Në shenjë solidariteti me punëtoret teknike të Kuvendit, Kolektivi Feminist paralajmëron protestë

- Bota Sot

Në shenjë solidariteti me punëtoret teknike të Kuvendit, Kolektivi Feminist paralajmëron protestë

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar protestë për të premten në ora 13:00 në shenjë solidariteti me punëtoret teknike të Kuvendit të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë.

Sipas njoftimit të këshuar nga kjo organizatë punëtoret e pastrimit teknik të Kuvendit të Kosovës që nga dje kanë hyrë në grevë duke kërkuar rroga të cilat ua sigurojnë minimumin jetik e trajtim të dinjitetshëm në punë.

“Aktualisht ato marrin veç 275 euro në muaj në kushte pune denigruese dhe çnjerëzore. Të organizuara mbi të drejtën e tyre për punë dhe jetë të dinjitetshme, ato po kërkojnë të mos trajtohen si mall i cili ofrohet nga bizneset për shtetin, ashtu siç i ka definuar shteti përmes partneritetit publiko-privat por si njerëz prej mishi e gjaku e punëtore të cilat e mundësojnë punën e këtij institucioni”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se teksa punëtoret janë duke e zhvilluar rezistencën e tyre haptazi në oborrin e Kuvendit, Kolektivi ka vendosur t’iu bashkohet e ta mbështesin kauzën e tyre për trajtim njerëzor në vendin e punës.

“Të qëndruarit krah tyre në këto kushte të skajshme shtypjeje e heshtimi të çdo punëtoreje e punëtori që ngreh krye ndaj shtypjes që i bëhet, është detyra e secilës e secilit prej nesh. Ne nuk mund të lejojmë që edhe një rezistencë të shuhet sepse skajohet qëllimshëm nga vëmendja publike. Përderisa shteti po ua mbanë krahun kapitalistëve e po e mirëmbanë shtypjen e punëtoreve, ne rreshtohemi krah grevistet dhe kërkojmë plotësimin e kërkesave të tyre. Kërkesat e tyre për paga dhe trajtim të dinjitetshme duhet të na lëvizin të gjitha/ë ne dhe të dalim në shesh e t’i kërkojmë shtetit që t’i trajtojë punëtoret dinjitetshëm e jo si mall që blihet lirë. Greva e tyre është moment i rëndësishëm i artikulimit politik të gjendjes së klasës punëtore dhe kundërshtimit të zhvleftësimit në rritje të statusit të punëtores/it”, thuhet tutje. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot