Radule Steviq, infuzioni i Radojiçiqit mori tender nga Serbia ditën e aktakuzës për Banjskën – Ja sa milionë përfitoi nga 2020-ta

- Bota Sot

Radule Steviq, infuzioni i Radojiçiqit mori tender nga Serbia ditën e aktakuzës për Banjskën – Ja sa milionë përfitoi nga 2020-ta

Ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën ndaj 45 personave për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Përveç akuzës për terrorizëm, vend qendror në dokumentin e Prokurorisë kundër grupit të Milan Radojiçiq zë edhe akuza për veprën e shpëlarjes së parave. Lidhur me këtë temë ka shkruar të enjten revista serbe “NiN”, duke shpjeguar spiralen se si miliona euro të marra përmes projekteve të ndryshme kanë përfunduar si përkrahje për të sanksionuarin e SHBA-së, Milan Radojiçiq.

Këto para sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet se janë siguruar përmes ndihmës së Radule Steviqit dhe kompanive që ka pasur në pronësi.

NIN në këtë shkrim potencon faktin se përveç tenderëve që firmat e Radule Steviq i kanë fituar nga institucionet e Republikës së Kosovës, janë gjithsejtë 184 kontrata që kompanitë e Steviq i kanë marrë nga institucionet serbe.

Tutje revista serbe teksa shkruan për figurën e Radule Steviq, thekson faktin se i njëjti s’ka qenë i njohur për publikun, deri në dhjetorin e vitit 2021, kur edhe u vendos nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera edhe për bashkëpunim të ngushtë me Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Bazuar në shumat e parave të marra nga buxhetet e Serbisë dhe të Republikës së Kosovës, NIN shkruan se Radule Steviq del se është një biznesmen me shumë përvojë.

Gjëja e parë që Steviq ka pasur në emrin e tij është një dyqan të pavarur artizanal të quajtur “Rade Steviq”. Ky biznes ka ekzistuar para disa viteve dhe është fshirë nga regjistri i bizneseve më 20 janar 2014.

Në të njëjtën adresë të këtij biznesi në Zveçan, po atë ditë është depozituar një kapital prej 1 mijë dinarësh dhe është themeluar një prej kompanive përmes të cilës Steviq ka mbledhur miliona euro. Bëhet fjalë për Rad 028 Zveçan D.OO, e cila ka marrë pothuajse të gjithë tenderët të lëshuar nga Serbia.

“Sot, pesëdhjetë e katër vjeçari Radule Steviq është drejtor dhe qind për qind pronar”, shkruan revista NIN.

Kontratat për kompaninë e Radule Steviq nga Serbia s’janë ndalur. E fundit që ai e ka nënshkruar është ditën kur është ngritur aktakuza për Banjskën nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 12 shtator.

Siç shkruan NIN, vlera është 68 mijë e 282 euro, dhe sipas kontratës me ato para duhet të ndërtohet një shtëpi familjare në Hoçë të Madhe.

Ndonëse kanë mbetur ende ditë në këtë vit, nuk dihet saktësisht se edhe sa kontrata do t’i fitojë Steviq. Megjithatë në vitin 2023 ai ka marrë 34 tenderë në vlerë prej 16 milionë e 600 mijë euro. Pjesa më e madhe e këtyre ka shkuar përmes të ashtuquajturit “Sekretarit për Veprimtari Sociale të Mitrovicës së Kosovës”.

“Duke gjykuar nga tenderët, kompania e Steviqit është e aftë për të gjitha llojet e punëve, nga ndërtimi i ndërtesave, ndërtimi i objekteve mjekësore, hidraulike, prokurimi i makinerive, deri te dekorimi i jashtëm. Firmat nga Nishi, Kragujevaci gjithashtu shfaqen si nënkontraktorë në tenderët që përfshijnë paratë e buxhetit të Serbisë…”, thekson artikulli.

Steviq me kompaninë e tij edhe gjatë vitit 2022 ka marrë 45 kontrata me vlerë rreth 16.5 milionë euro nga buxheti i Serbisë. Përsëri kryeson i ashtuquajturi “Sekretariati Për veprimtari Sociale” me 60 %, komuna paralele ilegale e Zubin Potokut me 10 % dhe ajo e Leposaviqit me 4 %.

Edhe gjatë vitit 2021, Steviq ka marrë mbi 1 miliardë dinarë nga buxheti i Serbisë apo përkthyer në euro mbi 11 milionë euro. Numri i tenderëve të marrë është 50. Edhe viti 2020 është i të njëjtave shifra, potencon NIN.

Gjatë monitorimit të parave që dalin nga buxheti i Serbisë, së bashku me Radule Steviqin haset edhe në kompaninë “I&M Stil Zveqan” Ltd. Kjo kompani është në pronësi të vajzës së Radule Steviq, Irene Steviq.

Vajza e Radule Steviq, siç shkruan NIN e themeloi kompaninë në emër të saj më 1 shtator 2016, por kontratën e parë ajo e nënshkroi pothuajse katër vjet më vonë, në tetor 2020. Deri më tani vajza ka të ardhura nga biznesi prej 6.9 milionë eurosh nga 15 kontrata. Sipas normës së babait të saj, gjatë vitit të kaluar ajo kishte të ardhura nga biznesi rreth 2.2 milionë euro.



Lexoni të gjitha në Bota Sot