Në Prokurorinë Themelore në Prizren është ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.G., A.H., H.A., O.A., M.H., A.B., dhe M.R., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi me migrantë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, të gjitha këto vepra të ndëshkueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, ata dyshohen se kanë kontrabanduar migrantë nga Shqipëria në Kosovë, e pastaj në Serbi.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit S.G. dhe A.H., nga fillimi i muajit mars të vitit 2023, e në vazhdim deri në ditën e arrestimit në bashkëkryerje me të pandehurit M.R., dhe A.B., (të arrestuar në Shqipëri) në baza ditore, organizojnë dhe drejtojnë persona të tjerë, e pikërisht të pandehurit A.H., H.A., O.A., H.M., për kryerjen e veprës penale ‘kontrabandimi me migrantë’, në atë mënyrë që të njëjtit i drejtojnë këta të pandehur dhe bëjnë organizimin e kontrabandimit të migrantëve sirianë dhe migrantëve nga shtetet tjera arabe, duke i përcjellë të njëjtit rrugëve ilegale për t’i futur nga territori i Shqipërisë në territorin e Kosovës, dhe nga territori i Kosovës në territorin e Serbisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në aktakuzë specifikohet se të dyshuarit, nga marsi i vitit 2023, çdo ditë kanë kaluar nëpër këto shtete nga 10 deri në 15 migrantë, të cilët thuhet se destinim të fundit i kishin shtetet e Bashkimit Evropian.
“…ndërsa secili migrant për të kaluar nga territori i Shqipërisë deri në territorin e Serbisë, ka paguar nga 500 euro, e për transport brenda territorit të Republikës së Kosovës ka paguar nga 45 – 100 euro. Me këto veprime, të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale ‘kontrabandimi me migrantë’”, thuhet në njoftim.
Më tej, në aktakuzë sqarohet edhe mënyra se si migrantët kalonin ilegalisht territorin e Kosovës.
“Ndërsa, të pandehurit A.H., M.H., H.A., O.A., dhe H.M., nga fillimi i muajit mars të vitit 2023, e në vazhdim deri me datë 20.06.2023, merren me kontrabandim me migrantë, në atë mënyrë që i pranojnë migrantët kryesisht arabë dhe të shteteve aziatike, nëpërmes rrugëve malore, i kalojnë në territorin e Republikës së Kosovës, ku të njëjtit i grumbullojnë në afërsi të xhamisë së fshatit Vërmicë, ose në afërsi të urës e cila gjendet në autostradë afër fshatit Vërmicë, ku i priste i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët me kombi dhe me vetura udhëtarësh, migrantët e kontrabanduar i transportojnë nga aty, nëpër territor të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Pastaj thuhet se i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët i kishte siguruar ai, i transportonin më tej deri në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, dhe “me ndihmën e kontrabandistëve e kalojnë kufirin Kosovë-Serbi, jashtë pikëkalimit kufitar në mënyrë të paligjshme, kundrejt një përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare”.
Me këto veprime, të pandehurit e lartpërmendur thuhet se kanë kryer veprën “kontrabandimi me migrantë”.
Gjithashtu, prokuroria thotë se të pandehurit S.G., A.H., H.A., dhe O.A., me datë 19.06.2023, në mesnatë, në Prishtinë, në katin e katërt të një objekti banesor që gjendet në rrugën “S.M.”, kanë poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes, “të njëjtëve u janë gjetur në posedim tri (3) armë zjarri dhe një numër i konsiderueshëm i fishekëve. Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.
Po ashtu, thuhet se i pandehuri O.A., në banesën e lartcekur në Prishtinë, “shkakton rrezik të madh për jetën e personave që kanë qenë brenda banesës, e pikërisht për të pandehurit S.G., A.H., dhe H.A., në atë mënyrë që me pistoletë shtënë disa herë në drejtim të tokës (sheshit) të dhomës së kësaj banese, me ç’rast shkakton rrezik të madh për jetën e tyre”.
“Me këto veprime, i njëjti thuhet se ka kryer veprën penale ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’”, thekson Prokuroria.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.