Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se u është caktuar nga një muaj paraburgim katër të dyshuarve ( J.M, P.G, P.H dhe M.M) për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në parkingun mbrapa “Routte 66” në rrugën Dervish Çollaku – Zona Industriale në Prishtinë, pas një mosmarrveshje të atëçastshme brenda diskotekës me të dëmtuarin A.N, të pandehurit dalin para hyrjes së diskotekës dhe presin derisa i dëmtuari të dalë jashtë dhe në momentin kur i dëmtuari del nga diskoteka, katër të pandehurit e përcjellin dhe e godasin me mjete të forta (tulla) në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve J.M, P.G, P.H dhe M.M dhe të njëjtëve i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin.
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, mund të shmangen nga procedura penale duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë”, thuhet në njoftim.