Të pamundshme…krejt të pakuptimta.
Këto dy përfundime i përsërit opinionisti i shquar serb, Dushan Janjiq, teksa analizon konferencën e jashtëzakonshme të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku shpaloi disa të ashtuquajtura ‘masa’ dhe kërkesa për rikthimin e serbëve në institucionet kosovare; nga ku para dy viteve i kishte urdhëruar vetë të dalin.
Kthimin në ‘Status Quo Ante’, Janjiq e quan “të pamundur” kështu-për-kështu dhe thjesht për konsum të brendshëm politik atje – si qëllim të Vuçiqit – por se “historia s’kthehet prapa”.
“Ata s’mund të kthehen thjesht-ashtu”, tha Janjiq.
E pyetëm saktësisht për të ashtuquajturën “prokurori speciale” për të përndjekur “kush shkel të drejtat e serbëve në Kosovë”, dhe Janjiq edhe këtu vëren se është “non-sens”.
“Kjo është veç politike, sepse në realitet nuk mund të bësh gjë të tillë”.
A mund të jetë kjo kërëcënim për serbët në institucionet kosovare?
Janjiq: “Ky është problemi, sepse në fund të këtij tregimi, ky trup mund të përndjekte vetëm serbët. Ata s’mund të përndjekin ndonjë tjetër, le të themi, shqiptarë a boshnjak nga Kosova, vetëm serbët bashkëpunues”.
“Do të thoja që politikisht dhe ligjërisht është non-sens, e pakuptimtë, që s’bëhet, as implentohet. Thjesht do të mund të kapej dikush që hyn në territor të Serbisë; dhe efekti politik është komplet negativ për komunitetin serb që kryesisht është edhe dezintegrim i tyre”, tha Dushan Janjiq.
Për masën tjetër – që Serbia shpall zonat e banura me shumicë serbe në Kosovë si zona të veçanta për mbrojtje sociale – Janjiq kthehet në vitin 2014.
“Më 2014 ky i njëjti Vuçiq me Gjuriqin e shpallin veriun Zonë të Zhvilimit, tash Zonë Sociale”, tha ai.
Performancën dhe përmbajtjen e konferencës së Vuçiqit, Janjiqi e sheh si tentim “për të hequr përgjegjësinë për kollapsimin e politikave të tyre, që Kurti qenka përgjegjës se pse serbët i paskan lënë institucionet”.
“Kush e beson këtë? Askush”.
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiq, beson se Aleksandar Vuçiq “ia ka huqur tërësisht shënjestrës” dhe se “duhet të ndërrojë krejtësisht politikën”.
“Ajo çka është e frikshme, është se s’ka asnjë ide për ta ndryshuar këtë politikë”.
“Gabimi i politikës serbe është se lidhi gjithçka me këtë punën e Asociacionit. Kjo është një diçka që duhet të rishqyrtohet, s’është siç ishte paramenduar më 2013. Mendoj se tash është koha për ndërrim të tërësishëm, dhe hapi i parë njohja e realitetit, realiteti është që Serbia nuk mund të financojë, mbështesë dhe mbajë institucionale paralele që nuk ekzistojnë”, tha Dushan Janjiq.
“Qeveria e Kosovës i eliminoi ato; e se si i eliminuan temë tjetër: ajo s’ishte më mënyrë integrimi por me polici”.
Konkluzioni i Janjiqit është se tregimet e vazhdueshme të Vuçiqit “nuk janë të zbatueshme” por qëllimin e kanë te audienca e brendshme.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur pushtet policor dhe administrativ në veri të Kosovës, ne mund ta diskutojmë a është legjitime ose legale, nuk është legjitime mënyra se si u zgjodhën kryetarët, por ama u zgjodhën”, vazhdoi ai.