Mbrojtja propozon të kryhet ekspertizë e re psikiatrike ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllait

- Bota Sot

Mbrojtja propozon të kryhet ekspertizë e re psikiatrike ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllait

Mitrovicë– Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, mbrojtësja e të akuzuarit Erdian Jahiroviq, avokatja Albana Peci, kërkoi të bëhet ekspertizë e re psikiatrike, me arsyetimin se ekspertiza paraprake nuk është kryer në mënyrë profesionale.

Në këtë rast, Jahiroviq akuzohet se në nëntor të 2023-ës e ka vrarë vëllanë e tij E.J., me thikë, pas fjalosjes për t’ia ndalur zërin muzikës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurorja Fetije Bajrami në fjalën hyrëse deklaroi se pas administrimit të provave dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve të propozuar në aktakuzë, pa mëdyshje do të vërtetohet kryerja e veprës penale sipas aktakuzës.

Ndërsa, avokatja Peci deklaroi se për të si mbrojtëse e të akuzuarit Jahiroviq ka qenë evidente që nga momenti kur është angazhuar se i mbrojturi i saj ka çrregullime mendore.

Avokatja tha se kjo bindje i është forcuar nga familjarët e tij, si dhe nga vizitat e bëra në qendrën e paraburgimit.

Ndërsa, tha se ajo çfarë e befason më së shumti është ekspertiza nga ekspertët psikiatrik e 1 marsit 2024, në të cilën sipas saj konstatohet se i pandehuri vuan nga çrregullimi i personalitetit dhe se në momentin e kryerjes se veprës penale aftësia për t’i kontrolluar veprimet e veta ka qenë zvogëluar në shkallë joesenciale.

Më pas, avokatja Peci tha se ekspertiza psikatrike nuk është kryer në mënyrë profesionale dhe propozoi që të bëhet ekspertizë e re psikiatrike për të pandehurin Jahiroviq.

Ndërsa, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ali Kutllovci, bëri të ditur se lidhur me propozimin e mbrojtjes do të vendoset më vonë.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitareve Xh.J dhe F.J. Për këtë të fundit, mbrojtësja e të akuzuarit kundërshtoi propozimin e Prokurorisë për dëgjimin e saj, me arsyetimin se gjatë marrjes në pyetje në Prokurori është vërtetuar se e nuk është në gjendje të rregullt mendore.

“Përderisa e njëjta nuk e di sa fëmijë i ka, nuk konsideroj që duhet t’i bëhen pyetje”, tha avokatja Albana Peci.

Ndërsa, gjykatësi Kutllovci tha se dëshmitarja di të përgjigjet por duhet ditur si i parashtrohen ato, ngase është dëshmitarja e vetme okulare.

Dëshmitarja Xh.J., (motra e të akuzuarit dhe viktimës) deklaroi se tani të ndjerin e kishte parë në spital pasi ai kishte qëndruar aty katër ditë. Tha se kur kishte ndodhur rasti nuk kishte qenë në vendngjarje por kishte mësuar nga vajza e tani të ndjerit M.J.

Sipas saj, i akuzuari Jahiroviq kishte jetuar nëpër kontejner të bërllokut dhe është i sëmurë që kur ishte 15 vjeç kur edhe ishte gjallë nëna e tij. E pas vdekjes së saj, tha se të akuzuarit iu kishte përkeqësuar gjendja.

Ndërsa, dëshmitarja F.J., (bashkëshortja e viktimës) tha se ka qenë në një dhomë bashkë me fëmijët kur kishte ndodhur rasti. Ajo tha se dera e dhomës kishte qenë e hapur dhe se në dhomën tjetër e kishte parë bashkëshortin e saj të mbuluar me gjak dhe kur tani i akuzuari e kishte goditur me thikë në kokë dhe stomak.

Në fund, Gjykata vendosi që në seancën e ardhshme të shqyrtimit gjyqësor të ftohet eksperti i psikiatrisë forenzike, me qëllim të sqarimit të çështjeve të paraqitura në ekspertizë.

Në këto rrethana seanca e sotme gjyqësore është ndërprerë, ndërsa ajo e radhës pritet të mbahet në muajin tetor.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 25 mars 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Erdian Jahiroviq, i cili ngarkohet se më 5 nëntor 2023, në banesën e tij, në veri të Mitrovicës, me dashje e ka privuar nga jeta vllanë e tij – tani të ndjerin E.J, pas një fjalosjeje rreth ndaljes së zërit të muzikës.

Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Jahiroviq e kishte sulmuar viktimën me thikë të kuzhinës 5 herë nëpër trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur në Spitalin e Mitrovicës.

Me këtë, Jahiroviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza thotë se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të dispozitivit, i pandehuri Erdian Jahiroviq, pa autorizim ka poseduar një pistoletë.

Me këtë, po akuzohet se e ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot