Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka thënë se katër serbët e arrestuar nga Policia e Kosovës të cilët mbrëmë sulmuan Policinë e Kosovës u nxitën nga Petar Petkoviç dhe Aleksandar Arsenijević, për të shkaktuar trazira në veri të Mitrovicës.
Ai në një postim në X ka thënë se mirëpret arrestimin e këtyre personave që fyen e dëmtuan prona të shqiptarëve.
“E mirëpres arrestimin e mbrëmshëm të huliganëve serbë të dehur të cilët shkatërruan prona fyen shqiptarët në baza kombëtare dhe sulmuan policinë e Kosovës. U udhëzuan nga Petar Petkoviç dhe Aleksandar Arsenijević për të shkaktuar trazira në pjesën veriore të Mitrovicës për të shkaktuar konflikte”, ka shkruar ai.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një polic ka pësuar lëndime trupore pas sulmit nga personat e arrestuar.
“Më datë 10.09.2024 katër persona të moshës madhore kanë ofenduar e më pas sulmuar dy zyrtar policor në shetitore të Mitrovicës Veriore e më pas janë larguar, ku njëri nga policët ka pësuar lëndime. Njësitet policore kanë arritë t’i arrestojnë të dyshuarit në rrugën ’Knjaz Milosh’, të njëjtit janë dërguar në stacion policor e më pas janë dërguar për kontroll mjekësor” – ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut Veton Elshani.