Më 13 shtator të këtij viti u bënë 34-vjet kur Serbia, me 42 pizgauerë, 8 automjete të blindura,6 tanke dhe një helikopterë që vëzhgonte gjendjen nga qielli ia kishte mësyrë fshatit Pollatë të komunës së Podujevës.
Në shënjestër ishte familja Monolli–Latifi e cila në të gjitha periudhat u kishte rezistuar sulmeve serbo-sllave.
Orvatjet e Serbisë për ta nënshtruar këtë familje të madhe mëmëdhetarësh fillet i kanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Çetnikë e partizanë serbë patën vrarë në moshë të re në fshatin Repë të Llapit, vëllezërit: Hajrullah Mursel Latifi 1905–1943, Tafil Mursel Latifi 1924–1943 dhe kushëririn e tyre Munoll Osman Monolli.
E, tri-katër vjet më vonë pagjurmë likuidohet edhe Jusuf Mursel Latifi, të cilit që nga ajo ditë tragjike nuk i dihet as varri.
Me të njëjtin skenar vritet edhe Jetullah Ramë Dema 1909-1941. Sipas rrëfimeve të të moshuarve Abdylhamit Rushiti, Hetem dhe Ilaz Dema, thuhet se Jetullahun, këto banda të krimit e kanë kidnapuar dhe pastaj e kanë ekzekutuar diku në malet e Kopaonikut.
Përkundër vrasjeve, burgosjeve dhe dhunës së pandërprerë Monollët e Pollatës,brez pas brezi tregohen kundërshtar të pakompromis ndaj të gjitha regjimeve të Serbisë.
Të vendosur për të qëndruar të pathyeshëm deri në pavarësimin e plotë të Kosovës nga Serbia, tregohen veçmas vëllezërit: Hashim, Avdi dhe Shefki Monolli-Latifi, si dhe kushërinjtë e tyre Sabit,Muhamet, Ali, Ibush dhe Ftim Monolli–Latifi.
Hashim Latifi, 1926-2009 ishte njëri nga mësuesit e parë në Llap. Ai më 1949 dënohet me burgim të rëndë. Edhe pas vuajtjes së dënimit përcillet çdo hap nga UDB-a, jugosllave.
Me gjithë kërcënimet e vazhdueshme Hashimi do të marrë guximin që të ndjekë kurse plotësuese të mësuesisë në Prishtinë dhe Prizren.
I vetëdijshëm që mund t’i ndërpritet frekuentimi i këtyre kurseve nga regjimi titisto-rankoviçian, ai ato i kryen me sukses, duke bërë ndryshim të mbiemrit nga Latifi në Morina.
Hashimi në Llap e më gjerë shquhet si arsimdashës dhe atdhetar i devotshëm. Ai 36 vite të plota punoi si mësues në Halabak, Pollatë, Sllatinë, Dumnicë dhe Llaushë, fshatra këto të regjionit të Llapit.
Hashimi një kohë kreu edhe detyrën e llogaritësit të normës në Kombinatin Metalurgjik Trepça në Stantërg të Mitrovicës. Por, as njëherë nuk u la i qetë nga regjimet diktatoriale të ish-Jugosllavisë komuniste dhe Serbisë fashiste.
Vite të shumta burgimi pati bërë edhe i vëllai Avdi Latifi, i cili deri në çlirimin definitiv të Kosovës, u dha shpirt e forcë të gjitha organizimeve ndaj pushtuesve serbo-sllavë.
Po ashtu baca, Sabit, një marangoz i njohur përveç punës cilësore dallohej për guxim dhe aftësi organizative.
Shtëpia e tij në Podujevë gjatë vitit 1981, ka qenë jatak i të rinjve që merreshin me hartimin e programit për kryengritje të përgjithshme kundër Serbisë.
Ai disaherë ka qenë i dënuar nga Serbia për veprimtari atdhetare. Baca, Sabit ka vuajtur dënimin në burgun famëkeq të Nishit, me Mulla Ramë Govorin, një antikomunist i përbetuar dhe i palëkundur në qëndrime.
Mulla Rama, dhe shokë të tjerë të burgut të Nishit, Sabitin e përshkruajnë si burrë trim dhe humanist të madh.
Pushtuesit serbë gati çdo stinë të vitit u munduan për t’i zmbrapsur Monollët–Latifajt, duke i arrestuar dhe duke u shqiptuar dënime drakonike, nëpërmjet proceseve të montuara politike.
Mirëpo, ata këto dënime i bëjnë edhe më të fortë, si në veprimtari individuale ashtu dhe në organizim të masave.
Monollët dhe Ajetajt e Sfeqlës që nga viti 1932 në krushqi me njëri-tjetrin janë nga të parët në Krahinën e Llapit, që tytat e armeve ua drejtojnë serbëve kolonizatorë të tokave tona stërgjyshore.
Nga derë e njohur e familjes Monolli, vjen edhe Hyrë Monolli-Ajeti, gjyshja e heroit Ali Adem Ajeti, vrarë më 30 maj të vitit 1989 nga policë vrasës serbo-sllavë, gjegjësisht nëna e luftëtarit të paepur për lirinë e Kosovës, Hetem Ramadan Ajeti.
Nga frika që po dështohet në zënien gjallë të Aliut, që ishte kryeorganizator i këtyre protestave dhe i burgosur politikë gjendjen nga qielli e përcillte edhe një helikopter i forcave të policisë jugosllave.
Aliu atë ditë kritike vritet në përpjekje për t’i mbrojtur nxënës e studentë llapjanë pjesëmarrës të kësaj demonstrate të fuqishme, që pati filluar në orët e paradites në sheshin e Podujevës.
Policë e ushtarë serbë të rritur me urrejtje të paparë ndaj shqiptarëve më 27 mars të njëjtit vit vrasin edhe Mehmet Maliq Ejupin, i cili ende s’kishte hyrë në pranverën e 24-të, të jetës së vet.
Me vrasjen e Mehmetit shihet haptas çmenduria e neofashistëve serbë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Polici serb që shtie në Mehmetin kur vëren që ai kishte rënë përtokë nga plumbat puth tytën e automatikut. (dëshmitar okular Xhelil Arbanasha, Polonicë-e Podujevës )
Vrasja e Mehmetit dhe Aliut i pezmaton aq shumë Monollët dhe Ajetajt e Sfeqlës, të cilët si alternativë të vetme shohin krijimin e grupeve guerile.
Detyrë e këtyre grupeve të përbëra nga tre-katër veta do të jenë sulmet e koordinuara ndaj njësiteve të policisë serbe të vendosura dhunshëm në komunën e Podujevës.
Në mesin e atyre që kishin planifikuar krijimin e këtyre grupeve guerile ishte edhe Zejnullah Zejnullahu-Zena, në atë periudhë kryetar i LDK-së, nëndega në Sfeqël të Podujevës.
Zejnullahu duke treguar gatishmëri në pajisjen me armë të vullnetarëve të gatshëm për t’ua kthyer tytat e armëve pushtuesve serbë në nëntor të vitit 1992, shet 50-ari tokë pjellore dhe bagëtinë.
Ai më 22 qershor të vitit 1998 e braktis përfundimisht Zvicrën dhe rikthehet në radhët e UÇK-ës. Përkrah Zejnullahut do të jenë dhe tre djemtë e tij, Bekimi, Afrimi dhe Arsimi.
Meqenëse në shtëpinë e Zenës ishin të pozicionuara njësitet e UÇK-ës, për përgatitjen e ushqimit dhe higjienën kujdeseshin bashkëshortja e tij, Mihane Kastrati-Zejnullahu me të bijat Ganimeten dhe Makfiren.
Në mënyrë mjeshtërore dhe pa u diktuar asnjëherë në këtë organizim do të ndihmojë edhe Ismail Ajeti–Bushi, vjehërr i Muhamet Latifit, i dënuar dyherë me vdekje nga regjimi komunist i ish–Jugosllavisë.
Ismaili më 23 dhjetor të vitit 1945 në Kranjë të Prespës,ia mundëson arratisjen në Greqi, me 400 (katërqind) luftëtarë Muharrem Bajraktarit, udhëheqës i Ballit Kombëtar.
Ai nuk njihte frikën! Akt të ngjashëm heroizmi tregon edhe më 8 shkurt të vitit 1950.
Ismaili në cilësinë e gardianit të burgut në Mitrovicë të Kosovës, ua çel dyert të gjithë të burgosurve politikë, ku së bashku me ta edhe ai merr arratinë.
Ismailit pas kësaj ngjarje i shqiptohet dënimi me vdekje. Nga ekzekutimi e shpëton i vëllai Mehmeti që qet në shitje ara e bagëti. Me këtë rast me familjen Ajeti, solidarizohet edhe Latif Merovci,shok dhe mik i ngushtë i Mehmetit, i cili për shpëtimin e Ismailit, nga ekzekutimi ndihmon me 100 (njëqind ) lira të arit.
Një avokat me emër që ishte i lidhur me kabinetin qeveritar të Titos, pas pranimit të një shume bukur të majme parash, dënimin me ekzekutim Ismail Ajetit–Bushit, ia kthen në burgim të përjetshëm.
Ismaili nga dënimi i dytë lirohet më 15 shkurt të vitit 1960,falë një Amnistie të përgjithshme.
Ai edhe pse kishte përjetuar ferrin në burgun e Manastirit dhe Idrizovës, përsëri do të jetë përkrah rinisë kryengritëse të Llapit dhe trevave të tjera shqiptare.
Ismaili mbante lidhje të vazhdueshme me Monollët e moshuar dhe të rinj. Fjala e tij respektohej nga të gjithë.
Dhëndëri i tij Muhamet Latifi edhe pse shumë herë ishte keqtrajtuar dhe burgosur nga regjimi gjakatar i Mishosheviqit, të gjithë njerëzit që Ismaili i adresonte tek ai i strehonte pahezituar në shtëpinë e tij.
Madje në rast sulmesh nga armiku në bregoren rrëzë shtëpisë së tij, kishte ndërtuar një bunker.
Këtu patjetër duhet vlerësuar edhe guximin e të ëmës, Hajrije Bajgora–Latifi. Hajrija qëkur ishte vajzë kishte përjetuar dhunën dhe terrorin e pushtuesve serbë. Andaj e dinte fare mirë që ata janë të pirur vetëm për krime dhe gjenocid.
Ajo duke qenë motër e tribunit të njohur popullor Bislim Bajgora, me tërë qenien u jep mbështetje të pazëvendësueshme djemve dhe vajzave të Llapit, në organizim kundër okupimit të Kosovës nga Serbia.
Fëmijë të vajzave të saj Fatimes dhe Miradijes, janë Pajazit Jashari dhe Gjyle Krasniqi të dënuar politikë. Pajazit Jashari, nga ilegalja i njohur me nofkën Boiku, shumë i rinj pati përjetuar qelitë e burgut skëterrë të Goli–Otokut.
Ndërsa, Gjyle Krasniqi e quajtur Shote Galica e Llapit në vitet e 80-ta,e pati goditur 4-5 herë me një shufër në kokë shitësin serb të tekstileve Stojan Mikiq.
Në ato çaste me Gjylën ishte edhe vajza e tezës së saj Mihane Ali Jashari (dëshmitar okular Hazbi Fazli Gubetini)
Mikiq një njeri amoral kur shihte vajza të bukura i ngacmonte me fjalë të pista. Por, atij i pati dhënë hakun Gjyle Krasniqi, duke i treguar që s’mund të abuzohet me femrat shqiptare.
Pas kësaj ngjarje rinia llapjane thuri vargjet kumbuese dhe në rimë ‘’Të paçim jetë e mot Gjyle Krasniqi, tmerri i Stojan Mikiqit‘’
Në familjen e vëllezërve Sabit, Myftar, Eset, Ali dhe Muhamet Monolli-Latifi, më 1989 strehohen edhe anëtarët e celulës së armatosur të njohur në popull si ‘’Çeta e Llapit’’
Si pasojë e aktivitetit kombëtar Muhamet Latifi në nëntor të vitit 1994, rrahet mizorisht nga policia serbe.
Atij gjykatat e udhëhequra nga gjykatës të afërt me kryekasapin Sllobodan Millosheviq, i shqiptojnë dënimin me burg, të cilin e vuan në Prishtinë dhe Prokuple.
Muhamet Latifi i gatshëm për të dhënë jetën çdo moment në mbrojtje të Kosovës, po nga këto Gjykata kriminale të Serbisë, dënohet edhe në vitin 1997 me 6 muaj burgim.
Ai, këtë dënim e kryen në Leskovc të Serbisë . Në këtë burg famëkeq patën qëndruar më 1989 edhe elita e intelektualëve kosovarë me në krye Akademik, Rexhep Ismajli, Kolë Berisha, Xheladin Rekaliu, Nazmi Peci-Boletini, Muhamet Shatri etj.
Në nëntor të vitit 1994 së bashku me z. Muhamet Latifi, keqtrajtohet rëndë edhe Avni Mustafë Hoxha, veprimtar i LDK-së, nëndega në Pollatë të Podujevës, nip i antikomunistit të përbetuar Jahja Fusha.
Fashizmin serbo- sllavë të manifestuar 9 vite më herët ndaj shqiptarëve e përshkruan edhe z.Gani Ukë Hoxha, veprimtar i hershëm dhe i dënuar politikë.
Ai me emocion kujton vitin 1982,kur së bashku me Pajazit dhe Bejtush Jasharin, Ali Monollin-Latifin, si dhe shokë të tjerë me rastin e njëvjetorit të demonstratave studentore të 1 prillit 1981, organizojnë në qendër të Podujevës, një demonstratë.
Me këtë rast kërkohet lirimi i menjëhershëm dhe i pakushtëzuar i të gjithë të burgosurve politikë në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Pushtuesit serbë me lojalët e tyre në Kosovë të frikësuar që fare lehtë mund t’u dal nga duart situata, të nesërmen i arrestojnë organizatorët e kësaj proteste dhe i dënojnë me burgim të rëndë.
Z. Hoxha ishte edhe njëri nga udhëheqësit e formacionit të armatosur “Çeta e Llapit” Ai vite të tëra e ka udhëhequr edhe Fondin për Financim të Republikës së Kosovës në Zvicër.
Një moment tjetër prekës e rrëfen edhe Eqrem Selman Sheholli me punë e qëndrim në Basel të Zvicrës.
Ai dhe disa shokë të tij nga Llapi dhe rajone të tjera të Kosovës në vjeshtën e vitit 1991 përzgjidhen që të shkojnë në Shqipëri, për të fituar njohuri plotësuese në përdorim armësh dhe teknikë luftarake.
Mirëpo, papritur këta të rinj dekonspirohen nga dikush dhe menjëherë nis burgosja e disave prej tyre nën akuzën se kanë planifikuar akte terroriste ndaj Jugosllavisë.
Pas këtyre arrestimeve arbitrare ata që konsideroheshin si organizator të dërgimit të këtyre djemve në këto stërvitjeve ushtarake japin urdhrin për shpërndarje.
Legjendarët, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çeku etj, krenari jona kombëtare përkundër urdhrit për shpërndarje kthehen të armatosur në Kosovë.
Me grupin e Deçanit që udhëhiqej nga heroi Sali Çeku të armatosur në Kosovë, hyjnë 32-veta.
Pjesë e këtij grupi ishin edhe Eqrem Selman Sheholli dhe Driton Isa Restelica nga komuna e Podujevës.
Mirëpo, nuk voni shumë dhe sigurimi i fshehtë serb nisi t’i kërkojë në të ashtuquajturat “biseda informative”
Ata për rrezikun e mundshëm të burgosjes ishin njoftuar nga Ismail Ajeti-Bushi, të cilin e kishte njoftuar më herët Isa Berisha, njëri nga organizatorët e rekrutimit të këtyre të rinjve në stërvitje ushtarake në Shqipëri.
Falë seriozitetit dhe reagimit në kohë të Ismail Ajetit–Bushit, arrestimit nga policia serbe i shpëtojnë për një fije floku Eqremi si dhe Hetemi e Murati,që në ato çaste gjendeshin mysafirë në fshatin Balloc të Podujevës, tek Selman Tafë Sheholli, vjehërr i Hetem Ajetit.
Ismaili ishte ai që me të kuptuar rastin kishte shkuar me vrap në Balloc, dhe kishte njoftuar për rrezikun e arrestimit. Pastaj, nëpërmjet Ismailit njoftohet edhe Driton Isa Restelica nga Podujeva.
Kurse, Hamdi Jahir Jaha, absolvent i Fakultetit Teknik, që ishte në grup të njëjtë me Eqremin dhe Dritonin, në atë periudhë sekretar i LDK-së, nëndega në Sfeqël të Podujevës, njoftohet nga i vëllai Ukshin Jaha, se është duke u kërkuar nga policia e Serbisë.
Hamdiu në mungesë pune dhe mjetesh detyrohet që nga Tirana të kaloj në Bernë të Zvicrës. Ai edhe në Zvicër, vazhdon aktivitetin e tij, kombëtar si veprimtar i palodhshëm i LDK-së.
Në këto ushtrime ushtarake në Surrel të Shqipërisë nga LDK-së, nëndega në Sfeqël,ishte edhe Islam Xhevit Visoka, Arsimtar i Edukatës Fizike në Shkollën 8-vejeçare “Ali Ajeti” dhe futbollist i dalluar i KF”Llapi” të Pdujevës dhe KF ”Flamurtari” të Prishtinës.
Ai mbetet i pazbuluar nga policia serbe falë pjekurisë së tij dhe qasjes me seriozitet në këtë detyrë me peshë.
Z.Islam Visoka ishte në grup me Komandantin legjendar Zahir Pajaziti dhe vëllezërit Gubetini, si dhe bashkëfshatarin e tyre Vehbi Abdyl Zeqiri etj.
Zahir Pajaziti gjatë kësaj periudhe ishte udhëheqës i Parlamentit Rinor të Kosovës, nëndega në Orllan të Podujevës. Me transformimin e kësaj Shoqate rinore në Parti Parlamentare të Kosovës, Zahir Pajaziti u zgjodh kryetar i Degës së këtij subjekti në Orllan, të cilin e udhëhoqi me mjaft sukses.
Për hir të opinionit duhet të sqarojmë që Dega e Partisë Parlamentare të Kosovës në Podujevë, është themeluar disa muaj pas asaj të Orllanit.
Ndërkaq, Eqrem Sheholli dhe Driton Restelica, që po ashtu kërkoheshin nga Policia e Serbisë, me ndihmën e Hetem Ajetit, vendosen në fshatin Dyz të Podujevës në familjen e Qazim Islamit.
Meqë, kjo familje kishte vetëm dy dhoma banimi dhe gjendje të rëndë ekonomike, brenda katër-pesë ditëve duhej të ndërrohej vendstrehimi i tyre.
