Familja Aliu së shpejti me shtëpi të re në Leposaviq, në pritje edhe 200 të tjera

- Bota Sot

Familja Aliu së shpejti me shtëpi të re në Leposaviq, në pritje edhe 200 të tjera

Familja Aliu së shpejti pritet të bëhet me shtëpi të re në Cerajë të komunës së Leposaviqit. Kjo pasi që kësaj familje para 25 vitesh iu ishte djegur shtëpia nga serbët gjatë luftës së Kosovë. Ndërsa nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë bërë të ditur se në komunat veriore do të ndërtohen së shpejti 200 shtëpia të reja pas një marrëveshje të cilën e kanë bërë me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”.

Punimet kanë filluar në rrugën që të dërgon në fshatin Cerajë të Leposaviqit.

Kjo pasi do të frekuentohet nga banorët e asaj zone.

Edhe makineritë punuese do të përdoren së shpejti për rrënimin e një shtëpie që ka mbetur në këtë gjendje të mjerueshme tash e shumë vite.

Ahmet Aliu nga ky fshat verior i Kosovës, thotë se përveç rrugëve që janë duke u hapur dhe rregulluar, qeveria ia ka mundësuar rindërtimin e shtëpisë së tij e cila iu dogj para dy dekadash nga serbët.

“Qe 25 vite këto shtëpia kanë qenë në këtë gjendje, nga lufta që kanë qenë të djegura sot i ka ardhë mundësia, kjo shtëpi do të rrënohet edhe do të ndërtohet shtëpi e re, për rikthimin e një familje, edhe shumë familje të tjera këtu në fshatin Cerajë, ashtu edhe fshatrat e tjera që i kemi për rreth jemi shumë falënderues që kanë marrë këtë iniciativë e po na hapin edhe rrugët ngapak edhe shtëpitë po na ndërton të reja edhe jemi të kënaqur me këtë punë”, tha ai.

Aliu deklaron se interesimi për tu riatdhesuar qytetarët në komunat veriore është rritur, pasi që sipas tij, po rindërtohen shtëpi të reja.

“Interesim do të ketë shumë, edhe ka interesim shumë të madh për tu kthyer njerëzit edhe për me ndërtua shtëpia por tash n’varet nga qeveria sa i ka mundësitë, se interesim ka shumë të madh. Ka përfitues, po ka ende kërkesa shumë të mëdha për me u kthy, me maru me u ringjallë, për me jetu se janë lodhur njerëzit nëpër qytet, këtu ska pas kurgjo tash ka fillua të rikthehen ngapak ngapak”, ta Aliu.

Në prill të këtij viti qeveria e Kosovës kishte ndarë katër milionë euro me kërkesë të MAPL-së për rindërtimin e shtëpive të reja në komunat, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, duke i subvencionuar 100%.

E më 12 gusht 2024, Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal pas një marrëveshjeje me kryetarin e shoqatës “Jetimët e Ballkanit” Halil Kastratin, u akorduan të rindërtojnë edhe 200 shtëpi të reja duke i ndarë, 100 ministria dhe 100 shoqata. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot