Opozita kritikon politikën e Vuçiqit ndaj Kosovës, e konsideron të dështuar

- Bota Sot

Opozita kritikon politikën e Vuçiqit ndaj Kosovës, e konsideron të dështuar

Opozita vlerëson se politika e Aleksandar Vuçiqit ndaj Kosovës ka dështuar, sepse vendimet e mëparshme të presidentit të Serbisë kanë kontribuar në përkeqësimin e situatës.

Aleksandër Radovanoviq nga Lëvizja Qytetarët e Lirë thekson se largimi nga institucionet e Kosovës përkeqësoi edhe më shumë situatën.

“Njerëzit duhet të kuptojnë se kur serbët e braktisën institucionet e Kosovës në vitin 2022, ne paralajmëruam se kjo ishte një gabim katastrofal. Tani kërkon kthimin në gjendjen përpara asaj vendimi dhe kur kjo të ndodhë, do të shpallë një fitore të re, sikur të ketë arritur diçka epokale, ndërsa në fakt vetëm ka rikthyer gjendjen e mëparshme”, tha Aleksandar Radovanoviq nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.

Edhe ish-kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviq, kritikon politikën e Vuçiqit, duke theksuar korrupsionin brenda regjimit.

“Për Zvonko Veselinoviqin dhe Millan Radoiçiqin sigurohet punë në tenderë të kurdisur në Beograd me vlerë mbi një miliard euro, ndërsa për fëmijët në Kosovë jepen vetëm 5.000 dinarë për ushqim”, tha Stefanoviq në një deklaratë.

Aleksandar Vuçiq njoftoi publikun se Serbia kërkon zgjedhje të ndershme dhe të lira ne veri të Kosovës, kthimin e serbeve ne institucione gjyqësore dhe policinë në veri të Kosovës dhe formimin e menjëhershëm të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Një pjesë e publikut në Serbi vlerëson se këto kërkesa kanë një mesazh politik për përdorim të brendshëm. Sipas analistit politik Zllatoje Martinov, kërkesat e Vuçiqit nuk sollën asgjë të re. Ai thekson se Vuçiq kërkon zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa vetë nuk respekton Marrëveshjen e Ohrit.

“Njerëzit mund të shohin se kërkesat e Vuçiqit janë plotësisht të vjetruara për shkak të ngjarjeve të shumta që Vuçiq dhe krijesa e tij Lista Serbe i kanë provokuar qëllimisht, si çështja e targave, bllokadat në pikat kufitare, largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, sulmi terrorist i grupit të Radoiçiqit në Banjska dhe drama rreth hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër. Këto kërkesa janë të vjetruara pasi ndërkohë kanë ndodhur ngjarje të reja që kanë ndryshuar kornizën ligjore të vendosur nga Marrëveshja e Brukselit”, tha Zllatoje Martinov, analist politik.

Ndër masat, Vuçiq njoftoi se strukturat serbe të mbyllura në veri të Kosovës do të zhvendosen në Serbi, si dhe se do të rritet ndihma financiare për serbët që jetojnë në Kosovë.

Ndërkohë, Qeveria e Serbisë do të angazhohet që të gjitha ministritë përkatëse të fillojnë zbatimin e masave brenda kompetencave të tyre.



Lexoni të gjitha në Bota Sot