Rusia tashmë e ka intensifikuar propagandën zyrtare kundër Kosovës. Në dy deklarime gjatë ditës së kaluar, Rusia ka tërhequr paralele të rrezikshme mes trajtimit “nga nazistët ukrainas” të rusëve në Ukrainë dhe serbëve në Kosovë, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “spastrim etnik”, akuzë e përsëritur disa herë nga Serbia. Çka tha Rusia?
Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka folur shkurtimisht në lidhje me Kosovën. Siç raporton “Danas”, medium serb opozitar, Lavrovi ka bërë një krahasim të rrezikshëm, duke thënë se serbët në Kosovë janë duke u “persekutuar ngjashëm” sikurse popullata ruse në territorin e Donbasit, propagandë që i parapriu pushtimit rus të Ukrainës.
“Spastrim etnik i pastër si loti. Gjithashtu, falë Zotit, pa konflikte serioze ushtarake, po tentojnë ti dëbojnë serbët nga Kosova” – ka thënë Lavrovi, transmeton “Danas”.
Përveç Lavrovit, kësaj propagande jehonë i dha edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova. Në një deklaratë, Zakharova ka vazhduar me të njëjtën linjë, duke e akuzuar Kosovën për spastrim etnik.
Madje, Zakharova e ka përmendur me emër kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar atë për “largim të serbëve nga vendlindja”. Në deklarimin e saj, Zakharova ka kërkuar nga misionet ndërkombëtare që të veprojnë bazuar në Rezolutën 1244.
“Në të vërtetë, kryeministri Albin Kurti po i largon serbët që jetojnë në Kosovë nga vendlindja e tyre, duke përdorur masa të rrepta. Ne e shprehim solidaritetin me komunitetin serb, u bëjmë thirrje misioneve ndërkombëtare që veprojnë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ti përmbushin siç duhet mandatet e tyre dhe ta sigurojnë mbrojtjen e serbëve nga sulmet ndaj të drejtave dhe sigurisë së tyre. Kriza e nxitur nga Prishtina i takon Perëndimit” - tha Zakharova.
Sjellim ndër mend që dje Aleksandar Vulini, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Serbisë, në një formë e kërcënoi Kosovën me “përballje”. Duke folur për situatën në Kosovë, Vulini, që është i sanksionuar nga ShBA-ja, tha se situata mund të eskalojë në çdo moment. Nëse eskalon, tha Vulini, “Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq”.
"Situata në provincën jugore serbe – siç Vulini e quan Republikën e Kosovës v.j. – mund të eskalojë në cilindo moment. Kur dhuna përdoret kundër serbëve, është e pamundshme të pritet që secili, sidomos Serbia, do të qëndrojë duarkryq e të shikojë. Natyrisht se ne sdo të bëjmë ashtu" - ka thënë Vulini.
Tutje, sot president serb Vuçiq do të mbajë një konferencë në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa tabloidet serbe, të afërta me regjimin e tij, kanë spekuluar se Vuçiqi mund të deklarojë një pjesë të Kosovës si të pushtuar.