Ata nga Dyzi kalojnë në fshatin Gërdoc në familjen Asllani. Por, edhe këtu qëndrimi do të jetë i shkurtër, ngase kryefamiljari i kësaj shtëpie Qazim Asllani, bashkëpunonte ngushtë me Hasan Ramadanin,anëtar i Çetës së Llapit dhe besnik i amanetit të heroit Ali Ajeti.
Prandaj, druhej nga ndonjë bastisje e papritur e kësaj familje nga policia serbe. Në fakt më vonë u vërtetua që droja ishte plotësisht e arsyeshme, sepse ndërmjet natës së 6 dhe 7 gusht të vitit 1994, forcat policore dhe ushtarake të Serbisë, me tërë arsenalin e tyre sulmojnë shtëpinë e Hasan Ramadanit në fshatin Shajkoc të Podujevës.
Hasani në përpjekje për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe nderin e familjes së tij bie heroikisht.
Bandat kriminale të Serbisë të udhëzuara nga Millosh Nikoliq, i njohur më tepër si i biri Dragçit, të habitura me qëndresën e tij, ia dëmtojnë rëndë shtëpinë.
Fidajetja vajza e madhe e Hasanit, edhe pse ende fëmijë nëpër tym e flakë që e kishin kapluar shtëpinë mundohet që t’i dal në ndihmë babait të saj.
Ismail Ajeti-Bushi kur sheh që Eqremit dhe Dritonit po u kanoset rreziku për t’u kapur nga policia e Serbisë, i strehon në shtëpinë e dhëndrit të tij, Muhamet Ibrahim Latifi-Monolli.
Monollët e Pollatës të njohur si kryengritës të përhershëm karshi Serbisë, përherë mbaheshin nën vëzhgim të saj.
Prandaj, nga frika plotësisht e justifikueshme që kjo familje mund të atakohet prapë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, sikurse më 13 shtator të vitit 1990, Eqremi dhe Dritoni kalojnë në fshatin Bakshi të Kastriotit (ish-Obiliqi)
Ata në këtë fshat qëndrojnë një natë në shtëpinë e Sabit Bejtush Hazirit, vëllai i të cilit Hamza ishte i martuar me Hamiden të bijën e Mehmet Hasan Ajetit, të fshatit Sfeqël të Podujevës.
Meqenëse, dhuna përshkallëzohej nga dita në ditë Zejnullahu Zejnullahu një burrë fjalë pak dhe i guximshëm me veturën e tij “Opel Kadet 1000” i shoqëruar nga Hetem e Murat Ajeti dhe hoxhë, Ahmet Berisha, i Majancit, tani i ndjerë, Eqremin dhe Dritonin më 31 tetor të vitit 1992, i transferojnë në Pejë dhe Gjakovë, tek disa miq të besueshëm të Ismail Ajetit-Bushit.
Pastaj,Isa Hysenaj, një djalë trim e bujar që e njihte mirë terrenin me disa shokë të tij, Eqremit dhe Dritonit ua mundësojnë futjen ilegale në Shqipëri.
Falë përpjekjeve të përbashkëta të Muhamet Monollit-Latifit, Ismail Ajetit- Bushit e veçmas të Zejnullah Zejnullahut-Zenës dhe Hetem e Murat Ajetit si dhe hoxhë, Ahmet Berishës, këta dy të rinj i shpëtojnë valës së arrestimeve nga regjimi fashist i Milosheviqit.
Gjatë kësaj periudhe z.Muhamet Latifi që shtëpinë e tij e kishte shndërruar në strehimore të të përndjekurve nga Serbia, kryente funksionin e kryetarit të LDK- së, nëndega në Pollatë.
Ai njëkohësisht dy mandate ishte edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së, dega në Podujevë.
Nën akuzën se ishte pjesë e këtyre grupeve guerile me tortura si në kohë të Mesjetës më 24 shkurt të vitit 1997,mbytet në burgun e Prishtinës, inxhinieri i rinj i xehetarisë Besnik Muharrem Restelica, nga Podujeva.
Diku shtatë-tetë muaj më vonë si pasojë e torturave të hatashme në burgun Qendror të Beogradit vdes 55-vjeçari Jonuz Zeneli, nga Ballabani i komunës së Prishtinës.
Rrjedhja e ngjarjeve tregon që sulmi i 13 shtatorit të vitit 1990 mbi familjen Monolli-Latifi, ishte i projektuar nga Beogradi, shumë herët. Serbia këtë familje me taban kombëtar e shihte çdoherë çerdhe kryengritësish me nam.
Tafil Hashim Latifi, arsimtar i gjuhës angleze në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Shefki Latifi” në Pollatë të Podujevës, në një prononcim të tij në një nga televizionet tona, pati thënë “ky krim i Serbisë, ndaj familjes sonë ishte përgatitur me një skenar të veçantë.”
Përkundër asaj që në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren ,Pejë, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj, ekzistonin kazerma të Armatës Jugosllave, që udhëhiqeshin nga oficerë serbë, në mars të vitit 1989, nga kazerma Ushtarake e Nishit “Stevan Singjeliq”në Llaushë dhe Obrançë të Podujevës, janë pozicionuar kohë të gjatë forca të shumta ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë.
Aty-këtu në këto njësite ka pasur edhe ndonjë slloven, kroat, maqedonas apo boshnjak. Kjo ishte më tepër taktikë për justifikimin e krimeve që kjo Armatë, kryente ndaj ushtarëve dhe civilëve shqiptarë.
Tafil Latifi, që vitet e rinisë i kishte kaluar në burgun e Gradishtës së Kroacisë, i burrëruar para kohe, këto zhvillime i merr seriozisht.
Ai këshillon familjarë, shokë e miq, që karshi kësaj situate të tensionuar të mos qëndrohet duarkryq.
Më 11 shtator të vitit 1990, tre-katër veta të panjohur kishin trokitur në portën qendrore të shtëpisë së Hashim Monollit-Latifit.
Siç është në traditën e shqiptarit derën e kishte hapur çuni i madh i Hashimit, asokohe 31-vjeç Tafil Latifi.
Këta persona të panjohur Tafili mendon që janë minoritarë goranë të komunës së Sharrit të Kosovës, ish-Dragashi i dikurshëm.
Ata me të parë në një cep të oborrit stivën e druve kishin thënë se janë të interesuar kinse për blerjen e tyre.
Tafili edhe pse kishte kërkuar çmim bukur të lartë për stivën e druve ata as që e kishin diskutuar atë.
Sikurse atëherë ashtu dhe sot Tafili, i qetë dhe me një karakter të një malësori të vërtetë njerëzit e panjohur s’kishte dashur që t’i bezdis me pyetjeje të panevojshme.
Mirëpo, krimi i 13 shtatorit të vitit 1990,kur në ora 3:30 minuta pasmesnatës në të gjitha anët u rrethua fshati Pollatë,do të vërtetojë që “blerësit e druve ‘’ kanë qenë agjentë të rryer të UDB-ës, serbo-sllave.
Në këtë sulm mizor pa fajin më të vogël vriten të rinjtë Skënder Hamit Monolli dhe Besim Hashim Latifi. Po ashtu arrestohen dhe rrahën brutalisht gra e burra të familjes Monolli–Latifi.
Pa kurrfarë procedurash paraprake në burgun e Prishtinës, mbahen dhe rrahën barbarisht, Hashim Mursel Latifi, Hakif Demë Hyseni, Emin Sadik Behrami, Jusuf Sahit Latifi dhe 29 veta të tjerë, në mesin e tyre edhe gra e vajza, të familjes Monolli-Latifi.
Dhunë të shfrenuar xhelatët serbë ushtrojnë edhe ndaj të miturës Azize Hamit Monolli, që ende nuk i kishte mbushur 15 vjet.
Shumica e të keqtrajtuarve edhe sot lëngojnë nga pasojat e atij tërbimi të egër dhe çnjerëzor të policëve kriminelë të Serbisë.
Mbi gjestet e këtyre policëve skizofrenë flet edhe akti kur, Naim Hashim Latifi, Afrim Sahit Latifi, Ismail Hamdi Latifi dhe Sahit Latifi, edhe pse me plagë të rënda në trup mbahen në burgun e Prishtinës, plot tre muaj, në kushte të tmerrshme.
Nën akuzën se ata kanë sulmuar policë e ushtarë serbë Gjykata komunale në Kushumli, të Serbisë, të lartpërmendurve u shqipton dënime në mungesë.
Ata duke njohur historinë e burgjeve të Serbisë dhe agresivitetin prej kafshësh të egra të policëve dhe gardianëve nuk i bindën urdhrit të kësaj Gjykate, fashiste dhe të politizuar deri në palcë.
Po ashtu këtë tmerr e përjetojnë edhe Behram Sadik Behrami, dëshmor i kombit dhe Refik Enver Hoxha, të cilët mbahen prej 14 shtator deri më 17dhjetor 1990, pa kurrfarë faji në burgun e Prishtinës.
Madje, dëshmorit të kombit Behram Behrami, Gjykata komunale, përkatësisht gjykata themelore në Kushumli të Serbisë, i shqipton dënimin me 1 vit burgim, nën akuzën se ai së bashku me Ismail Hamdi Latifin, kanë plagosur me armë zjarri policët serbë, Milloje Bllagojeviq dhe Millan Muratoviq.
Z.Fazli Balaj, avokat i angazhuar nga Ukshin Behrami, që në atë periudhë punonte si punëtor stinor në Olten të Zvicrës, kërkon që Gjykata t’i jap afat kohor prej shtatë ditësh për vuajtjen e dënimit klientit të tij, Behram Behrami, me arsyen se nëna e tij, Shehide Zymeri Behrami, ishte e shtrirë në spitalin e përgjithshëm të Prishtinës.
Pas aprovimit të kërkesës së avokatit Fazli Balaj, i vetëdijshëm që s’do të dalë i gjallë nga ky ferr i mbushur me recidivistë e kriminelë serbë Behram Behrami, kalon në ilegalitet, deri në ditën kur mobilizohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai, i sigurt që vetëm nëpërmjet tytës së pushkës ndalen pushtuesit serbë më 17 shtator të vitit 1998,i përgatitur mirë fizikisht dhe moralisht rreshtohet një njësitin “Ulpiana 55” me qëllimin e vetëm mbrojtjen e truallit pellazgo-ilir.
Me rritjen dhe masivizimin e UÇK-së, Behrami, kalon në Brigadën 152 “Shaban Shala” Zona Operative e Llapit.
Behram Behrami, edhe gjatë viteve 1974-1978,si nxënës i gjimnazit “8 Nëntori” të Podujevës, e kishte të ngritur ndjenjën e përgjegjësisë ndaj Atdheut. Ai si arsimdashës i vërtetë shumë herët nisi të punojë si mësimdhënës në shkollën 8-vjeçare“ Ramiz Sadiku” të Pollatës dhe paralelet e saj të ndara në Zhiti, Sllatinë e Murgullë.
Behram Sadik Behrami dhe Hasan Sejdi Dema, që në jetën reale ishin të pandarë edhe vdekjen e bënë së bashku.
Ata në përballje me forcat policore dhe ushtarake të okupatorit serbë ranë heroikisht më 28 maj të vitit 1999, tek mulliri i Demajve në Pollatë.
Krimit të ultë dhe tinëzar të 13 shtatorit të vitit 1990, të organizuar nga Ushtria dhe Policia e Serbisë, fatmirësisht i shpëton Tafili Hashim Latifi, që atë natë të kobshme gjendej tek xhaxhai i tij Shefkiu ,i cili prej vitesh jetonte në Podujevë.
Ndjemë obligim që lexuesve t’u sqarojmë që të gjithë Monollët e Pollatës së Podujevës, janë të një trungu familjar.
Mirëpo, atyre për arsye të moslejimit të shkollimit dhe gjetjes së ndonjë vendi të punës nga armiku u imponohet ndryshimi i mbiemrave në, Monolli, Latifi, Dema, Azemi, Behrami, Hyseni, Ademi, Rushiti, Hoxha dhe Salihu.
Dhembja dhe pikëllimi Monollët–Latifajt, do t’i godasë edhe më 4 korrik të vitit 1995, kur nga torturat çnjerëzore të policisë serbe do të vdes mësuesi i popullit Shefki Mursel Latifi.
Shefkiu me seriozitet e përkushtim të madh e kreu detyrën e inkasantit në kuadër të Këshillit Qendror për Financim të Kosovës–Këshilli Komunal për Financim-Podujevë.
Ky Këshill njihej si Fondi i Qeverisë së Republikës, Kryetari i këtij Këshilli ishte z. Mehmet Hajrizi
Shokë e miq duke parë vuajtjet dhe sakrificat e pandërprera të Shefkiut e krahasonin me rilindësin tonë të madh Millosh Gjergj Nikolla–Migjeni.
Përpjekjet e disa individëve që dramën sa tragjike aq edhe krenare të Monollëve-Latifajve të Pollatës,ta paraqesin sipas qejfeve dhe interesave të tyre personale dhe partiake janë të dëmshme, sepse e zvetënojë sakrificën nëpër vite të kësaj familje, beden i përhershëm në mbrojtje të Kosovës, dardane.
Krimi serbë në Pollatë e pati prekur mbarë popullin shqiptar. Më 15 shtator të vitit 1990 me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve u krye ceremonia e varrimit e Skënder dhe Besim Monollit–Latifit.
Edhe pse në gjendje shtetrrethimi rinia llapjane e udhëhequr nga z.Agron Maliq Jaha,kryetar i Parlamentit Rinor të Kosovës-dega në Podujevë, tregohet vigjilente dhe e organizuar për lakmi.
Ajo në asnjë mënyrë s’bie preh e provokimeve të xhelatëve serbë që kërkonin marrjen e jetëve të tjera të rinisë sonë.
Pa eufori dhe me një qetësi për t’u admiruar në këtë ceremoni mortore z. Agron Jaha, tek të gjithë të pranishmit apelon që edhe pas vrasjes së Skënderit dhe Besimit,të vazhdohet me protesta dhe mjete të tjera deri në shkëputjen definitive të Kosovës nga Serbia.
Zaten ky apel edhe u jetësua. Gjatë viteve 1998–1999 kur Serbia ,filloi me vrasjen masive të shqiptarëve të Kosovës, shumica e djemve të Bashkësisë Lokale të Pollatës, të aftë për armë të udhëhequr nga Muhamet Ibrahim Latifi, u rreshtuan në radhët e UÇK-ës.
Nga kjo trevë e njohur edhe si Gryka e Mavriqit, në Beteja me armikun ranë duke e shkruar me gjakun e tyre pavdekësinë shumë të rinj.
Në këtë tubimin mortor në nderim të Skënderit dhe Besimit, ku dëgjoheshin vetëm vajet e foshnjave dhe cicërimat e zogjve disa fjalë i pati thënë edhe z.Fehmi Ismaili, përfaqësues i Kryesisë së LDK-së, dega në Podujevë.
Këshillin për pajtim dhe falje të gjaqeve në nivel vendi që atë vit ishte në vlugun e punëve e pati përfaqësuar pedagogu i mirënjohur Shevqet Canhasi.
Z. Fehmi Idriz Berisha, i porsa liruar nga prangat e burgjeve të ish-Jugosllavisë, si bashkëveprimtar dhe mik i bacës Avdi dhe Sabit, pati apeluar për vazhdimin e protestave dhe unifikimin e faktorit shqiptar në të gjitha trojet tona.
E, aktori llapjan Ismet Azemi i lindur në Pollatën, e qëndresës dhe sofrës së shtuar me bukë, kripë e zemër pati deklamuar vargjet e Nolit “Syrgjyn-vdekur”
Ndërkaq, z.Jakup Niman Azemi, moshatar dhe shok i studimeve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Kosovës, pati evokuar kujtime nga jeta me Besimin si fëmijë e student.
Azemi me lot nëpër faqe pati thënë “dhembjen dhe pikëllimin s’mund ti përshkruaj kurrfarë pende, sepse sot humbëm një jurist të ardhshëm dhe një krijues letrar që mungesa e tij do të ndihet kudo”
Besimit i rrinte bukur emri që mbante ngaqë çdoherë i besoi çlirimit të Kosovës, për të cilën edhe u flijua, së bashku me kushëririn e tij Skënderin.
Ai betimin për të vdekur në mbrojtje të Shqipërisë Natyrale e pati bërë edhe nëpërmjet vargjeve me titull “Për ty Kosovë” të botuara në revistën studentore “Bota e Re” një vit përpara se të binte në altarin e lirisë.
Punimet e tyre të shkruara enkas për këta dy martir të Demokracisë dhe Pavarësisë së Kosovës, i patën lexuar edhe krijues e veprimtarë të tjerë nga Llapi dhe viset e tjera shqiptare.
Dhe fare në fund klerikë të ritit myslimanë të prirë nga Ilaz Rrahmani-Sekiraça, kryeimam i Bashkësisë Islame në Podujevë, patën bërë lutje që shpirti i këtyre lajmëtarëve të lirisë të prehet në paqe të përhershme.
Skënderit dhe Besimit armiqtë ua kishin frikën edhe për së vdekuri. Ekspeditat me policë të harbuar serbë nuk i patën lënë të qetë edhe pas vrasjes duke ua dëmtuar varret.
Ky provokim i turpshëm i armiqve shihej që ishte një thirrje e hapur për gjakderdhje të re në familjen Monolli-Latifi.
Monollët-Latifajt e hershëm dhe ata të sotëm prioritet të vetëm gjatë gjithë jetës e patën shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
Paanshmëria në përshkrim ngjarjesh rrit besueshmërinë ndër ne dhe në qendrat e vendosjes në botë.
Përshkrimi i njëanshëm i ngjarjeve nga njerëz karrierist që shohin vetëm interesin personal dhe të klaneve të tyre, krijon tek gjeneratat e ardhshme dilema me të panjohura të shumta.
Edhe pse të barrikaduar nga forca të policisë serbe menjëherë në vendngjarje patën dalë aktivistë e gazetarë shqiptarë, të cilët këtë ngjarje të rëndë e patën pasqyruar me mjaft korrektësi, si në shtypin tonë ashtu edhe në atë ndërkombëtarë.
Faqe të tëra mbi këtë krim të Serbisë në fshatin Pollatë të komunës së Podujevës, pati përgatitur z.Blerim Shala, me pseudonimin Otto Grum, të cilat i pati botuar në dy-tri vazhdime në revistën “Mladina” Organ i Rinisë së Republikës së Sllovenisë.
Këta artikuj kanë qenë të ilustruar edhe me fotografi të shumta të punuara nga fotoreporteri i “Zëri javor” të Prishtinës, z. Hazir Reka,i njohur nga kolegë e miq si Marubi i Kosovës.
Kështuqë me kohë e gjithë bota kuptoi që Serbia, më 13 shtator të vitit 1990,kreu krim të organizuar në Pollatë të Podujevës.
ARIF EJUPI
P.S. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale, dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.