Kosova humbi 3-0 ndaj Rumanisë, por ky rezultat është më shumë se thjesht një humbje sportive. Kjo ishte një humbje poshtëruese, një dështim i cili nuk mund të justifikohet me aftësinë e lojtarëve në fushë, por me mungesën e thellë të atdhedashurisë dhe të motivimit. Kjo humbje reflekton një gjendje të keqe të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të frymës së saj kombëtare.
Presidenti i Federatës, Agim Ademi, është një simbol i këtij dështimi. Ai nuk përfaqëson idenë e një kombëtareje që synon suksesin përmes idealizmit dhe ndjenjës kombëtare. Ai përfaqëson diçka tjetër – një kulturë të thellë korrupsioni që përbuz frymën e fitores dhe të përfaqësimit të një vendi që ende lufton për identitet në skenën ndërkombëtare.
Ku është fryma e fitores? Ku janë heronjtë në fushë që duan të sakrifikojnë gjithçka për ngjyrat e flamurit dhe për ndjenjën kombëtare? Këta lojtarë duket se kanë harruar se çfarë do të thotë të përfaqësosh një komb që ka vuajtur për dekada për të fituar lirinë dhe identitetin e tij.
Ata kujdesen më shumë për kontratat e tyre me klubet e huaja, për trupat e tyre, sesa për nderin e vendit që i ka bërë ata çfarë janë. Ata duket se harrojnë që bluza e kombëtares nuk është një uniformë e zakonshme; është një simbol i dinjitetit dhe i përkushtimit.
Por kjo nuk është vetëm një çështje e lojtarëve. Trajneri dhe stafi i tij duket se kanë dështuar në ndërtimin e një narrative të qartë që u bën lojtarët të kuptojnë se çfarë përfaqësojnë. Atdhedashuria nuk është thjesht një emocion që lind spontanisht; ajo kultivohet dhe frymëzohet nga udhëheqësit që janë të aftë të ndërtojnë një vizion përtej fitores së thjeshtë në fushë.
Atdhedashuria është motivi që bën një lojtar të përballet me çdo kundërshtar me kokën lart, edhe kur çdo gjë duket e humbur. Por kur udhëheqësit vetë nuk kanë këtë ndjenjë, si mund të presim që lojtarët të motivohen?
Le të marrim si shembull ekipet që kanë luftuar me të gjitha forcat për vendin e tyre. Kombëtare si ajo e Kroacisë, që përkundër kufizimeve dhe sfidave, kanë arritur të jenë konkurrentë të denjë në futbollin ndërkombëtar.
Këto ekipe nuk kanë luajtur thjesht për trofe; ata kanë luajtur për krenarinë e kombit të tyre. Kur shikon lojtarët e Kosovës, vë re një mungesë të thellë të kësaj ndjenje. Ata nuk duken të frymëzuar, dhe kjo është një tradhti jo vetëm ndaj tifozëve, por ndaj vetë ideve të kombit që përfaqësojnë.
Çfarë i motivon këta njerëz që nuk e duan Kosovën? Është e qartë se paraja dhe kontratat personale kanë më shumë rëndësi për ta sesa ndjenja e fitores për një vend që ka dhënë kaq shumë.
Kjo është një tragjedi kombëtare, jo thjesht një disfatë sportive. Ata që duhet të ishin ambasadorët e krenarisë sonë janë shndërruar në përfaqësues të mediokritetit dhe egoizmit. Këto janë njerëz që nuk kanë autoritet, nuk kanë disiplinë dhe mbi të gjitha, nuk kanë dashuri për vendin e tyre.
Nëse ky është niveli i përfaqësimit tonë, atëherë çfarë shprese kemi për të ardhmen? Kjo është pyetja që duhet t’i bëjmë vetes. Ne kemi nevojë për njerëz që përfaqësojnë idealizmin dhe përkushtimin, jo për të tillë që e shohin kombëtaren si një trampolinë për karrierat e tyre personale.
Shkruar nga Baton Haxhiu – Albanianpost