Njohësit e zhvillimeve në Beograd: Kosova po vepron sipas marrëveshjes

- Bota Sot

Njohësit e zhvillimeve në Beograd: Kosova po vepron sipas marrëveshjes

Në Beograd thonë se mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri, nuk është befasi, për shkak se kjo po bëhet duke implementuar marrëveshjen e Brukselit, ku Kosova dhe Serbia ishin pajtuar. Këto deklarata i ka thënë kryetari i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vuletiq, i cili theksoi se Qeveria e Serbisë duhet ta informojë popullin serb në Serbi se këto janë të nënshkruara kohë më parë.

Përkundër reagimeve të Beogradit zyrtar cili akuzon Prishtinën për politikën kundër serbëve në Kosovë, njohësit e zhvillimeve vlerësojnë se ngjarjet në veri të Kosovës janë rezultat i veprimeve të mëparshme.

Për Zoran Vulletiqin, kryetarin e Forumit Demokratik Qytetar, largimi i institucioneve të Republikës së Serbisë nuk është befasi, pasi kjo ka qenë temë e bisedimeve në dialog. Sidoqoftë, ai thekson se publiku serb nuk është informuar mjaftueshëm nga pushteti serb.

"Është e qartë se në detajet e atyre negociatave është arritur një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që një ditë do të duhet të hiqen institucionet paralele dhe më duket se kjo po ndodh tani. Se kjo është bërë pas shpinës së publikut serb dëshmon edhe reagimi i qetë i autoriteteve serbe për të gjitha ato ngjarje. Mendoj se është mirë që u ra dakord, por i fajësoj që nuk ua sqarojnë qytetarëve marrëveshjet e zbatuara për të nxjerrë kontekste pozitive, për të nxjerrë përfitime për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, siç është qasja e përshpejtuar në BE", tha Zoran Vulletiq.

Duke folur për bllokadat e pikave kufitare, ai thotë se ato nuk janë zgjidhja dhe se ato udhëhiqen nga organizata të paqarta që synojnë të krijojnë presione dhe tensione.

"Të gjithë serbët e dinë epilogun e çështjes së Kosovës. Serbët që jetojnë atje janë peng të politikës serbe. As qeveria, as opozita nuk kanë guxim të përballen me realitetin e humbjes së Kosovës", theksoi Vulletiq.

Beogradi zyrtar pret një reagim konkret të BE-së për veprimet e Prishtinës, por analistët vërejnë se mbyllja e strukturave paralele serbe ndodhi pas vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, ku u konfirmua nevoja për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot