të gjitha temat që janë planifikuar sipas agjendës së takimit. Ka shtuar se edhe pse ka dallime të mendimeve, ka mirëkuptim të ndërsjellë dhe dëshirë për bashkëpunim të mëtejshëm.

Trajkoviq paralajmëroi një takim të ardhshëm me të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe tha se qëllimi i këtij takimi është i njëjtë.

Ai gjithashtuu ankua se Kisha Ortodokse Serbe nuk iu është përgjigjur thirrjeve të shumta, duke shtuar se “nuk ka zgjidhje të çështjes së Kosovës pa kishën”.

“Deri më tani kemi marrë përgjigje negative. Dhe Kisha nuk duhet të ndërhyjë në politikë, por duhet dhe mund të ndikojë në bashkimin e njerëzve”, ka thënë ai.

“Nuk do të flas për autoritetet në Beograd, ata na tradhtuan. Kisha dhe elita intelektuale janë ata që duhet të ngrenë kokën”, shtoi ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot