Politikani serb nga veriu i vendit, Aleksandar Arsenijeviq ditë më parë ishte i ftuar në një debat televiziv në gjuhën serbe. Bashkë me të ishte edhe ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.
Ky i fundit ishte i ashpër me grupin e Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselenoviqit. I pari tashmë i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për terrorizëm, bashkë edhe me 46 persona të tjerë, në rastin e ndodhur më 24 shtator 2023 në Banjska.
Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në një paraqitje të ftuar në televizionin opozitar N1, anëtarët e Listës Serbe i ka quajtur kriminelë të thekur.
Por, ndryshe nga ai ka qenë politikani kosovar, i bërë më famë kohët e fundit, Aleksandar Arsenijeviq.
Ai ishte kundër qëndrimeve të ish-Presidentit Tadiq edhe për Radoiçiqin, tashmë i akuzuar për terrorizëm.
“Askush nuk mund të presë që ne t’i quajmë terroristë” tha Arsenijeviq, derisa po i ndërhynte Tadiqit kur ai me emër i përmendi Radoiçiqin e Veselenoviqin.
Ai madje shkoi tutje duke shtuar se sipas tij, serbët në Veri askush nuk mund ti “shikojë në atë mënyrë dhe se ne kemi qenë pengjet e tyre”, tha Arsenijeviq derisa po mbronte Radoiçiqin dhe jo vetëm atë.
Aleksandër Arsenijeviq ditë më parë mori famë për shkak të disa aksioneve, përfshirë edhe atë ku i fishkëlloi Kryeministrit Albin Kurti, për çka për pak kohë u ndalua nga Policia e Kosovës.
Ai ishte ndaluar edhe javë më parë për shkak të një aksioni tjetër tek ura e Ibrit.
Mbetet ende e pa qartë nëse Arsenijeviq ka ndonjë lidhje direkte me të akuzuarin për terrorizëm, Milan Radoiçiq, i cili dihet se ka mbajtur lidhje e kontakte me njerëz të botës së biznesit, politikës, e edhe krimit sa ishte zyrtarisht nënkryetar i Listës Serbe.
Ai njihet po ashtu për atë që në jahtin e tij në Budva dhe në pronat e tij në Kopaunik ka ftuar njerëzit me të cilët mbante raporte private.